Pikë statike policore në veri

Pas sulmit të sotëm me një mjet shpërthyes në banesën e familjes Haradinaj, me ç'rast humbi jetën kryefamiljari, Selveri, kurse lëndime morën anëtarët e tjerë të familjes, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i ka deklaruar RTK-së se ka urdhëruar vendosjen e një pike statike policore në veri të Mitrovicës, në lagjen “Te tre rrokaqiejt”.
Për shkak të pasigurisë si pasojë e provokimeve, incidenteve dhe sulmeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe në veri, banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kaherë kishin kërkuar vendosjen e një pike statike policore në këtë pjesë të qytetit.
Por autoritetet e rendit deri tash nuk e kishin parë të udhës t’i përgjigjen kërkesës së banorëve, që kërkonin më shumë siguri. 

U varros Selver Haradinaj

Në varrezat e qytetit të Mitrovicës u varros Selver Haradinaj, i vrarë sot (e diele) në mëngjes në një sulm me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës.
Zyrtarë komunalë, disa deputetë, familjarë, të afërm, miq dhe shokë, si dhe shumë bashkëqytetarë, i dhanë lamtumirën e fundit, duke dënuar ashpër vrasjet e shqiptarëve në veri, të kryera me motive të qarta të spastrimit etnik të veriut të Kosovës.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati tha se ka qenë një sulm makabër që ka tronditur të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe se ky rast nxjerr në pah nevojën urgjente që strukturat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të izolojnë strukturat kriminale serbe që po terrorizojnë qytetarët jo serbë, raporton Kosovapress. 
Vrasjen e kanë dënuar institucione shtetërore, subjekte politike dhe asociacione të ndryshme.
Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Mitrovicë, përmes një reagimi, kanë dënuar krimin makabër të kriminelëve serbë dhe kërkojmë reagimin e menjëhershëm dhe të shpejtë të organeve kompetente për siguri në pjesën veriore të qytetit, me qëllim që të kapen autorët e krimit dhe të dalin para organeve të drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.
“Ua tërheqim vërejtjen kompetentëve për siguri në pjesën veriore të vendit, para së gjithash KFOR-it dhe EULEX-it, se po që se nuk i ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shqiptarëve në lagjet veriore, atëherë këtë do ta bëjnë të 1.300 veteranët e Luftës së UÇK-së të komunës së Mitrovicës dhe nuk do të lejojnë më kurrë që ata të vriten ditën e natën dhe në mënyrën më mizore nga kriminelët serbë”, thuhet në reagimin e SHVL të UÇK-së. 

City do ta shesë Balotellin

Roberto Mancini ka pranuar se Manchester City do të tentojë ta shesë Mario Balotellin gjatë verës që vjen.
Sjelljet e sulmuesit italian kanë kaluar çdo kufi dhe pas përjashtimit me karton të kuq në takimin ndaj Arsenalit, trajneri ka lënë të kuptohet se e ka humbur më durimin me 21-vjeçarin.
I pyetur nga gazetarët nëse City po planifikon ta shesë SuperMarion në verë, Mancini u përgjigj: “Me gjasë, po”.
“Unë gjithmonë e mbroj atë, sepse është një djalë i mirë, por nëse ai nuk ndryshon në të ardhmen, ai mund ta humbë gjithë talentin e tij”.
“Nëse ai nuk e kupton këtë edhe pas dy vitesh, unë nuk mund të bëj asgjë. Shpresoj që ai të përmirësohet dhe të kuptojë se nuk mund të vazhdojë të luajë kështu”.
“Për të ardhmen dhe për talentin e tij, ndjej keqardhje për të”, ka thënë Mancini për SkySports.

Van Bommel i duhuri për PSV

Mbrojtësi i PSV, Wilfred Bouma, mendon se mesfushori i Milanit, Mark van Bommel, do të ishte njeriu i duhur për klubin holandez.
Klubi nga Eindhoven është i interesuar që ta kthejë holandezin (që ka luajtur te PSV gjatë viteve 1999-2005), ndërsa edhe drejtori sportiv, Marcel Brands, ka konfirmuar se do të tentojnë transferimin e tij gjatë verës.
“Ai është pikërisht lojtari që na nevojitet. Pse ai do të ishte i përsosur për PSV? Thjeshtë sepse është Van Bommel. Ai gjithmonë ka pasur një mentalitet të shkëlqyer dhe është një lider i vërtetë”, ka thënë Bouma për Eredivisie Live

City përshëndetet nga titulli

Arsenali me plot meritë e ka mposhtur Manchester Cityn në derbin e kësaj jave në Ligën Premier që u zhvillua të dielën në Emirates. Topçinjtë triumfuan me rezultat 1-0.
Ishte një gjysmë e parë përplot ndërhyrje dhe me gjysmëraste për të dyja palët. Robin van Persie ka mundur të shënojë me kokë, po mos t’ia zinte rrugën bashkëlojtari Thomas Vermaelen.
Nga ana tjetër, Balotelli ka mundur t’i kalojë në epërsi mysafirët, ndërsa po ashtu me lehtësi ka mundur të përjashtohet nga ndeshja.
Në gjysmën e dytë, edhe pse nuk ishte një ndeshje spektakolare, siç di të tregojë Arsenali, megjithatë me Van Persien në fushë gjithmonë ka gjasa për të shënuar.
Holandezi rrezikoi disa herë, mirëpo i mungoi konkretizimi. Po ashtu, edhe Vermaelen ka mundur të shënojë, por fati nuk ishte në anën e Topçinjve.
Megjithatë, angazhimi i lojtarëve vendas u shpagua në minutën e 87-të. Mikel Arteta e kreu punën vetë për tre pikët e plota të Topçinjve.
Atë që e meritoi shumë më herët, Mario Balotelli e mori në minutën e fundit të kohës së rregullt – kartonin e kuq.
Kjo humbje e lë Manchester Cityn tetë pikë prapa Manchester Unitedit dhe me të drejtë mund të thuhet se titulli u takon Djajve të Kuq.
Arsenali, nga ana tjetër, pozicionohet në vendin e tretë në tabelë me dy pikë më shumë se Tottenhami. 

