Sulmin me mjet shpërthyes ndaj një familje shqiptare në veri të Mitrovicës, në të cilin humbi jetën një qytetar, e kanë dënuar Presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët kanë kërkuar kapjen e autorëve të këtij akti kriminal.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e dënon sulmin me mjet shpërthyes, në një banesë private, në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë, me ç’rast është vrarë një qytetar i Kosovës dhe është lënduar familja e tij.
Aktet e këtilla të dhunshme dhe sulmet janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit. Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës dhe në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.
Ndërsa në reagimin e lëshuar nga kabineti i kryeministrit, thuhet se ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt.
“Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Kosovës dhe nga organet e ndjekjes, që të bëjnë çmos që aktorët e këtij akti terrorist, të kapen dhe të marrin dënimet e merituara nga ana drejtësisë”, thuhet në reagim.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dënoi aktin kriminal ndaj familjes Haradinaj në lagjen e Tre Rokaqejve në Mitrovicë.