Cazorla: Jemi të paqëndrueshëm

Mesfushori i Arsenalit, Santi Cazorla, thotë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të largojnë paqëndrueshmërinë në rezultate, në mënyrë që të luftohet për titull në Ligën Premier. “Nuk e dimë ku është problemi. Është e vërtetë se nuk jemi të paqëndrueshëm. Unë besoj se ne mund të luftojmë për titull, por ndeshje të tilla ndaj klubeve të nivelit mesatar nuk duhet që t’i lëshojmë”. “Shikoni ndeshjen ndaj Fulhamit. S’mund të jetë rezultati i barabartë pas pesë minutave. Këto pikë nuk do të kthehen më. Më pas edhe ndaj Aston Villas barazuan. Nuk mund të kuptoj, duhet gjithsesi të reagojmë ndaj kësaj situate”, ka thënë Cazorla.

Benitez: Lampard dhe Cole mund të qëndrojnë

Menaxheri i përkohshëm i Chelseat, Rafael Benitez, ka konfirmuar se është i pasigurt për të ardhmen e Lampard dhe Ashley Coles, duke thënë se ata edhe mund të qëndrojnë, por edhe mund të largohen. “Kur jam pyetur një ditë pas deklaratës time, e kuptova se është keqkuptuar nga anglishtja ime, që nuk është e mirë, por situata e tyre është se janë në përfundim të kontratave. Më shumë se kjo nuk e di”. “Nuk mund të them po ose jo, nuk e di nëse ata do të largohen në janar apo në fund të sezonit. Në këtë moment nuk di asgjë”, ka thënë Benitez. Benitez në tri ndeshjet e para me Chelsean ka dy barazime dhe një humbje.

Kosova ka përparësi për investitorët turq

Në Samitin Ndërkombëtar të Ballkanit të mbajtur në Bursa të Turqisë, në një takim me zëvendëskryeministrin e turk, Bulent Arinc dhe para të ftuarve tjerë, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se reformat e të bërit biznes në Kosovë duhet të ju shërbejnë bizneseve turke që ta shohin Kosovën si vend me përparësi për investime në rajon. “Siç ka treguar raporti i fundit i Bankës Botërore për të bërit biznes, Kosova është duke bërë reforma të thella ekonomike në këtë fushë. Bizneset turke janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë dhe duhet ti shohin këto reforma si përparësi në investimet e tyre në rajon”, ka thënë Kusari – Lila, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga MTI. Ministrja Kusari Lila tha po ashtu që investitorët turq duhet ta kenë të qartë që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Turqisë kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm ekonomik. “Ekonomikisht, Qeveria e Kosovës e trajton bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona si të veçantë për shumë arsye. Si rezultat, kompanitë turke janë pjesë e projekteve më të mëdha në Kosovë, autostradës së re e cila sapo është lëshuar në qarkullim dhe aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës i cili i është dhënë me koncesion një kompanie turke”, tha Kusari Lila. Tregtia në mes Kosovës dhe Turqisë, sipas saj, është duke u forcuar dhe se kjo është shenjë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ekonomik në mes vendeve tona. “Ne kemi nënshkruar marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve dhe para disa muajsh kemi filluar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes Kosovës dhe Turqisë. Turqia po ngritet në listën e partnerëve tanë kryesorë tregtar dhe investimet turke në Kosovë po rriten gradualisht. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Turqisë janë dyfishuar prej 100 milion, në 2007, në rreth 200 milion në fund të vitit 2011. Këto janë tregues të qartë për lidhjet e fuqishme në mes dy shteteve tona dhe unë shpresoj që ato do të forcohen edhe më tutje”, ka thënë ministrja Kusari- Lila. Zëvendëskryeministri i Turqisë Bulent Arinc tha që Turqia ka interesa në Ballkan dhe është e interesuar që rajoni të prosperojë sa më shumë. “Asgjë nuk është më normale për Turqinë sesa të tregojë interes për Ballkanin me të cilin ne ndajmë lidhjet të thella historike, kulturore dhe humanitare. Turqia nuk ka prioritet tjetër sesa të shoh kombet e Ballkanit të prosperuara dhe të lumtura. Sukseset dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit është përbashkët.”, tha ai. Zëvendëskryeministri Arinc shprehu edhe përkrahjen për vendet e rajonit në proceset euroatlantike. “Ne besojmë që paqja dhe stabiliteti i rajonit janë faktorë të rëndësishëm për këto vende të cilat janë dëmtuar shumë nga luftërat. Për këtë arsye ne përkrahim perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit dhe anëtarësimin e tyre në NATO”, përfundoi ai. Samiti ndërkombëtar për Ballkanin që po mbahet në Bursa është organizim për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në mes të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë si dhe të promovojë mundësitë e investimeve dhe bizneseve të reja në rajon.