Mustafa: Kushtetutshmëri në tërë vendin

Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prillit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një mesazh urimi për qytetarët e vendit, veç tjerash kërkon që kushtetutshmëria të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.
“Është obligim yni i përgjithshëm, i institucioneve, partive politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve të vendit, që të punojmë me të gjitha kapacitetet për shtrirjen e kushtetutshmërisë në të gjithë vendin. Kosova është unike dhe rendi i saj kushtetues është unik për tërë territorin e Republikës”, ka thënë Mustafa.
Në mesazhin e tij kreu i LDK-së ka kritikuar Qeverinë për ndërhyrje në punët e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që një praktikë e tillë të ndërpritet.
“Respekti i Kushtetutës së Republikës dhe zbatimi i obligimeve që dalin prej saj, do të mundësojë që udha jonë drejt integrimeve euroatlantike të përshpejtohet. Prandaj, LDK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal që në punën e tyre gjithmonë t’i kenë parasysh obligimet që kanë para Kushtetutës dhe vendit. Në këtë kontekst, LDK-ja kërkon nga sistemi i drejtësisë që t’i shtojë përpjekjet për zbatimin e detyrimeve, të cilat dalin nga Kushtetuta, në të gjitha hallkat e sistemit tonë shtetëror”, thuhet në mesazhin e Mustafës. 

Hedhin poshtë idenë e kryeministrit

Idenë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një komisioni për pajtim rajonal, për të vërtetën dhe për pajtim për Kosovën, që do të shëronte plagët e konflikteve në rajon, opozita e quan një hap të ngutshëm, të pamatur dhe në një kohë jo të duhur. Për opozitën, kjo po ashtu është një fasadë që i jepet politikës së dështuar të udhëhequr nga kjo Qeveri dhe nga kryeministri dhe është mashtrim optik në sytë e opinionit vendor dhe ndërkombëtar.
 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se nuk ka qenë momenti dhe mënyra e duhur, për një iniciativë të tillë nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së, idenë e kryeministrit e quan iniciativë të ngutur dhe të pamatur. Sipas tij para së të flitet për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia e cila ka kryer krime të rënda dhe gjenocid në Kosovë, duhet të kërkoi falje, gjë të cilën se ka bërë deri më tani, transmeton Kosovapress.
“Është një iniciativë e ngutshme e kryeministrit të Kosovës. Çdo iniciativë e tillë është e mirë, mirëpo në rrethana të caktuara dhe nga pala e duhur. Në këtë rast ftesa për pajtim, do të duhej të vijë pas një kërkim falje drejtpërdrejtë nga Serbia dhe nga përfaqësuesit e saj më të lartë shtetëror. Është hap i ngutshëm i kryeministrit Thaçi. Është hap i pamatur dhe ndoshta i pa duhur, dhe në një moment jo të duhur. Çdo pajtim është i mirë në rajon midis popujve dhe midis fqinjëve pas luftërave dhe zhvillimeve jo të mira mes tyre. Mirëpo gjithë duhet ta dimë se në Kosovë, ka ndodhur një luftë jashtëzakonisht e rëndë, një krim dhe gjenocid që ka ushtruar Serbia, regjimi i Serbisë, shteti i Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Në këtë rast përfaqësues të atij regjimi, pra përfaqësues të Beogradit zyrtar, do të duhej të kërkonin paraprakisht falje dhe të fillonin nismat e tilla”, tha Luma.
Ndërsa Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se bazamenti i çfarëdo pajtimi është drejtësia. Pa drejtësi, sipas tij askund në botë dhe në asnjë konflikt nuk ka pasur pajtim. Ai tha se Kosova përbrenda ende i ka plagët e pashëruara dhe se ende janë mbi 1800 trupa të pagjetur dhe se nuk mund të ketë pajtim pa u realizuar drejtësia, për atë që Serbia ka bërë në Kosovë.
“Në momentin kur Serbia, është po sikur Serbia e Miloseviqit, e cila jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por aq më tepër as nuk ka kërkuar falje dhe nuk ndjenë pendesë për atë që ka bërë. Madje figura të ndryshme që i ka atje edhe në Qeveri Serbia, si puna e Dacicit, i cili tani po kandidon edhe për president të Serbisë, me gjestet e tij po na tregon që po të ishte kthyer koha edhe njëherë ai të njëjtën do të ia bënte shqiptarëve, të njëjtat masakra dhe atë gjenocid. Atëherë kjo tregon se nuk mund të ketë pajtim. Për pajtim Serbia duhet të pendohet për atë që ka bërë në Kosovë. Të gjithë kriminelët e luftës duhet të dënohen, viktimat të zhdëmtohen, e pastaj ne mund të flasim për pajtim. Pajtim sa për sy e faqe, nuk na duhet. Madje pajtimi sa për sy e faqe, vetëm të themi se krijuam një institucion të pajtimit, mund të jetë i dëmshëm bile, pa u realizuar drejtësia”, pohoi Konjufca. 

Me dhomë antikorrupsion

Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Pecit nuk i ka pëlqyer dorëzimi i dosjes së Nazmi Mustafit në EULEX, pas hetimeve të kryera nga prokurori kosovar. Ai beson se edhe vendësit kanë guxim të merren me raste të profilit të lartë. Tash e tutje çështjet e tilla, gjyqësori do t’i trajtojë në Dhomën e Veçantë e cila pritet të themelohet.
Gjithmonë u duhet ndihma e të huajve, për raste të rënda. Prokurorët e Kosovës duket se nuk po janë të zotë që t’i çojnë vetë deri në fund rastet e personave të dyshuar, e që janë të niveleve të larta. Kjo u pa hapur me rastin e arrestimit të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi.
Ndonëse ishte hetuar për më shumë se një vit nga një koleg i tij, në fund, Prokurori i Shtetit publikisht pranoi se rastin ua la në dorë të huajve. Kështu, urdhri për arrestimin Mustafit u dha nga EULEX-i, ndonëse tërë punën e kanë bërë vendorët. Megjithëkëtë, kjo praktikë premtohet se do të ndryshohet. Së paku kështu tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, shkruan Express.
Në një debat në televizionin publik, ai publikisht tha se vartësit e tij pritet që shumë shpejt të ngrenë dy aktakuza ndaj figurave me profil të lartë publik. Por edhe në këtë rast ky është vetëm një premtim që duhet pritur për të parë nëse do të mbahet.
Pavarësisht se vetë rrallë merren me persona të nivelit të lartë që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion, institucionet e drejtësisë shmangien e tyre nuk e konsiderojnë paaftësi, por thonë se e kanë bërë me qëllim që askush të mos jetë dyshues. 

Tronditet Zbogar


Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka reaguar lidhur me incidentin që ndodhi sot në veri të Mitrovicës, ku humbi jetën një qytetar shqiptar dhe u lënduan anëtarët e familjes së tij.
“Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin në të cilin humbi jetën Selver Hajradinaj në Mitrovicë sot herët në mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij. Kuptova nga EULEX-i se po zhvillon hetime të përbashkët me autoritetet kosovare. Shpresoj se ky hetim do të kryhet shpejt e me sukses. Ndërkohë, do të apeloja te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe ta lënë rastin në duart e policisë”, thuhet në deklaratën e Zbogar. 

