Mesha e Pashkëve u shërbye në Prizren

Vënia në shërbim të së mirës, të drejtës dhe dashurisë, sikurse edhe ofrimi i përkrahjes për njëri tjetrin janë vlerat që shoqëria kosovare duhet t'i përqafoj dhe mos të lejoj që të mirat të përdoren vetëm për qëllimet e grupeve ose të individëve të caktuar, ka porositur të dielën Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji, pas shërbimit të meshës së Ditës së Pashkëve, në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, ku ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kreu i Kishës Katolike të Kosovës në këtë ditë të veçantë për besimtarët krishterë ka përçuar mesazhin e paqes e dashurisë për qytetarët e vendit dhe i ka ftuar ata që të jetojnë në shërbim të kombit, në mënyrë që duke e ndihmuar njëri-tjetrin të mundësojnë përballimin e vështirësive të kohës dhe arritjen e të mirave që i ka falur Zoti për njerëzimin, raporton Koha.net.
"Një shoqëri e cila dëshiron të jetoj në paqe, të jetë në shërbim të kombit dhe të njerëzve, ajo duhet që në të gjitha poret e veta të vë përgjegjësinë, të vë të drejtën, të vë dashurinë dhe të vihet në shërbim të së mirës dhe jo të sundoj ose të përdor të mirat vetëm për qëllime të caktuara të grupeve ose individëve", ka thënë Gjergji.