Nuk ka evidenca për dëmet e luftës

Ndonëse kanë kaluar 13 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet saktësisht se sa janë dëmet e luftës të shkaktuara nga Serbia, para dhe gjatë luftës së vitit 1999. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1998 dhe 1999, përveç vrasjeve, dhunimeve, shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve dhe maltretimeve në forma të ndryshme, regjimi serb shkatërroi në masë të madhe edhe pronat e shqiptarëve. Ndër zonat më të shkatërruara gjatë luftës konsiderohen zona e Drenicës, Dukagjinit, por edhe zonat tjera në mbarë vendin. Shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës nuk u morën me vlerësimin e dëmeve, por pas shumë vitesh, disa prej tyre vendosën të kërkojnë kompensimin e tyre. Njëri ndër ta është Brahim Gjaka nga fshati Oshlan i komunës së Vushtrrisë, i cili në vitin 2010 ka bërë kërkesë-padi për dëmshpërblim. “Kërkesën që e kam bërë për dëmshpërblim, për tri shtëpi, për bagëti, traktor, objektet tjera jashtë banimit, si stalla, e kam përfshirë edhe pjesën e ushqimit të shtazëve, pastaj drithërat, grurin, misrin, elbin, tërshërën, e kam futur edhe vjedhjen dhe plaçkitjen që e kanë kryer serbët gjatë vitit 1998 dhe ’99. atë vlerë që unë e kam paraqitë ka qenë rreth 350 mijë euro”, tha Gjaka, transmeton RTK. Me qëllim të adresimit të çështjeve që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, në vitin 2008 është themeluar shoqata “Ngritja e zërit” me seli në Skenderaj, e përbërë nga avokatë dhe juristë profesionistë. Kjo shoqatë, pavarësisht vështirësive materiale dhe mungesës së fondeve, ka arritur të hartojë shumë padi për qytetarë të 12 komunave, tërësisht falas, thotë përfaqësuesi i shoqatës, Jahir Bejta. “Ne kemi hartuar 800 padi, dhe të njëjtat i kemi dërguar në gjykatat komunale, varësisht qytetari cilës komunë i përket. Shumica e padive janë nga territori i komunës së Skenderajt, por edhe komunat tjera, 12 sosh. Paditë e para i kemi dorëzuar nëpër gjykata në muajin mars 2012 dhe prej atëherë deri më tani nuk ka asnjë përgjigje të mirëfillta, me prova relevante, shumica janë të komunës së Skenderajt, por ka edhe të 12 komunave tjera”, thotë Bejta. Sipas Bejtës në aplikacion kanë paraparë të pasqyrohen humbjet, qoftë në aspektin human, si vrasjet, dhunimet, burgosjet etj, po ashtu edhe në atë material, dëmtimin e shtëpive, fondeve bujqësore etj. Ndërkohë, grupi i ekspertëve “E15” ditë më parë ka kërkuar nga institucionet vendore që gjatë bisedimeve me autoritetet e Serbisë, të angazhohen edhe për zgjidhjen e këtij problemi, duke thënë se sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, kompensimi i dëmeve është një e drejtë e patjetërsueshme. Dëmet materiale vlerësohen në miliarda euro, si ndaj sektorit privat, po ashtu edhe ndaj atij publik.

Pa depo doganore

Drejtuesit e Doganës së Kosovës po planifikojnë t’i mbyllin thuajse të gjitha depot doganore, pasi disa kompani i kanë shfrytëzuar këto depo për ta shtyrë afatin e pagesave. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit ankohen se dogana në mungesë të kapaciteteve monitoruese, po i mbyll depot. Doganës së Kosovës nuk po i pritet që bizneset t’i paguajnë taksat. Të gjithë importuesit që deri më tani kanë mundur ta sjellin njëherë mallin në Kosovë e pastaj t’i paguajnë detyrimet doganore varësisht nga sasia e shitur, rrezikojnë ta humbin këtë të drejtë. Dogana e Kosovës u ka dërguar letër afro 160 ndërmarrjeve që kanë depo doganore se nuk ka arsyeshmëri ekonomike të vazhdohet më kështu. “Ju njoftojmë se ky është një njoftim paraprak para se të merret vendimi definitiv për ndërprerje të autorizimit me qëllim që ju të merrni masa që në një periudhë sa më të shkurtër të filloni me pagesën e taksave për mallin e deponuar ose t’i jepni trajtim tjetër të lejuar doganor”, thuhet në shkresën e doganës dërguar bizneseve, shkruan Express. Në praktikë, deponimi doganor krijon mundësin e vendosjes së mallrave nën mbikëqyrje doganore në një vend të autorizuar nga Dogana e Kosovës (Depo Doganore), pa pagesën e detyrimeve të importit, pra do të shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ato plasohen në treg. Kur ato të dalin në treg, atëherë kompania duhet t’i paguajë detyrimet doganore për atë sasi të mallrave të plasuar në treg. Gjithashtu jep mundësinë e ri-eksportimit të mallrave në ndonjë treg të huaj, pa ndonjë ngarkesë të detyrimeve. Por, sipas zyrtarëve të doganës, bizneset nuk janë duke e respektuar këtë të drejtë në përpikëri. “Depot doganore kanë lëvizur nga qëllimi kryesor. Disa kompani i kanë shfrytëzuar depot për t’i shtyrë pagesat doganore dhe për këtë arsye do të mbyllen”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave.

Përsëritet tenderi për autostradën drejt Shkupit

Ministria e Infrastrukturës ka rihapur garën për kontraktimin e këshilltarit të transaksionit për ndërtimin e “Rrugës 6”, autostradës Prishtinë-Han i Elezit. Për dallim nga tenderët e kaluar të shpallur për të njëjtin qëllim, ministria ka futur në një “pako” dy procedura tenderuese, atë për këshillime për procesin e kontraktimit të kompanive ndërtuese dhe procedurën për kryerjen e transaksioneve për të njëjtin projekt, shkruan Koha Ditore. Në vendimin për rihapje të procedurës tenderuese thuhet se puna që duhet të ndërmerret nga këshilltari ka të bëjë me ofrimin e ndihmës për Qeverinë Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës në implementimin e procesit të prokurimit për caktimin e një kompanie ose konsorciumi të kompanive për të ekzekutuar projektin e zgjeruar të autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

San Salvador, sfilatë mode në burg (Foto)

Jeta vazhdon normalisht edhe pas hekurave të një burgu.
Këto janë disa të burgosura në një nga burgjet e San Salvador, të cilat mundohen të argëtohen brenda mundësive që kanë.
Këtu ato janë duke u përgatitur për një sfilatë mode brenda ambienteve të burgut.

Apple, prodhuesi i dytë i telefonave në SHBA

Gjiganti amerikan i teknologjisë dhe prodhuesi i telefonit më të famshëm në botë, iPhone, kompania Apple ka rrëmbyer vendin e dytë në tregun e prodhuesve të telefonave të thjeshtë dhe atyre të mençur në SHBA, thuhet sipas raportit të fundit të comScore. Samsung ka mbajtur pozitën e liderit të tregut me 26.3 për qind të bazës së përdoruesve të telefonave mobil në Amerikë, e përcjell nga Apple e cila mban 17.8 për qind të tregut, duke e tejkaluar rivalin LG, e cila ka mbetur për .2 pikë prapa prodhuesit të famshëm amerikan, i cili ia ka zënë vendin e dytë tani. Apple ka fituar 1.5 për qind për tre muaj, duke filluar prej muajit gusht e deri në tetor, periudhë e cila përfshin edhe lansimin e iPhone 5. Në anën tjetër, LG, Motorola dhe HTC kanë rënë me pjesëmarrjen e tyre në treg, për .8, .2, dhe .4% respektivisht. Në muajin prill të këtij viti, Apple kishte lënë pas rivalin Motorola për tu ngjitur në vendin e tretë në radhitje, ndërsa tani “viktima” e saj e radhës ka qenë LG.