Serwer: Koha e bisedimeve për veriun

Deri te zgjidhja për veriun mund të arrihet me negociata. Po vjen koha kur duhet ulur rreth tryezës dhe të hapet kjo temë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Washington.
“Po, flitet shumë për këto bisedime. Nuk kam informacione se çfarë po ndodh konkretisht në këtë plan, por mendoj se po vjen koha për, nëse asgjë tjetër, diskutim gjithëpërfshirës lidhur me atë se çfarë të bëhet me veriun e Kosovës. Pozicioni i Amerikës është se ai duhet të jetë një proces i riintegrimit gradual me pjesën tjetër të Kosovës, në përputhje me Planin Ahtisaari, i cili parasheh decentralizim të gjerë dhe vetëqeverisje”, ka thënë Serwer në një intervistë për Rel.
Profesori nga Washingtoni mendon se Prishtina ka vullnet politik për të diskutuar për veriun.
“Po, mendoj se ka. Njerëzit në Prishtinë e kuptojnë shumë mirë se nuk mund ta rrëmbejnë kontrollin mbi veriun e Kosovës dhe të detyrojnë serbët lokalë të jenë besnikë ndaj Prishtinës. Kjo nuk do të ndodhë dhe e vetmja gjë që u mbetet është të fitojnë ngadalë besimin e serbëve të veriut. Kjo, natyrisht, nuk do të jetë aspak e lehtë, sidomos duke marrë parasysh faktin se shumë serbë radikalë nga e gjithë Kosova tashmë janë përqendruar në veri - përveç tyre ka edhe shumë serbë të larguar nga Kroacia, të cilët janë shumë të frustruar me fatet e tyre. Këtu bën pjesë edhe fakti se veriu i Kosovës është territorialisht pranë Serbisë. Pra, në veriun e Kosovës nuk mund të shihni si në dy vendkalimet atje, dhe secili në Kosovë që është i kuptueshëm, e di mirë një gjë të tillë. Andaj, deri te zgjidhja mund të arrihet me negociata. Po vjen koha kur duhet ulur rreth tryezës dhe të hapet kjo temë”, thotë Serwer. 

Mesha e Pashkëve u shërbye në Prizren

Vënia në shërbim të së mirës, të drejtës dhe dashurisë, sikurse edhe ofrimi i përkrahjes për njëri tjetrin janë vlerat që shoqëria kosovare duhet t'i përqafoj dhe mos të lejoj që të mirat të përdoren vetëm për qëllimet e grupeve ose të individëve të caktuar, ka porositur të dielën Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji, pas shërbimit të meshës së Ditës së Pashkëve, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, ku ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kreu i Kishës Katolike të Kosovës në këtë ditë të veçantë për besimtarët krishterë ka përçuar mesazhin e paqes e dashurisë për qytetarët e vendit dhe i ka ftuar ata që të jetojnë në shërbim të kombit, në mënyrë që duke e ndihmuar njëri-tjetrin të mundësojnë përballimin e vështirësive të kohës dhe arritjen e të mirave që i ka falur Zoti për njerëzimin, raporton Koha.net.
"Një shoqëri e cila dëshiron të jetoj në paqe, të jetë në shërbim të kombit dhe të njerëzve, ajo duhet që në të gjitha poret e veta të vë përgjegjësinë, të vë të drejtën, të vë dashurinë dhe të vihet në shërbim të së mirës dhe jo të sundoj ose të përdor të mirat vetëm për qëllime të caktuara të grupeve ose individëve", ka thënë Gjergji.

Papa uron shqip Pashkët

"Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, ishte urimi i Papa Benediktit XVI, i bërë në gjuhën shqipe, në mesazhin e bërë në 65 gjuhë, për festën e Pashkëve teksa fliste nga ballkoni i Bazilikës Shën Pjetrit në Vatikan.
Në meshën tradicionale ndërmjet së shtunës dhe të dielës Papa Benedikti, ka tërhequr vërejtjen se njerëzimi po ecën nëpër errësirë, duke mos qenë i aftë ta dallojë të mirën nga e keqja.
Ndrësa sot Papa Benedikti i 16-të udhëhoqi sot edhe meshën tradicionale me rastin e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit.
Në mesazhin e tij, "Urbi et Orbi", Papa u lut ndër të tjera, që "potenca e shpëtimit e ringjalljes së Krishtit, të prekë të gjithë njerëzimin, për të patur një të ardhme me dashuri e vërtetësi, dhe ku çdo jetë njerëzore, duhet respektuar.
Papa u është drejtuar rreth 100 000 personave të pranishëm në meshën e së dielës në Romë, në sheshin e Shën Pjetrit.
"Zoti bekoftë, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në veçanti të sëmurët e ata që vuajnë në trup e në shpirt”, - tha Papa Benedikti XVI.

Thaçi uron për Ditën e Kushtetutës

Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e Kosovës në përvjetorin e katërt të miratimit të Kushtetutës.
Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli, është ndër datat më të rëndësishme të themelimit të Republikës së Kosovës.
Miratimi i Kushtetutës mundësoi rivendosjen e ekzistencës tonë kombëtare, duke na mundësuar krijimin e themeleve për ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik, të bazuar në sundimin e rendit dhe ligjit dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve, thuhet në mesazhin e kryeministrit.
Ditën e Kushtetutës së Kosovës, të gjithë qytetarët tanë e festojnë me ndjenjën më të lartë të krenarisë dhe të respektit, sepse ky dokument i lartë juridik është kurorëzim i luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet shtetëror.
Në katërvjetorin e miratimit të Kushtetutës, Republika e Kosovës ka konsoliduar institucionet demokratike, ka fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, po implementon reformat e gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të integrimit, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi, duke uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Presidentja dhe kryeministri dënojnë vrasjen në Mitrovicë

Sulmin me mjet shpërthyes ndaj një familje shqiptare në veri të Mitrovicës, në të cilin humbi jetën një qytetar, e kanë dënuar Presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë kërkuar kapjen e autorëve të këtij akti kriminal.
 Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e dënon sulmin me mjet shpërthyes, në një banesë private, në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë, me ç’rast është vrarë një qytetar i Kosovës dhe është lënduar familja e tij.
Aktet e këtilla të dhunshme dhe sulmet janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit. Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës dhe në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.
Ndërsa në reagimin e lëshuar nga kabineti i kryeministrit, thuhet se ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt.
“Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Kosovës dhe nga organet e ndjekjes, që të bëjnë çmos që aktorët e këtij akti terrorist, të kapen dhe të marrin dënimet e merituara nga ana drejtësisë”, thuhet në reagim. 
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dënoi aktin kriminal ndaj familjes Haradinaj në lagjen e Tre Rokaqejve në Mitrovicë.

