Pas sulmit të sotëm me një mjet shpërthyes në banesën e familjes Haradinaj, me ç'rast humbi jetën kryefamiljari, Selveri, kurse lëndime morën anëtarët e tjerë të familjes, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i ka deklaruar RTK-së se ka urdhëruar vendosjen e një pike statike policore në veri të Mitrovicës, në lagjen “Te tre rrokaqiejt”.
Për shkak të pasigurisë si pasojë e provokimeve, incidenteve dhe sulmeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe në veri, banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kaherë kishin kërkuar vendosjen e një pike statike policore në këtë pjesë të qytetit.
Por autoritetet e rendit deri tash nuk e kishin parë të udhës t’i përgjigjen kërkesës së banorëve, që kërkonin më shumë siguri.