Shantazhi ndërkombëtar në Kosovë!

Klasa politike në Kosovë është e shantazhuar deri në maksimum nga bashkësia ndërkombëtare, prandaj nevojitet vetëm një “kollitje” e vogël, qoftë edhe nga një zyrtar i ulët ndërkombëtar, që pothuajse secili politikan ta “tradhtojë” qëndrimin e tij.

Sipas Zërit, përveç shantazhimit, i cili kryesisht ka të bëjë me pasurimin e shpejtë të politikanëve - qofshin ata që aktualisht drejtojnë dikastere qeveritare, apo ata që “pushojnë” në opozitë - arsye tjetër që ndikon drejtpërdrejt në ndryshimin e qëndrimeve të politikanëve është ideja që në asnjë mënyrë të mos ua prishin “qejfin” ndërkombëtarëve, meqenëse një gjë e tillë do t’i largonte ata nga secila mundësi e arritjes në pushtet.
Presioni ndërkombëtar, së fundi është parë “live” në Kuvendin e Kosovës. Është dashur vetëm një fjalim që ka zgjatur më pak se pesë minuta nga një zyrtar amerikan, që t’i detyrojë të tërhiqen nga qëndrimet e tyre disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit që vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Për më tepër, presioni ka reflektuar edhe te pozita, e cila pas “vizitës” së zyrtarit amerikan është tërhequr nga debati për Ligjin për Banka dhe Institucione Mikrofinanciare, gjë për të cilën opozita e pati braktisur seancën.