E ardhme e paqartë për kërkimet në Google

Përfaqësuesit e rregullatorëve antitrust për Evropë dhe SHBA, Joaquin Almunia dhe Jonathan Leibowitz, do të takohen të hënën për një diskutim që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e motorit më të madh të kërkimit në botë, kompanisë Google, për të marrë një vendim nëse do të merren vesh me gjigantin amerikan të teknologjisë apo për ta paditur atë lidhur mbi dominimin e saj në treg. Komisioni Evropian dhe Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) janë duke e hetuar kompaninë Google për më shumë se 18 muaj, ndërsa po përpiqen për të vendosur se çfarë veprimi duhet marrë lidhur me pozitën e saj të monopolit të dukshëm në kërkimet në internet si dhe në kërkimet që lidhet me reklamat. Rregullatorët janë duke menduar për masa të cilat do të aplikohen në të dyja anët e Atlantikut. Nëse të dy rregullatorët veprojë kundër saj, Google me siguri se do të jetë e detyruar të përmbush kërkesat dhe të modifikojë mënyrën se si i tregon rezultatet e kërkimit në internet, që të mos i favorizojë shërbimet e veta mbi ato të rivalëve. Google është kritikuar nga konkurrentët e saj, duke përfshirë rivalin kryesor Microsoft, lidhur me shfrytëzimin e pozitës dominuese të kësaj të parës për të favorizuar shërbimet e veta si Google Shopping ndaj atyre të konkurrencës. Google është përgjigjur duke thënë se kompania vetëm i është përgjigjur kërkesës së përdoruesve të saj, dhe se rivalët e Google janë vetëm një klik larg përdoruesit.

Ushqimi që lufton kancerin, lufton edhe shtimin e peshës

Qendra për Kancer MD Anderson pranë Universitetit të Texasit thotë që lista e saj e artikujve ushqimorë u ndihmon njerëzve të shmangin shtimin e peshës duke blerë ushqimet të cilat e luftojnë kancerin. Mary Ellen Herdon eksperte e dietës në MD Anderson, u rekomandon njerëzve që të shfrytëzojnë listën e ushqimeve për të gjetur artikuj më të shëndetshëm derisa bëjnë pazar për festa, raporton UPI. "Njerëzit kanë tendencë të fitojnë peshë gjatë muajve të ftohtë, sepse qëndrojnë më shumë brenda, janë më pak aktivë dhe hanë më shumë ushqim me kalori", deklaroi Herdon. "Shtimi i pashëndetshëm i peshës është shumë i dëmshëm për shëndetin dhe e bën të pamundur që trupi juaj të luftojë sëmundjet siç është kanceri". Herdon sugjeron që meshkujt duhet të orientohen nga shujtat me jo më shumë se 500 kalori dhe femrat të hanë ushqim deri në 400 kalori për shujtë. "Ushqimet bimore janë të mbushura me përbërës që luftojnë kancerin. Pra, sigurohuni të keni dy të tretat e pjatës suaj të mbushur me perime, fruta, drithëra të plota apo fasule", ka këshilluar Herdon. "Në pjesën e mbetur të pjatës suaj, zgjidhni mish ose proteina bimore". Mbajtja e një diete të pasur me bimë, plot fruta, perime, drithëra të plota dhe fasule dhe të qenit fizikisht aktiv janë mënyrat më të mira për të reduktuar rreziqet nga kanceri, përfundoi Hemdon.

Intuita mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve të duhura

Tashmë me shekuj shkencëtarët tentojnë të kuptojnë pse njerëzit zgjedhin një rrugë nga një tjetër dhe si në mes numrit të madh të zgjedhjeve bëjnë atë për të cilën konsiderojnë që është më e mira. Marrja e vendimeve është pjesë e pashmangshme e jetës njerëzore dhe është ndër më misteriozet. Gjatë një hulumtimi, profesor Marius Usher nga Universiteti në Tel Aviv ka zbuluar që intuita është armë jashtëzakonisht e fuqishme dhe precize. Kur është dashur të bëjnë zgjedhjen në mes dy opsioneve duke u mbështetur vetëm në instinkt, vullnetarët kanë bërë zgjedhjen e duhur në madje 90 për qind të rasteve. Madje edhe në nivelin intuitiv një nga pjesët më të rëndësishme të procesit të marrjes së vendimit është integrimi i vlerave ose marrja parasysh e të gjithë faktorëve pozitiv dhe negativ të çdo opsioni për t'u krijuar pamja komplete. "Hulumtimi ka treguar që njerëzit kanë aftësi të jashtëzakonshme për t'i vlerësuar intuitivisht opsionet, çka çon deri te përfundimi që truri ka sistemin i cili specializohet për vlerësimin e vlerës", ka thënë Usher. Eksperimenti është përbërë nga ndryshimi i shpejtë i numrave në pjesën e majtë dhe të djathtë të monitorit. Numrat kanë paraqitur fitimet në tregun e aksioneve. Vullnetarët është dashur të zgjedhin grupin me përfitimin më të madh. Pasi që numrat kanë ndryshuar shumë shpejt, vullnetarët nuk kanë pasur kohë për të mbajtur mend shumën e parave të fituara por është dashur të mbështeten te instinkti gjatë vendimit. Vullnetarët kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme të llogaritjes instinktive dhe saktësia e tyre është rritur proporcionalisht me informatat që i kanë marrë. Kur u janë treguar vetëm gjashtë çifte numrash, saktësia e tyre e zgjedhjes së shumës më të madhe të parave ka përbërë 65 për qind, ndërsa kur u janë treguar 24 çifte numrash, saktësia ka qenë 90 për qind.