Pedro ia kushton golin Abidalit

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez, është shprehur mjaft i kënaqur me golin që e shënoi ndaj Zaragozas të shtunën, ndërsa atë ia ka kushtuar bashkëlojtarit Eric Abidal.
24-vjeçari nuk kishte shënuar që nga muaji janar, ndërsa në takimin e të shtunës e realizoi golin e katërt të Blaugranëve.
“Golin tim ia dedikoj Abidalit. Goli më ka dhënë shumë vetëbesim. Është gjithmonë e rëndësishme për një sulmues që të shënojë gola”, ka deklaruar Pedro. 

Djajtë pranë titullit

Manchester United ka shënuar fitore të lehtë në Old Trafford me rezultat 2-0 ndaj Queens Park Rangers, duke thelluar diferencën me Manchester Cityn në tetë pikë dhe duke prekur titullin gjashtë javë pa përfunduar sezoni.
Ishte kjo një sfidë e cila filloi relativisht e baraspeshuar, me Djajtë të cilët morën iniciativën dhe filluan të rrezikojnë portën kundërshtare.
Pas 15 minutash lojë, Shaun Derry përjashtohet nga loja dhe Manchester United fiton një penalti, të cilën me sukses e konkretizoi sulmuesi më i mirë anglez, Wayne Rooney.
Në pjesën e dytë u formalizua fitorja e Djajve. Në lojë në ndërkohë hyri edhe Ryan Giggs dhe impakti i legjendës ishte i pa shmangshëm, pasi disa minuta më vonë, Paul Scholes realizoi dhe golin e dytë për vendasit për 2-0 dhe rezultatin përfundimtar të takimit.
Me këtë fitore Manchester United ka 79 pikë në vendin e parë, tetë pikë më shumë se Manchester City që në ora 17:00 zhvillon takimin derbi ndaj Arsenalit në Emirates. 

Granit Xhaka lojtar i Monchengladbachut?

Mesfushori i jashtëzakonshëm shqiptar, Granit Xhaka, besohet se ka pranuar ofertën e klubit gjerman, Borussia Monchengladbach dhe pritet që ai të kalojë në Bundesliga me të përfunduar sezoni.
19 vjeçari ka qenë ndër mesfushorët më të kërkuar gjatë janarit dhe pas paraqitjeve të mira në Ligën e Kampionëve ka tërhequr interesimin e shumë skuadrave evropiane, duke përfshirë dhe atë të Manchester United. Në janar, Baseli refuzoi një ofertë prej 7 milionë eurosh nga Hamburgu për shërbimet e Xhakës.
Shuma e transferimit të Xhakës nuk është zbuluar, por besohet se do të jetë diku rreth 10 milionë euro, marrë parasysh 17.1 milionë eurot që Monchengladbach do t’i marrë nga shitja e Marco Reus te Dortmundi. 

Nerlinger: Do ta fitojmë titullin

Drejtori i Bayernit të Munichut, Christian Nerlinger, nuk mund ta fshehë optimizmin për titull teksa ekipi i tij po përgatitet për supersfidën vendimtare për titull që zhvillohet të mërkurën ndaj Dortmmundit.
“Nëntë fitore radhazi në të gjitha garat. Kjo ecuri na bën shumë bindës dhe optimist. Ne do të udhëtojmë në Dortmund kryelart”, ka theksuar Nerlinger.
Bayerni pos në Bundesliga, punët mirë i ka edhe në Ligën e Kampionëve, ku në gjysmëfinale do të ketë punë me Real Madridin. 

Stramaccioni: Barazimi na lë me shije të hidhur

Trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, ka pranuar se ai ka pritur më shumë se një barazim nga ndeshja ndaj Cagliarit që përfundoi me barazim 2-2.
“Ky barazim na lë me shije të hidhur”.
“Ishte një ndeshje e mirë mes dy ekipeve të mira dhe Cagliari u shfaq mjaft i rrezikshëm, sidomos në 15 minutat e para të pjesës së dytë. Ne kemi punuar mirë dhe tentuam të fitojmë, por nëse rasti i Ranocchias do të kishte qenë gol, atëherë tri pikët do të kishin qenë tonat”, ka deklaruar Stramaccioni. 

Rihanna mban raporte me Brown

Këngëtarja e suksesshme, Rihanna, duket se nuk mund t’i rezistojë sharmit të Chris Brown.
Gjatë një interviste për revistën e modës, Elle, krijuesja e hitit “We Found Love” ka thënë se asnjëherë nuk do t’i shkëpusë marrëdhëniet me ish të dashurin e saj.
Rihanna i dha fund lidhjes me Brown, pasi ky i fundit e sulmoi fizikisht në vitin 2009, ndërsa kohëve të fundit po spekulohet se ajo është kthyer në krahët e tij.

Charlize, ‘tepër e madhe’ për modele

Ylli hollivudian, Charlize Theron, ka thënë se ka qenë “tepër e madhe”, prandaj nuk ka mundur të jetë e suksesshme si modele.
Duke folur për Vogue, aktorja ka treguar rreth karrierës së saj si modele në moshën e re.
“Kam qenë shumë e gjatë dhe shumë e madhe për atë që pritej nga modelet e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar”.
“Kate Moss dhe manekinet tjera të holla ishin model për agjentët e modës, ndërsa unë isha larg asaj. I kushtoja vëmendje ushqimit dhe ushtroja intensivisht, mirëpo kjo nuk luajti kurrfarë roli”, ka treguar Charlize.

Ndryshim radikal në dukjen e Hathaway

Aktorja amerikane, Anne Hathaway, ka tërhequr vëmendjen e mediave, pasi ka bërë një intervenim radikal në dukjen e saj - duke shkurtuar flokët.
30-vjeçarja është e njohur për imazhin e saj ‘statik’, mirëpo duket se ka vendosur që ta ndryshojë dukjen dhe stilin e jetës. Veç kësaj ajo është fotografuar duke u larguar nga një klub nate në Londër në orën tre të mëngjesit
Mirror, duke u thirrur në burimet e veta, raporton se Anne kohëve të fundit ka ndryshuar edhe në sjellje.
Megjithatë, arsyeja e vërtetë e shkurtimit të flokëve duket të jetë roli i Fantine në “Les Miserables”, ku karakteri i saj i shet flokët për para.

