Të paktën 8 zyrtarë të UNMIK-ut, që operojnë në veri të Mitrovicës, punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë.
Dragan Spasojevic, drejtor i Urbanizmit në Administratën e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës (UAM), ka të njëjtën pozitë edhe në komunën ilegale të Serbisë, raporton “Koha Ditore”. Edhe Borivoje Djuric merr dy rroga dhe ka dy pozita të ngjashme në të dy mekanizmat, ku është drejtor për financa dhe ekonomi. Njëjtë vepron edhe drejtori tjetër, Momcilo Barovic.
Në një dokument të hartuar nga ICO-ja dhe Qeveria, ku planifikohet mbyllja e administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës që financohet nga Qeveria e Kosovës, puna e dyfishtë e këtyre zyrtarëve përmendet si një nga arsyet se pse duhet mbyllur UAM-in.
Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ka një staf prej 163 personave në dhjetë departamente. Udhëheqësit e tetë prej këtyre departamenteve punojnë edhe në komunën paralele serbe, e cila, sipas Rezolutës 1244, është ilegale.
Përveç tre drejtorëve, që kanë pozita të njëjta, pesë drejtorë tjerë të UAM-it kanë punë të dyta në komunën paralele.
Milos Milidragovic, Katas Shcekic, Zoran Bratic, Bilana Petrovic, Zoran Smikic, janë drejtorët që marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga ai i Serbisë. Në dokumentin e publikuar ditë më parë nga “Koha Ditore”, konstatohet se “80 për qind e UAM-it është e njëjtë me komunën paralele të Serbisë”.