Tyson: E gjeta gruan në shtrat me Brad Pittin

Legjenda e gjallë e boksit botëror, Mike Tyson, ka treguar për mediat amerikane se si e ka gjetur aktorin e njohur Brad Pitt në shtrat me bashkëshorten e tij Robin Givens. Momenti kur Tyson e zuri në vepër Givensin ishte gjatë kohës kur ata po divorcoheshin dhe ai papritmas vendosi të kthehej në mbrëmje në shtëpinë e bashkëshortes, kur e kishte parë befasinë që e priste në dhomën e fjetjes. “Ne ishim duke u divorcuar, por nuk ka pasur ndonjë natë kur nuk bënim seks. Secilën ditë unë shkoja në shtëpinë e saj dhe bënim seks, por një ditë dikush u tregua më i shpejt se unë dhe ai ishte Brad Pitt. Isha i inatosour, por nuk reagova, pasi atë kohë isha i përfshirë në shumë probleme me kokainë dhe gjëra tjera”, ka thënë Tyson. Mike Tyson është i lumtur me bashkëshorten e tij nga martesa e tretë, Lakiha Spencer, teksa ka lënë pas të gjitha problemet që i ka pasur në jetë.

Lojërat Olimpike, momenti më nevrik për Emeli Sande

Momenti më nevrik për Emeli Sanden ka qenë performanca e saj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, por kur filloi të këndonte ajo është ndjerë e qetë. Ajo thotë se ishte ndjerë me fat që performoi në dy ceremonitë hapëse të Lojërave Olimpike, që janë shikuar nga miliona njerëz anë e mbanë botës, ndërsa ajo ishte tejet nervoze para momenteve të saj të mëdha në karrierë. “Momenti më i mirë i vitit ishte kur dola të këndoj këngën “Abide With Me” në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Ishte moment i madh për karrierën time dhe momenti më nevrik në jetën time, jo vetëm gjatë vitit. Unë më pas jam ndjerë e qetë dhe nuk e pata problem. Nuk keni mundur të shihni njerëz, vetëm drita”, ka thënë Emeli Sande.

Argjentina, tash duet me Florin

Argjentina Ramosaj ka paralajmëruar realizimin e një dueti me kantautorin nga Shqipëria, Flori Mumajesi. “Jemi duke punuar një duet me Flori Mumajesin, është një baladë shumë e bukur, besoj do të lansohet para Vitit të Ri”, ka treguar këngëtarja në një intervistë për Panorama. Sa i përket duetit të dështuar me Vedat Ademin, ajo ka thënë: “Unë Vedatin e kam shumë mik të mirë dhe e vlerësoj shumë si artist". "Ka pasur disa mosmarrëveshje dhe bashkë me labelin tim vendosëm të ndërpresim duetin”.

Rihanna paralajmëron këngën e re

Këngëtarja mjaft e popullarizuar, Rihanna, ka njoftuar se së shpejti do të lansojë një këngë të re si pjesë e albumit “Unapologetic”. Është fjala për këngën “Stay”, e cila, sipas këngëtares, do të publikohet nga 7 janari i vitit të ardhshëm. Ndryshe, kënga është emetuar në një radio londineze, ndërsa ata që e kanë dëgjuar e kanë lëvduar. “Diamonds”, kënga e parë nga albumi i ri i Rihannas, u pranua shumë mirë nga publiku dhe kryesoi top-listat në 12 shtete, duke përfshirë edhe SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.

E megatalentuara Rita

DJ Fresh mendon se bashkëpunëtorja e tij në hitin “Hot Right Now”, Rita Ora, është e ‘megatalentuar’ dhe është mjaft i kënaqur që ka ndihmuar në ndërtimin e karrierës së saj. Producenti 35-vjeçar ka punuar bashkë me këngëtaren shqiptare në këngën që kryesoi top-listat britanike dhe tash (dy vjet pasi Rita nënshkroi me shtëpinë incizuese të Jay-Z, “Roc National”) ai është i lumtur që i ka ndihmuar në fillet e karrierës. “Ajo është e megatalentuar. Asaj i nevojitej platforma e duhur për t’u promovuar. Për një kohë të gjatë, menaxhmenti i saj dhe shtëpia incizuese po kërkonin një këngë për ta promovuar atë, ndërsa ‘Hot Right Now’ ishte pikërisht çfarë po kërkonin”, ka thënë DJ Fresh për BANG Showbiz.

Becks: Të gjitha ekipet e duan Kakan

David Beckham është duke e mbështetur mundësinë që Kaka të kalojë te La Galaxy, duke thënë se secili klub do të dëshironte. “Mendoj se të gjitha klubet e dëshirojnë Kakan. Unë e njoh Kakan nga koha kur kam luajtur kundër tij me Anglinë. Natyrisht, unë kam kaluar shumë kohë me të edhe kur isha te Milani”. “Ai është talent i madh. Ai është person i mrekullueshëm dhe është punëtor i madh. Ai është një prej lojtarëve më profesionist që kam parë në jetën time”, ka thënë Beckham.

Hodgson: Rooney dhe Gerrard kanë punë të pa kryera

Menaxheri i Anglisë, Roy Hodgson, ka deklaruar se Wayne Rooney dhe Steven Gerrard, nuk janë harxhuar ende dhe se kanë për të bërë edhe shumë punë. “Rooney është lojtar i madh, lojtar që vendos ndeshjet. Ai është i pari që duhet të thotë se ka punë të pa kryera në Ligën Premier, duhet ta fitojë atë, e mos të flasim fare për Gerrardin”. “Gerrard do të jetë shumë i rëndësishëm edhe në të ardhmen për shkak të aftësisë së tij për të luajtur në kampionate të mëdha dhe përvojës që mund të reflektojë te të rinjt”, ka thënë Hodgson.

Wenger: Humbja nuk ishte e mirë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se Swansea meritoi plotësisht fitoren ndaj ekipit të tij në sfidën që Topcinjtë e humbën në Emirates. “Ne nuk ishim të mirë dhe Swansea e meritoi fitoren. Ne jemi shfaqur shumë të lodhur pas dy ndeshjeve në udhëtim në Ligën e Kampionëve”. “Unë besoj se ne tentuam të bëjmë më të mirën në këtë takim, por në fund nuk ia arritëm të barazojmë, pasi që as nuk fituam”, ka thënë francezi.