Nga shitëse atletesh, në një yll ndërkombëtar

Këngëtarja Rita Ora, e cila, sipas shumë mediave ndërkombëtare, do të jetë ylli i vitit 2012, ka publikuar në YouTube videon në të cilën tregon se si për më pak se një vit, është ngritur në majat e top-listave britanike dhe amerikane.
Përmes kësaj videoje që zgjat tre minuta, Rita tregon sesi kur ka qenë 18 vjeçe ka nënshkruar kontratën me shtëpinë diskografike më të njohur në botë, që e menaxhon Jay Z, “Rock Nation”.
“Kam nënshkruar një kontratë me ‘Rock Nation’ kur isha 18 vjeçe. Isha duke punuar në një dyqan atletesh dhe tani jam nën shoqërinë e njerëzve, talenti i të cilëve më çmend”, ka thënë Rita, ndërsa citon Kosovapress.
E që në fillim të kësaj videoje, 23-vjeçarja tregon për diçka që atë e bën krenare. Në videon “Të bëhesh Rita Ora”, Rita thotë se ka lindur në Kosovë, pavarësisht se është një vajzë tipike londineze.
“Kam lindur në Kosovë, por jam një vajze tipike londineze dhe prezantoj Britaninë, megjithatë gjithmonë do ta kem në zemër Kosovën”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka treguar se këngën e parë e ka regjistruar në moshën tetëvjeçare. “Muzika është një shpërfaqje e personalitetit tim, ajo çfarë jam unë. Dua që njerëzit të kënaqen me muzikën time dhe nëse e bëj dikë të qesh me këngët e mia, atëherë gjithçka është në rregull. Për mua, muzika duhet të jetë e mirë, që të kesh qejf ta dëgjosh me shoqërinë, të të prekë emocionet dhe të vallëzosh me të. Është kjo ajo çfarë kam dashur të bëj”, ka deklaruar ajo.
Sipas Ritës, njerëzit nuk e përshkruajnë atë si një artiste të zakonshme. “Unë kam personalitetin tim. Kam qenë duke përgatitur këngën e parë para dy vitesh dhe tani besoj se kur njerëzit e dëgjojnë, e pëlqejnë”.
Dhe duket se tashmë Rita është kudo. Është publikuar gjithashtu edhe videoja zyrtare e këngës “RIP”, një bashkëpunim ndërmjet këngëtares kosovare dhe këngëtarit të njohur botëror, Tinie Tempah. Kënga “RIP” do të jetë pjesë e albumit, për të cilin Ora po punon prej kohësh. Ishte spekuluar një kohë se kjo këngë ishte bërë për Rihannan, por bosi i “Rock Nation”, Jay-Z, vendosi t’ia japë Ritës ta këndojë.

Rezultate të dobëta për HTC-në

HTC gjatë çerekut të katërt të këtij viti pati të hyra dukshëm më të ulëta në krahasim me periudhën e njëjtë një vit më herët. Të hyrat ishin madje 35% më të ulëta, e rezultatet e këtilla duhet thënë se ishin parashikuar më parë.
Të hyrat totale të prodhuesit të smartphoneve gjatë çerekut të parë të vitit të kaluar ishin 3.5 miliard dollarë, derisa gjatë çerekut të parë të këtij viti ishin 2.3 miliard dollarë. Rezultate veçanërisht të dobëta janë shënuar gjatë muajit janar – në krahasim me 1.2 miliard të vitit të kaluar, këtë vit janë përgjysmuar në 565 milion dollarë. I tërë profiti i realizuar gjatë çerekut të parë të këtij viti, në shumën prej 150 milion dollarë, ishte madje 70% më i dobët se ai i periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.
Trendët më të dobët financiar në kompani pritet të ndërpriten nga pajisjet e paraqitur kohë më parë në kuadër të linjës One. 

Gjarpri në aeroplan

Një pilot australian ka përjetuar frikën më të madhe në jetë, kur një gjarpër doli nga pulti dhe iu zvarrit poshtë këmbës.
Braden Blennerhassett bëri një deklaratë për ndihmë duke thënë: “Kemi një gjarpër në aeroplan” dhe më pas bëri një aterrim emergjent në Darwin.
“Ndërsa aeroplani po ulej, gjarpri po më zvarritej poshtë këmbës, që ishte shumë frikësuese”, ka thënë ai për Channel Nine.
Gjarpri johelmues thuhet ta ketë ndjekur një bretkosë që gjendej nën ulësen e një pasagjeri, ndërsa pas aterrimit të aeroplanit atë nuk kanë mundur ta gjejnë.
Ndodhia është lidhur menjëherë me filmin e vitit 2006 të Samuel L. Jackson, “Snakes on a Plane”.
“E kam parë një herë në një film, por asnjëherë në aeroplan”, ka shtuar Blennerhassett.

Beatrix mohon lidhjen me shokun e klasës

Këngëtarja e re, Beatrix Ramosaj, ka hedhur poshtë spekulimet e mediave shqiptare se ajo është në lidhje me një shok të klasës së saj, duke thënë se ajo ka shumë foto me shumë shokë të klasës.
Një e përditshme shqiptare kishte shkruar se Beatrix është në lidhje me një djal të quajtur Arbër dhe i cili është shok i klasës në liceun artistik “Lorenc Antoni” ku është dhe këngëtarja e re. Për gazetën lidhjen prej tetë muajsh të çiftit e kanë konfirmuar miqt dhe shokët e tjerë të klasës, por kështu nuk pohon Beatrix.
“Ky lajm s’është i vërtetë. Foto të tilla kam me të gjithë shokët e klasës, e nuk do të thotë që i kam të gjithë të dashur. Më vjen keq që ju kanë keq informuar”, kishte shkruar Beatrix të dielën në mëngjes në profilin e saj në Facebook, ku bashkangjiti dhe foton e lajmit në gazetë. 

Kim në ofsajd, e kafshuar në qafë

Kim Kardashian ka tentuar që të fshehë një lloj ‘njolle’ në qafën e saj, apo si ta quajmë ndryshe, një shenjë, e cila vërtet duket sikur është një kafshim.
Mund të garantojmë në njëfarë mënyre se është kafshim në qafë, por as se si të konfirmojmë nëse aty ka luajtur me dhëmbët e tij reperi Kanye West. Këtë e di vetëm Kim, ndërsa fotografia që po e shihni është bërë në një qendër tregtare dhe qëllojeni se me kë? Po pra, me ‘mikun’ e saj Kanye West.
Kim mohon të jetë në lidhje me Kanye West, por kënga e fundit e lansuar nga reperi aludon se çifti ka nisur një romancë. Këtu shtojmë dhe ankesat e të kaluarës nga ish e dashura e Kanye West, modelja Amber Rose, e cila e akuzonte shpesh Kim për ndërhyrje në lidhjen e saj. Tani Amber Rose është në lidhje me reperin Wiz Khalifa. 

