Kiameti i Murgullës

Ka dy ditë që diçka e pazakontë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë, është duke ngjarë në fshatin Murgullë të Podujevës. Ky fenomen ka nisur t’i shqetësojë banorët e asaj zone.

Dymbëdhjetë familje që përbëjnë fshatin Murgullë, kanë filluar të besojnë se janë të parët që po përjetojnë fundin e botës, shkruan Express.
Ata nuk e dinë se kush ka thënë se ky vit mund të jetë fundi i botës, por vetëm se e dinë që e kanë dëgjuar diku. Që bindja e tyre të jetë edhe më e thellë, tash provën e saktësisë e kanë në malin përballë. Si për ta vërtetuar këtë, nga e premtja, ata thjesht duhet të ngjiten në këtë kodër.
Brenda një nate, në këtë kodër, toka është çarë në gjatësi prej rreth 50 metrash dhe me gjerësi prej rreth një metri. E që besimi i tyre të shtohet edhe më shumë, në atë të çarë ka nisur të dalë ujë nga nëntoka. Të parët që e vërejtën këtë ndodhi ishin fëmijët, të cilët ua dhanë lajmin edhe burrave të fshatit. Lajmi u përhap shpejt.
Kjo i ka frikësuar shumë banorët, që lajmëruan edhe policinë. Forcat e sigurisë premtuan se të shtunën do të shkojnë me ekipe gjeologësh. Por, në këtë ditë pushimi atje nuk u duk askush. Krejt çfarë besojnë fshatarët, është se kjo e çarë ka lidhje me shenja të kiametit.