Gomez i zhgënjyer me barazimin

Sulmuesi i Bayernit të Munichut, Mario Gomez, ka shprehur zhgënjimin e tij me barazimin ndaj Dortmundit, duke fajësuar mungesën e koncentrimit. “Kam ndjenja të përziera. Në fund është dashur ta fitojmë ne ndeshjen. Ne kemi pasur tri raste shumë të mira”. “Është një barazim. Ne mund të vazhdojmë jetën. Por, në këtë nivel ju gjithmonë dëshironi të fitoni. Më pas shkoni në zhveshtore dhe shikoni veten. Nuk e dimë nëse duhet të jemi të hidhëruar, apo thjesht të jemi të qetë. Nuk e di”, ka thënë Gomez.

Mancini ‘lëvdon’ Mourinhon

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka lëvduar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, duke thënë se spekulimet për të ardhmen vijnë për shkak se ai po punon mirë. Të dy trajnerët ishin përfshirë në luftë fjalësh para dueleve të tyre të drejtpërdrejta në Ligën e Kampionëve, në një konflikt që daton nga koha kur Mourinho ishte trajner i Interit. Por, kjo si duket më nuk ekziston te dy protagonistët. “Një ditë lexoj se Mourinho do të shkojë te Paris Saint-Germain. Ditën tjetër është Interi, më pas Manchester City, Manchester United dhe më pas Chelsea”. “Më vjen mirë për të. Mendoj se ai po punon mirë në atë që po tenton të bëjë”, ka thënë Mancini.

Fitojnë Lazio dhe Roma

Lazio ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj Parmës në Olimpico, përderisa të njëjtën gjë e bëri edhe Roma në udhëtim te Siena me rezultat 3-1. Biava zhbllokoi rezultatin për 1-0, ndërsa golin e dytë të Lazios në këtë takim e shënoi Miroslav Klose (34’). Parma e shënoi një gol në pjesën e dytë, por që nuk kishte vlerë. Roma ishte në disavantazh pas pjesës së parë ndaj Sienës, por golin e shënuar nga Neto (25’), Giallorosët arritën ta neutralizojnë në pjesën e dytë. Matia Destro realizoi në minutën e 63-të për 1-1, ndërsa Simone Perotta iu rikthye golave kur i dha epërsinë ekipit të tij në minutën e 86-të. Destro e shënoi edhe një gol në minutat shtesë për rezultatin përfundimtar dhe fitoren e Romës për 3-1. Me këtë fitore Roma ngjitet në kuotën e 26 pikëve në vendine gjashtë, përderisa Lazio është në vendin e këtërt me 29 pikë, dy më pak se Interi në vendin e tretë.

Interi u rikthehet fitoreve

Interi ka arritur të shënojë fitore pas tri ndeshjeve, pasi Nerazzurët kanë mposhtur Palermon në shtëpi me rezultat minimal 1-0. Interi dominoi gjatë gjithë takimin. Pereira startoi në vend të Nagatomos, ndërsa në sulm ishte Coutinho para Palacios dhe Militos. Pjesa e parë përfundoi pa gola, përkundër rasteve të shumta të Interit, pasi edhe portieri shqiptar Samir Handanovic ishte në formë të lartë. Në pjesën e dytë Interi përsëri dominoi, por kur në lojë u inkuadruan Guarin dhe Nagatomo, zi-kaltrit ndezën motorët. Pas një vrapimi me top të Ranochias, ishte ky i fundit ai që harkoi bukur në zonë, top të cilin e devijoi Santiago Garcia për të shënuar autogol në portën e Samir Ujkanit (74’). Deri në fund Palermo nuk pati cilësi për ta sulmuar Interin, përderisa Nerazzurët kërkonin të dyfishonin eprësinë e tyre, por pa sukses. Me këtë fitore Interi ngjitet në vendin e tretë me 31 pikë, katër pikë më pak se lideri Juventus dhe dy pikë më pak se sa Napoli që është në vendin e dytë. Interi pret në San Siro fundjavën e ardhshme Napolin, në derbin e madh të drejtpërdrejt për titull në Serie A.

Ferguson i shqetësuar për mbrojtjen

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, është shprehur i shqetësuar për mbrojtjen e ekipit të tij pas ndeshjes triler ndaj Readingut që përfundoi me rezultat 3-4. “Ishte një agoni, mbrojtja më e dobët gjatë tërë sezonit pa dyshim. T’i pësosh tre gola në atë mënyrë, nuk është në rregull dhe ne duhet të bëjmë diçka për këtë”. “Neve po na duhet të shpëtojmë nga situatat gjatë gjithë kohës. Fatmirësisht, kemi lojtarë që mund ta bëjnë këtë. Rooney në pjesën e parë mendoj se ishte i shkëlqyeshëm. Ai, Van Persie dhe Ashley Young, ishin kërcënim konstant për kundërshtarët”. “Duhet ta zgjidhim këtë gjë sa më parë sepse do të ndëshkohemi. Ne e merituam të ndëshkohemi në këtë ndeshje. Por shënimi i golave po na shpëton gjithmonë. Sot ishte një ditë shpëtimi”, ka thënë Sir Alex për BBC Sport.

Portieri e shpëtoi Dortmundin

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, beson se Borussia Dortmundi duhet ta falënderojë portierin Roman Weidenfeller për pritjet spektakolare që i bëri gjatë ndeshjes. “Ishte një ndeshje me intensitet të lartë mes dy ekipeve që luajnë futboll modern, me taktika të mençura dhe tranzicione të shpeshta nga mbrojtja në sulm”. “Ne e filluam mirë lojën dhe dominuam për 20 minuta, por pastaj e humbëm kontrollin e ndeshjes. Pas pushimit, na u deshën 15 minuta për ta kthyer ritmin tonë”. “Kishim mundësi shënimi më të mira se ata, por Weidenfeller bëri disa pritje spektakolare. Unë jam shumë i kënaqur me ekipin tim, veçanërisht pas një udhëtimi dhe një ndeshje tejet të vështirë që e patëm ndaj Freiburgut të mërkurën”, ka theksuar Heynckes.