Rexhepi: Vrasja në Mitrovicë tensionon gjendjen në veri

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se sulmi me eksploziv ndaj familjes shqiptare në lagjen e “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicë, mund ta tensionojë gjendjen në veri të Mitrovicës.
Ministri Rexhepi ka për Kosovapress se Njësia Specialiste dhe hetuesia është duke bërë hetimet lidhur me këtë sulm dhe se deri tash nuk ka të arrestuar.
Megjithatë, sipas tij nuk anashkalohen edhe motivet etnike të jenë qellim i sulmit.
Sulmin në Mitrovicë e kanë dënuar të gjitha subjektet partiake në Kosovë. Në një komunikatë të Qeverisë, thuhet se “Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Kosovës dhe nga organet e ndjekjes, që të bëjnë çmos që aktorët e këtij akti terrorist të kapen dhe të marrin dënimet e merituara nga ana drejtësisë. 

Murat Jashari, më i preferuari për President?

Me 29 për qind të votave, në mesin e tetë emrave në anketën elektronike “Kush do të jetë president i ardhshëm i Kosovës?”, Murat Jashari ka lënë pas Hashim Thaçin me 27 për qind, pastaj Albin Kurtin me 11 për qind, Adem Demaçin me 8 për qind, Atifete Jahjagën, Veton Surroin dhe Behgjet Pacollin me nga 7 për qind dhe në fund Sabri Hamitin me 4 për qind.
Anketa është bërë në mënyrë elektronike nga Kosovapress, nga siç thuhet 7 mijë respodentë. Ndërsa, ka qëndruar për më pak se një javë në dispozicion për t’u votuar.
I kontaktuar nga Kosovapress, Murat Jashari nuk ka dashur ta komentojë këtë “garë”, por ka falënderuar ata që e kanë votuar.
Analisti Behlul Beqaj ka një shpjegim pse Murat Jashari gjen rangimin më të lartë në anketa.
“Rangimi i Murat Jasharit reflekton gjendjen e pakënaqësisë të shumicës së qytetarëve me politikën e deritanishme”, thotë ai. “Mund të kuptohet edhe si shpresë që një personalitet i familjes së dëshmuar në baza kombëtare, patriotike, dhe një personalitet i arsimuar me tipare moderne, mund të paraqitet si strumbullar i interesave të shumta. Ky mund të jetë një argument që Murat Jashari ndoshta të ketë mbështetjen e shumicës edhe pse nuk është në struktura e nuk ka parti”.
Sa i përket kandidatëve nga shoqëria civile, Beqaj shprehet se gjasat janë të vogla për ta, sikurse edhe për kandidaten Aitifete Jahjaga. Sipas tij, krejt ata që nuk kanë mbështetje partiake, i kanë gjasat e vogla për të fituar.
“Shoqëria civile ka qenë më tepër bisht i pushtetit dhe nuk e ka lypë rolin që i takon. Nuk e kanë vetëdijesuar qytetarin që të vlerësojë kapacitetin intelektual dhe integral të kritereve të pavarur, por fuqinë e personalitetit e ka gjet tek ata liderë që kanë pushtet, e kjo nuk është ndëshkuar ende në Kosovë”, thotë ai.
Beqaj mendon se ndryshimet kushtetuese kanë qenë të domosdoshme, sikur që është i domosdoshëm edhe ndryshimi i qasjes politike të qytetarëve. Por, kjo e fundit, sipas tij, kërkon shumë kohë. 

Luis Enrique nuk mendon për largim

Trajneri i Romës, Luis Enrique, ka hedhur poshtë spekulimet se ai është duke e shqyrtuar largimin nga klubi pas humbjes nga Lecce, duke këmbëngulur se ideja për dorëheqje nuk është vërtitur në kokën e tij.
“Këto spekulime gjithmonë vijnë pas një disfate, por unë nuk kam thënë diçka. Dorëheqja as që është vërtitur në kokën time”.
“Unë jam i zhgënjyer, ashtu sikurse pjesa e mbetur e ekipit, por nuk do të flas me emra kush gaboi. Ne ishim të mirë, por që nga goli i parë i tyre ne nuk arritëm të ktheheshim, bëmë shumë gabime dhe unë pranoj përgjegjësinë për këtë”, është shprehur Enrique.

Karanka: Barca favorite për LK

Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, mendon se Barcelona do ta mbrojë titullin e kampionit të Evropës këtë sezon.
“Të gjithë mendojnë se Barcelona është favorite. Ata po luajnë shumë mirë dhe janë në gjysmëfinale. Edhe pse kanë rënë në formë këtë sezon, ata janë favoritët e mëdhenj”.
“Ne nuk kemi dyshime se kujt i përket vendi i parë në La Liga. Ne jemi këtu me punë dhe me shumë meritë. Ne nuk shikojmë të tjerët, ne ndjekim vetëm rezultatet e ekipit tonë”, ka deklaruar Karanka.

Puyol lëvdon ekipin

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, ka lëvduar ekipin Blaugran pas fitores së rëndësishme të arritur në ndeshjen ndaj Zaragozës.
“Ne e kemi ditur se Zaragoza po vjen nga forma e mirë. Për këtë arsye, ne kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme”.
“Ne kemi bërë punën tonë dhe tani presim çfarë bën Real Madridi. Ka edhe shumë futboll për t’u luajtur këtë sezon”, ka potencuar Puyol.

Silva: Ndeshja ndaj Arsenalit, sikur finale

Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, e ka quajtur udhëtimin te Arsenali të shtunën si finale, pasi në rast të disfatës, atëherë distanca me Manchester Unitedin do të rritej në tetë pikë.
“Tani për tani ne nuk po mendojmë për derbin ndaj United, por vetëm për ndeshjen ndaj Arsenalit, sepse është finale e vërtetë për ne dhe vetëm fitorja na kënaq”.
“Arsenali humbi ndeshjen e fundit në Ligën Premier, por ata kanë ecuri të mirë fitoresh së fundmi dhe do të jetë e vështirë të fitojmë në Emirates”, ka thënë Silva. 

