Mustafa: Kushtetutshmëri në tërë vendin

Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prillit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një mesazh urimi për qytetarët e vendit, veç tjerash kërkon që kushtetutshmëria të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.

“Është obligim yni i përgjithshëm, i institucioneve, partive politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve të vendit, që të punojmë me të gjitha kapacitetet për shtrirjen e kushtetutshmërisë në të gjithë vendin. Kosova është unike dhe rendi i saj kushtetues është unik për tërë territorin e Republikës”, ka thënë Mustafa.
Në mesazhin e tij kreu i LDK-së ka kritikuar Qeverinë për ndërhyrje në punët e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që një praktikë e tillë të ndërpritet.
“Respekti i Kushtetutës së Republikës dhe zbatimi i obligimeve që dalin prej saj, do të mundësojë që udha jonë drejt integrimeve euroatlantike të përshpejtohet. Prandaj, LDK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal që në punën e tyre gjithmonë t’i kenë parasysh obligimet që kanë para Kushtetutës dhe vendit. Në këtë kontekst, LDK-ja kërkon nga sistemi i drejtësisë që t’i shtojë përpjekjet për zbatimin e detyrimeve, të cilat dalin nga Kushtetuta, në të gjitha hallkat e sistemit tonë shtetëror”, thuhet në mesazhin e Mustafës.