Ibra: Topi i Artë duhet t’i jepet dikujt tjetër, jo Messit

Sulmuesi i PSG-së, Zlatan Ibrahimovic, ka thënë se nëse juria dëshiron të jetë kësaj radhe më korrekte, do të ia japë Topin e Artë dikujt tjetër e jo Lionel Messit. Futbollisti suedez ishte përfshirë në listën prej 23 futbollistëve më të mirë në botë, por nuk ia doli të hynte në top treshen e kandidatëve kryesorë për Topin e Artë. “Sa herë e ka fituar Messi deri tani? Dy herë, tri herë? Nëse juria dëshiron të jetë më korrekte, kësaj radhe ata duhet t’ia japin Topin e Artë dikujt tjetër”, ka thënë 31-vjeçari. Fituesi i Topit të Artë do të publikohet me 7 janar në Cyrih.

CR7: Ishte natë fantastike për ne

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se është i kënaqur me fitoren në derbi kundër Atletico Madridit. “Ishte një natë fantastike për ne. Luajtëm mirë dhe shënuam dy gola. Ishte një fitore e rëndësishme”. “Pritëm një ndeshje shumë të vështirë por ne ishim më të mirë se ata. Është gjithmonë bukur ta fitosh derbin”. “Në aspektin individual jam shumë i lumtur me performancën time, sepse shënova një gol dhe dhurova një asist, por ajo që ka rendësi është skuadra, që luajti shumë mirë”, ka thënë Ronaldo për mediat spanjolle.

Ancelotti: Lojtarët duhet ta marrin përgjegjësinë

Menaxheri i PSG-së, Carlo Ancelotti, ka kritikuar ekipin e tij pas humbjes prej 2-1 nga Nice dhe ka thënë se ata duhet ta marrin përgjegjësinë për këtë. “Neve na munguan vazhdimësia, intensiteti dhe përgjegjësia. Nuk është trajneri që duhet ta marrë përgjegjësinë”. “Unë mendoj se lojtarët ende nuk janë fokusuar siç duhet ne projektin e klubit. Nuk është normale që një klub si i yni të humbë kaq shumë ndeshje”. “Ne luajtëm në mënyrë shumë individuale dhe jo si një grup. Do të bëj ndryshime radikale për ndeshjen e ardhshme”, është shprehur Ancelotti.

Napoli demolon Pescaran për të mbajtur hapin

Me rezultat 5-1, Napoli e ka mposhtur Pescaran në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Stadio San Paolo. Gokhan Inler (9’) dhe Marek Hamsik (15’) krijuan epërsi të dyfishtë, para se Birkir Bjarnason ta shënonte golin e nderit për mysafirët (18’). Në pjesën e dytë u përkeqësuan gjërat për Pescaran, pasi Antonio Bocchetti u përjashtua me karton të kuq, ndërsa për vendasit u akordua penalti. Edinson Cavani ishte i saktë nga pika e bardhë (58’). Në vazhdim, edhe Cavani (63’) edhe Inler (78’) shënuan edhe nga një herë. Napoli mban pozitën e dytë në tabelë me dy pikë më pak se lideri Juventus.

Leo Messi 84 gola – Gerd Mueller 85 gola

Në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos, Lionel Messi, ka arritur shifrën prej 84 golash të shënuar brenda vitit 2012. 25-vjeçari shënoi dy herë në takimin që Blaugranët e fituan me rezultat 5-1, ndërsa këta ishin golat 83 dhe 84, të cilët argjentinasi i ka shënuar këtë vit me klubin dhe përfaqësuesen. SuperMessi tashmë është vetëm një gol larg rekordit të legjendës Gerd Mueller, i cili në vitin 1972 shënoi 85 gola me Bayern Munichun dhe Gjermaninë. Barcelona do të zhvillojë edhe pesë ndeshje deri më 31 dhjetor 2012, ashtu që pritet që Messi ta tejkalojë edhe rekordin e legjendës gjermane.

Ronaldo sfidon Boltin (Foto)

Cristiano Ronaldo është i njohur për vrapimet e tij të shpejta dhe rrallëherë mund ta arrijnë mbrojtësit. Mirëpo, në derbin ndaj Atletico Madridit, superylli i Real Madridit bëri një vrapim të jashtëzakonshëm. Gjatë një sulmi, portugezi dëshmoi se mund t’i bëjë konkurrencë njeriut më të shpejtë në botë, Usain Bolt, duke kaluar 96 metra për 10 sekonda.

LA Galaxy triumfon në MLS

Futbollistët e Los Angeles Galaxy e kanë mbrojtur titullin e MLS, ndërsa pas fitores prej 3-1 kundër Houston Dynamo, fituan trofeun e katërt në histori (2002, 2005, 2011 dhe 2012). Kështu, klubi ku luante David Beckham së bashku me DC United mbajnë rekordin me nga katër trofe. Edhe në sezonin e kaluar në finale, LA Galaxy e mposhti Houstonin me rezultat 1-0 me golin e Landon Donovan. Të njëjtët kundërshtarë luajtën edhe sivjet, ndërsa klubi nga Los Angelesi fitoi me rezultat 3-1. Me golat e Omar Gonzalez (60’), Donovan nga penaltia (65’) dhe Robbie Keane sërish nga penaltia, Galaxy fitoi kundrejt një goli të shënuar nga Calen Carr (44’). Menjëherë pas u nderua mesfushori anglez, David Beckham, i cili zhvilloi ndeshjen e fundit me klubin amerikan.

Mourinho ua dha rastin tifozëve që ta fishkëllenin (Video)

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e ka mbajtur premtimin dhe u ka dalë përballë tifozëve të klubit, 40 minuta para fillimit të derbit kundër Atletico Madridit. Strategu portugez ua ka ofruar mundësinë mbështetësve të Los Blancos që ta fishkëllejnë. Këtë vendim Mourinho e mori, pasi një pjesë e tifozëve e fishkëllyen atë në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Alcoyanos. Një pjesë e tifozëve të klubit mbretëror nuk janë të kënaqur me trajnerin për shkak të pozitës në La Liga, ku Reali ka mbetur 11 pikë prapa Barcelonës. Prandaj, ai doli në fushë dhe ua dha rastin që ta fishkëllenin, ndërsa një pjesë e tifozëve e bënë këtë. Por, pjesa më e madhe e tyre e përshëndetën me duartrokitje veprimin e trajnerit, i cili po ashtu u mbështet edhe gjatë dhe pas ndeshjes kundër Atleticos, të cilën e fitoi me rezultat 2-0.