Katy Perry bën muzikë të zezë

Pop ylli, Katy Perry, dëshiron të këndojë këngë ‘të zeza’ që prej ndarjes nga ish-bashkëshorti, Russell Brand.
Këngëtarja thotë se do të dëshironte aq shumë ta kthente kohën, pasi tani nuk do të martohej kurrë.
“Unë do të shfrytëzoja makinën e kohës për ta kthyer atë datë të martesës dhe për të thënë ‘jo’. Muzika ime ësht ëvërtet e zezë, e tillë do të jetë në vijim të karrierës time. Kurrë nuk do ta shihni fytyrën time, pasi flokët do ta mbulojnë”, është shprehur Perry.

Mata: Do ta eliminojmë Barcën

Asi i Chelseat, Juan Mata, mendon se nuk ka arsye që Blutë të frikësohen nga Barcelona para duelit gjysmëfinal që dukshëm po favorizohet për Blaugranët.
“Ata janë ekip i mrekullueshëm. Ata kanë lojtarët më të mirë në botë. Por, në futboll gjithçka është e mundur”.
“Ne duhet të jemi të saktë dhe t’i shfrytëzojmë rastet e të jemi kompakt dhe të mbrohemi si ekip. Duhet të jemi të bashkuar dhe të luftojmë deri në fund. Nga fillimi e kemi ditur se Barcelona dhe Reali janë favoritë”, është shprehur Mata.

Thiago: Reali nën presion

Mesfushori i Barcelonës, Thiago Alcantara, beson se Real Madridi tani është në presion të konsiderueshëm pas fitores së Blaugranëve ndaj Zaragozës të shtunën mbrëma.
“Ne gjithmonë duhet të punojmë shumë për të fituar në La Romareda. Ne kemi tri pikët shumë të rëndësishme për klubin. Ne nuk kemi frikë dhe jemi të gatshëm për secilin ekip në çdo kohë. Fatmirësisht, një gabim i portierit bëri që ne të ktheheshim shpejt në lojë”.
“Real Madridi duhet të punojë e të djersitet shumë dhe të vuajë për ta fituar titullin”, ka thënë Thiago.

Emery: Do ta ndalim Ronaldon

Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka këmbëngulur se ekipi i tij ka mundësi që të marrë një rezultat pozitiv në Bernabeu të dielën mbrëma, por tekniku i Los Che beson se Ronaldo duhet të ndalet.
“Ronaldo ka shënuar 35 gola dhe duhet të kujdesemi për të, pasi nëse ai ndalet, ndalet edhe Reali. Ne duhet të jemi optimist”.
“Ne kemi thënë se vendi i tretë nuk do të jetë i lehtë për t’u mbajtur, por ne besojmë në atë vend të tretë dhe në fuqinë tonë për të qëndruar aty, nuk kemi pse të frikësohemi. Ne e kemi prioritet qëndrimin në vendin e tretë”, ka thënë Emery. 

Vllasi: S’na intereson kush fiton në Serbi

Ish-funksionari i lartë nga Prishtina, thotë se Kosova nuk është e interesuar se kush do të fitojë në zgjedhjet në Serbi.
Vllasi ka shtuar se nuk pret që politika e Beogradit ndaj Prishtinës do të ndryshojë , pa marrë parasysh se kush fiton në zgjedhje.
"Serbia do ta të zgjedhë pushtetin siç e meriton, ndërsa ne do të shikojmë punët tona”, ka thënë Vllasi për gazetën novosadase Dnevnik.

Roberts: Të ndahet Kosova

Ish ambasadori britanik në Serbi, Ivor Roberts, thotë se për Kosovën duhet të gjendet zgjidhje e re pasi, sipas tij, më pak se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën.
Roberts tha se zgjidhja më e logjikshme do të ishte ndarja e Kosovës dhe që pjesa veriore mbi lumin Ibër t’i takojë Serbisë.
Ai bëri thirrje për një lloj të Kongresit të ri të Berlinit "në të cilin kufijtë e AVNOJ-it do të definohen sërish, për të krijuar shtete afatgjata dhe stabile”.
"Për ata që thonë se ky është regres dhe koncesion ndaj nacionalizmit, unë do të thosha se kjo është ajo që besimi në vetëvendosje ka ofruar në këtë rast. Nuk duket e arsyeshme t’i lejohet vetëvendosja Kosovës e jo pjesëve serbe në Kroaci e në Bosnje”, ka thënë Roberts për Politika të Beogradit.
Roberts ishte ambasadori britanik në Beograd nga viti 1994 deri në vitin 1997.

Shantazhi ndërkombëtar në Kosovë!

Klasa politike në Kosovë është e shantazhuar deri në maksimum nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj nevojitet vetëm një “kollitje” e vogël, qoftë edhe nga një zyrtar i ulët ndërkombëtar, që pothuajse secili politikan ta “tradhtojë” qëndrimin e tij.
Sipas Zërit, përveç shantazhimit, i cili kryesisht ka të bëjë me pasurimin e shpejtë të politikanëve - qofshin ata që aktualisht drejtojnë dikastere qeveritare, apo ata që “pushojnë” në opozitë - arsye tjetër që ndikon drejtpërdrejt në ndryshimin e qëndrimeve të politikanëve është ideja që në asnjë mënyrë të mos ua prishin “qejfin” ndërkombëtarëve, meqenëse një gjë e tillë do t’i largonte ata nga secila mundësi e arritjes në pushtet.
Presioni ndërkombëtar, së fundi është parë “live” në Kuvendin e Kosovës. Është dashur vetëm një fjalim që ka zgjatur më pak se pesë minuta nga një zyrtar amerikan, që t’i detyrojë të tërhiqen nga qëndrimet e tyre disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit që vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Për më tepër, presioni ka reflektuar edhe te pozita, e cila pas “vizitës” së zyrtarit amerikan është tërhequr nga debati për Ligjin për Banka dhe Institucione Mikrofinanciare, gjë për të cilën opozita e pati braktisur seancën.

