Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka reaguar lidhur me incidentin që ndodhi sot në veri të Mitrovicës, ku humbi jetën një qytetar shqiptar dhe u lënduan anëtarët e familjes së tij.
“Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin në të cilin humbi jetën Selver Hajradinaj në Mitrovicë sot herët në mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij. Kuptova nga EULEX-i se po zhvillon hetime të përbashkët me autoritetet kosovare. Shpresoj se ky hetim do të kryhet shpejt e me sukses. Ndërkohë, do të apeloja te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe ta lënë rastin në duart e policisë”, thuhet në deklaratën e Zbogar.