    

Kur nuk ka më keq...

Një skandal seksual ka shpërthyer në Strugë, kur një çift jashtëmartesor në orarin e punës janë bllokuar gjatë marrëdhënies së tyre, një fenomen ky pak i ndeshur dhe është dashur të kërkojnë ndihmë mjekësore për “t’u shkëputur” nga njëri-tjetri. Lajmi ka përfshirë tërë Strugën, ndërsa ka qenë një autoambulancë nga spitali që ka nxjerrë çiftin nga zyra ku po kryenin marrëdhënien, duke i mbështjellë ata me çarçaf. Sipas portaleve maqedonase bëhet fjalë për një avokat (mbi 50 vjeç) dhe ish-funksionar lokal në Strugë dhe të dashurën e tij (20 vite më e re), e punësuar si daktilografe në zyrën e tij – transmeton INA. Mjekët e Urgjencës jozyrtarisht kanë bërë të ditur për ngjarjen, por duke mos dhënë detaje. Sipas tyre, në raste të rralla ndodh që gjatë aktit të ketë probleme të tilla, të shtangimit të organeve gjenitale dhe se në situata të tilla përdoren injeksione për të stabilizuar situatën.
Mjekët e autoambulancës nuk kanë mundur të ndërhyjnë në vendin e ngjarjes, por e kanë çuar çiftin e ngjitur pranë qendrës emergjente, ku përmes injeksionit të dhënë, është bërë ndarja e tyre.

DiCaprio shpenzoi tre milionë dollarë në shampanjë

Leonardo DiCaprio është përkujdesur që miqtë e tij t’ia kalojnë mirë në festimin e ditëlindjes së tij të 38-të në muajin e kaluar (11 nëntor). Ai ka shpenzuar tre milionë dollarë vetëm për shampanjë në ndejën e mbajtur në qytetin e New Yorkut. “Ai dhe grupi i tij shpenzuan tre milionë dollarë në ‘Armand de Brignac’ (lloj shampanje)”, ka thënë një burim për revistën In Touch Weekly. Në ndejën e aktorit ishin të pranishëm emra të njohur, si Beyonce Knowles, Jay-Z, Robert De Niro, Cameron Diaz, Mark Ruffalo, Emma Watson, Chris Rock e Miranda Kerr - ndërsa përkundër shpenzimeve të mëdha të DiCaprios, qëllimi i këtij evenimenti ka qenë bamirës. Fondacioni DiCaprio atë mbrëmje grumbulloi 500.000 dollarë për të prekurit nga uragani Sandy.

Jolie do të heqë dorë nga aktrimi

Aktorja hollivudiane, Angelina Jolie, është më e lumtur me punën e saj humanitare sesa me aktrimin. Ajo ka deklaruar se do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për t’u ndihmuar viktimave të dhunës në Siri. Në një intervistë për Channel 4, ajo është pyetur nëse mendon ta braktisë aktrimin. “Padyshim. Mendoj se do të detyrohem të tërhiqem nga aktrimi kur fëmijët të hynë në vitet e adoleshencës, sepse do të kem shumë punë në shtëpi dhe në vendet tjera”. “Megjithatë, jam kënaqur kur kam aktruar. Do të xhiroj edhe disa filma. Jam e lumtur që po e bëj këtë punë. Është një nga profesionet më të bukura që mund të gjeni”, ka deklaruar Jolie.

Ibra e dërgoi topin me shpejtësi 180 km/h (Video)

Zlatan Ibrahimovic u regjistrua sërish në listën e golashënuesve, edhe pse Paris Saint-Germain humbi nga Nice. Sulmuesi suedez e barazoi rezultatin me një gol të shënuar nga gjuajtja e lirë, por vendasit shënuan sërish për ta fituar takimin. Ajo që e bën të veçantë golin e 31-vjeçarit, është fakti se topi që e dërgoi Ibra drejt portës ka lëvizur me shpejtësi prej 180 km/h, ashtu që ka qenë e pamundur që portieri ta ndalte.

Barca, në rrugë për të fituar trofe

Fillimi mbresëlënës i Barcelonës këtë sezon tregon se ata janë në rrugë të mbarë për të fituar trofe – ka thënë trajneri Tito Vilanova. Fitorja prej 5-1 kundër Athletic Bilbaos bëri që Blaugranët të regjistrojnë fillimin më të mirë të një sezoni në histori, duke kaluar edhe rekordin e Real Madridit nga sezonin 1991/1992. “Jam i kënaqur që thyem rekordin, por jam edhe më i kënaqur me lojën e futbollistëve. Edhe pse avanconim 5-1, vazhduam të bëjmë presion me qëllimin për të shënuar më shumë”. “Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, jam i sigurt se do të fitojmë shumë ndeshje dhe kur të vijë koha do të luftojmë për tituj”, ka theksuar Vilanova.

Fitorja në derbi, e rëndësishme për vetëbesimin e Juves

Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, beson se Zonja e Vjetër mund ta forcojë vetëbesimin pas fitores prej 3-0 kundër Torinos në derbin lokal. 26-vjeçari shënoi dy gola (ndërsa tjetrin e realizoi Sebastian Giovinco) në ndeshjen e cila u dominua nga bardhezinjtë. “Është e rëndësishme që t’u kthehemi fitoreve, pas paraqitjes së dobët kundër Milanit. Është mirë për vetëbesimin tonë që të fitojmë kaq bindshëm”. “Është një shenjë e shkëlqyer që Giovinco dhe unë shënuam, sepse të dy jemi rritur në Akademinë e të rinjve të Juves”. “Tash kemi marrë pikë të rëndësishme për ta siguruar kreun e tabelës, ashtu që do ta kthejmë përqendrimin në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Marchisio për Football Italia.

Simeone: E patëm të pamundur të fitonim

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes nga Real Madridi në derbin madrilen. “Nuk mund të fitonim, do të vazhdojmë ta kërkojmë mundësinë për ta fituar ndeshjen e radhës”. “Deri te goli i Madridit, skuadra luante mirë. Pastaj ishte më vështirë dhe tash ekipi është i lënduar”. “Do të punojmë nga e hëna të sigurojmë kualifikimin në Evropë”, ka deklaruar strategu argjentinas pas ndeshjes.