One Direction – 5 gjërat që duhet t’i dini

Grupi britaniko-irlandez, “One Direction” e ka rikthyer për një moment atë përshtypjen dhe ‘maninë’ e grupeve të reja të djemve, teksa suksesi që ky grup është duke e shijuar kalon edhe kufijtë e Britanisë e për këta djem është dëgjuar edhe në vendin tonë, sidomos kur kemi të bëjmë me vajzat.
Bendi përbëhet nga Niall Horan (18), Zayn Malik (19), Liam Payne (18), Harry Styles (18) dhe Louis Tomlinson (20), ndërsa më poshtë keni pesë gjëra të cilat duhet patjetër t’i dini për One Direction.
1. Të kontraktuar nga Columbia Records, pesëshja është duke përjetuar sukseset thuase janë rikthyer për një moment kohërat e grupeve të djemve. One Direction është grupi i parë britanik në histori që arrin që me album debutues, në këtë rast albumi “Up All Night”, të qëndrojë në vendin e parë të Billboard Top 200 charts.
2. Na vjen keq vajza! Anëtari i bendit, Tomlinson është edhe zyrtarisht jashtë ‘tregut’, pasi është në lidhje me master të politikës dhe sociologjisë pranë Universitetit të Mançesterit, Eleanor Calder. “Ajo është disa vjet më e moshuar, por djemt mendojnë se ajo është një verzion femëror i Louis Tomlinsonit”, kishte theksuar një burim i The Sun. Djemt tjerë janë ‘single’.
3. Ata kishin rastin për t’u bashkuar. Siç dihet ata janë zbuluar në X Factor-in britanik dhe aty konkurrohet si artistë solo, por djemt e One Direction ishin vënë së bashku me kërkesë të juristes Nicole Scherzinger. Pas suksesit të madh dhe zbulimit të madh të bërë nga Scherzinger, producenti i X Factor, Simon Cowell u ofroi kontratë me shtëpinë e tij diskografike të cilën ata e nënshkruan dhe e cila u lejoi të shijojnë turneun britanik dhe tani edhe turneun amerikan.
4. Anëtari i bendit, Payne, largoi veshkën para se të shijonte suksesin. Si fëmi, atij ia larguan veshkën në tentim për t’ia shpëtuar jetën. “Unë nuk pi alkool, për shkak se kam vetëm një veshkë. Unë sapo kam festuar 18 vjetorin e lindjes dhe as për ditlindje nuk kam pirë. Është një zgjedhje për të qenë i sigurt”, theksoi Payne.
5. Edhe pse ata tashmë veç janë në turne në Amerikë, një prej më të adhuruarve nga vajzat, Zayn Malik, nuk ka refuzuar që të fshehë idhujt e tij muzikorë. Në fakt, ai është fans i madh i Justin Timberlake! “Simpatia ime mashkullore...ndoshta...Justin Timberlake. Ai është djal i mirë”, ka theksuar Malik. 

BBA: Largohet Lorena, Arbri dhe Meti në nominim

Dy prej banorëve nga Kosova në reality shou, Big Brother Albania, do të jenë në nominim për këtë javë, kemi të bëjmë me të dashurin e publikut Metin dhe me favoritin për çmimin e madh, Arbrin.
Djemve kosovarë do t’u bashkohen Erioni dhe Edgari, duke përbërë kështu një katërshe të jashtëzakonshme që do të luftojnë për qëndrimin në shtëpi.
Nga ana tjetër, pos shumë befasive për banorët në spektaklin e të shunës, vlen të përmendet se nga shtëpia është larguar Lorena. 

Sërish spekulime për ‘lidhjen’ mes Rihanna e Drake

Rihanna dhe Drake i kanë mohuar disa herë spekulimet se janë në lidhje, mirëpo pas lansimit të videoklipit të tyre, “Take Care”, thashethemet kanë rifilluar.
Në pjesë të caktuara të klipit, këngëtarja dhe reperi përqafohen dhe përkëdhelen, gjë që u ka dhënë arsye mediave të spekulojnë.
Fjalët janë përhapur, pasi regjisori i videos, Yoann Lemoine, kohë më parë ka deklaruar se e ka pasur të lehtë të punojë me Rihannan dhe Drake, sepse ata janë “shumë të afërt” dhe se një raport i tillë i është dashur për produktin final.

A jeni të varur nga telefoni

Anketa e re britanike ka treguar që madje 66 për qind e njerëzve i tmerron ideja që të mbesin pa tele¬fon. Po ashtu, 41 për qind e për¬doruesve të telefonit kanë dy apo më shumë telefona “për çdo rast”, ndërsa përdoruesi mesatar 34 herë në ditë kontrollon nëse e ka apo jo telefonin në dorë.
Madje 66 për qind të njerëzve i tmerron ideja që mund të mbesin pa telefon, ndërsa për shkak të pop-hiteve irrituese që i përdorim si melodi në telefon bie koncentrimi.
Nuk e kanë telefonin në duar, fillojnë t'u dridhen duart, t'u merren mendtë dhe të marrin frymë rëndë. Ata janë të sëmurë nga nomofobia (vjen nga fraza “no mobile”), sëmundja e cila po përhapet si epidemi.
Edhe pse nomofobia ende nuk gjendet në listën zyrtare të sëmundjeve, simptomat e saj mund të jenë shumë të pakëndshme: pulsi i shpejtuar, dhimbjet në gjoks, të përzierat, marramendja, të ngjethurat, frymëmarrja e vështirësuar, pikërisht si tek sulmi klasik i panikut.
Për shkak të varësisë nga telefonat, njerëzit jo rrallë harrojnë rregullat e bontonit, prandaj telefonat shpesh dinë të cingërojnë edhe në teatër, kinema dhe ligjërata. Atëherë nuk është e mjaftueshme që telefonin ta bëni “silent”, por më mirë do të ishte që ta fiknit tërësisht.

Hurma ka më shumë kalium se banania

Përveç që janë të ëmbla dhe të shijshme, hurmat e qetësojnë kollitjen, i pengojnë ngërçet, ndihmojnë zorrët dembele dhe i zbusin flokët.
Kundër zorrëve dembele 
Falë sasisë së madhe të fijezave, hurmat kanë ndikim pozitiv në muret e zorrëve dhe e nxisin zbrazjen e tyre. Personat që vuajnë nga kapsllëku, së pari ato duhet t’i ulin në pak ujë të nxehtë (5-6 copë), të lihen të ftohen dhe pastaj të përtypen mirë. Në fund duhet pirë një gotë ujë. Kjo duhet të bëhet në mëngjes (në të esëll) dhe në mbrëmje. Hurmat konsiderohen si pemë e cila e nxit qitjen e sekretit dhe me këtë zbusin pezmatimet e rrugëve të frymëmarrjes. Për këtë qëllim duhet përdorur hurma të thata, e edhe më mirë është nëse bëhen shurup: dhjetëra hurma qiten në gjysmë litri ujë, ziejnë dhjetë minuta. Nga kjo sasi pihen nga dy lugë, disa herë në ditë.
Hurma i forcon aftësitë mentale
Hurmat janë të pasura me kalori, prandaj duhet përdorur në sasi të kufizuara dhe të keni aktivitete të mjaftueshme trupore, në mënyrë që të harxhohet teprica e energjisë. Në sasi të vogla ndërmjet dy shujtave, hurmat janë ideale për “punëtorë shkencorë”, për studentë dhe për nxënës.