Me dhomë antikorrupsion

Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Pecit nuk i ka pëlqyer dorëzimi i dosjes së Nazmi Mustafit në EULEX, pas hetimeve të kryera nga prokurori kosovar. Ai beson se edhe vendësit kanë guxim të merren me raste të profilit të lartë. Tash e tutje çështjet e tilla, gjyqësori do t’i trajtojë në Dhomën e Veçantë e cila pritet të themelohet.

Gjithmonë u duhet ndihma e të huajve, për raste të rënda. Prokurorët e Kosovës duket se nuk po janë të zotë që t’i çojnë vetë deri në fund rastet e personave të dyshuar, e që janë të niveleve të larta. Kjo u pa hapur me rastin e arrestimit të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi.
Ndonëse ishte hetuar për më shumë se një vit nga një koleg i tij, në fund, Prokurori i Shtetit publikisht pranoi se rastin ua la në dorë të huajve. Kështu, urdhri për arrestimin Mustafit u dha nga EULEX-i, ndonëse tërë punën e kanë bërë vendorët. Megjithëkëtë, kjo praktikë premtohet se do të ndryshohet. Së paku kështu tha Aleksandër Lumezi, kryeprokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, shkruan Express.
Në një debat në televizionin publik, ai publikisht tha se vartësit e tij pritet që shumë shpejt të ngrenë dy aktakuza ndaj figurave me profil të lartë publik. Por edhe në këtë rast ky është vetëm një premtim që duhet pritur për të parë nëse do të mbahet.
Pavarësisht se vetë rrallë merren me persona të nivelit të lartë që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion, institucionet e drejtësisë shmangien e tyre nuk e konsiderojnë paaftësi, por thonë se e kanë bërë me qëllim që askush të mos jetë dyshues.