Karanka krenar për fitoren

Asistent-trajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, e ka lëvduar karakterin e skuadrës pas fitores prej 2-0 në derbin lokal ndaj Atletico Madridit. “E dinim se do të jetë një ndeshje e vështirë në kuptimin se Atletico erdhi këtu me shumë vetëbesim”. “Të gjithë mendonin se ky do të ishte viti (kur Atletico do ta fitonte derbin), mirëpo ne shfaqëm personalitet”. “Mendoj se më i forti gjithmonë fiton”, ka deklaruar Karanka në një konferencë me gazetarë.

Ancelotti i zhgënjyer me Pastoren

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, është shprehur i zhgënjyer me Javier Pastoren pas humbjes prej 2-1 nga Nice. Mesfushori argjentinas nuk po luan siç është pritur te klubi francez, ndërsa është duke u spekuluar se mund të largohet në janar. “Pastore më ka zhgënjyer me paraqitjet e tij, por unë pres që edhe ai të jetë i zhgënjyer me mënyrën si po luan”, ka thënë strategu italian në një konferencë për media.

I përzunë investitorët

Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engineering”, që po vinte nga Dubai për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë, është ndalur në Aeroportin Adem Jashari. Ai bashkë me partnerin e tij Ëillian Buchanan nga Britania e Madhe janë kthyer pa u futur fare në territorin e Kosovës. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e vlerësojnë se kjo tregon situatën reale se sa miqësore janë institucionet e Kosovës me investuesit e huaj. Mezi i bindën të vijnë dhe kur erdhën, nuk i lanë as të shkelin tokën e Kosovës. Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engeeniering”, me seli në Dubai të Emirateve të Bashkuara, u kthye sapo ateroi në Aeroportin Adem Jashari. Policia kufitare nuk e lejoi të futej në Kosovë. Bashkë me të u kthye edhe partneri tjetër britanik Ëillian Buchanan. Kështu mundi gjashtëmujor, përfaqësuesve të kompanisë farmaceutike Trepharm nga Prishtina i shkoi huq, shkruan Express. Mërgim Prishtina, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie, tregon se mezi i kishin bindur këta investues potencialë të vinin në Kosovë për ta vizituar fabrikën e tyre dhe për të parë mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen. “I kemi bërë të gjitha dokumentacionet gati. Kemi bërë garancion me gjyq. I kemi përmbush të gjitha kushtet që kërkohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por policia kufitare i ka ndal”, thekson Prishtina. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur pasi zyrtarët policorë në aeroport, nuk ishin informuar me kohë nga Ministria e Punëve të Brendshme për ardhjen e këtyre afaristëve. Sipas rregullave në fuqi, për personat që vijnë nga shumë vende të botës, siç janë në këtë rast edhe këto të botës arabe, kërkohet garancion i ftuesit. Krejt këtë dokumente, ai thotë se i ka plotësuar. Por, sipas Mërgim Prishtinës, shkaku i vetëm i kthimit të këtij investitori ka qenë mos koordinimi i institucioneve mes vete. Drejtori i Trepharm, tha se kjo është edhe pasqyrë e mungesës së informacionit, se si duhen trajtuar investuesit nga ana e zyrtarëve policorë në aeroport. Për të sqaruar këtë situatë, ai ka kërkuar edhe ndihmën e Odës Ekonomike të Kosovës, të cilës i ka shkruar një letër në të cilën ia sqaron hallin. “Në si Trepharm kemi më se 6 muaj që mundohemi t’i bindim këta investitorë potencialë të vinë dhe ta vizitojnë kompaninë tonë dhe vendin tonë për mundësi investimesh. Sjellja e policisë kufitare në aeroport dhe kthimi i këtyre investitorëve potencialë, përveç shpenzimeve shumë të mëdha të kompanisë sonë dhe humbjes së investitorëve potencialë, po krijon edhe imazh shumë negativ për vendin tonë”, shkruan ai në letër. Drejtori i fabrikës Trepharm shpjegon se me kompaninë “TS Marine Engineering” nga Dubai po planifikonin investime të përbashkëta për zgjerimin e shtatë linjave të reja të prodhimit me synim eksportin e barërave. Por, gjithçka duket se ka shkuar ters, pasi Salim Al Shamsi, drejtor i kompanisë “TS Marine Engineering”, nuk u lejua të hyjë në Kosovë. E kur ndodhi kjo, as partneri i tij nga Britania e Madhe Ëillian Buchanan nuk pranoi të vizitojë vendin. Ajo çfarë u ndodhi këtyre investuesve potencialë, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se tregon situatën reale se sa miqësore janë institucionet e Kosovës me investuesit e huaj. “Nuk duhet të aplikohet qasje selektive ndaj investitorëve, pavarësisht nga cilat vende vijnë ata”, ka pohuar kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu. Sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke shpenzuar para të shumta në promovim të investimeve, qoftë në SHBA, qoftë në vende të ndryshme evropiane, por shumë herë këto konferenca dhe këto takime janë më tepër të karakterit turistik sesa substancial. “Barrën e tërheqjes së investitorëve të huaj e kanë marrë vetë biznesmenët, që me punën e tyre jo vetëm që gjenerojnë, por edhe promovojnë vlera. Në të shumtën e rasteve investitorët janë duke u kthyer në kufi dhe kjo duhet të analizohet me një qasje shumë më serioze”, thotë Gërgjaliu. Në qoftë se raste të tilla u ndodhin kompanive serioze, sipas tij, nuk i bëhet nder përmirësimit të ambientit dhe imazhit në Kosovë. Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë i ndodh fabrikës farmaceutike Trepharm. Kohë më parë ishin ndaluar të hynë në Kosovë ekspertë të farmaceutikës. E rasti më interesant duket të jetë me doktor Anil Ghogare nga India, shkencëtar i rangut botëror që ishte dërguar për të inspektuar cilësinë e produkteve në fabrikë nga FDA (Food and Drogs Administration) nga Amerika. Për shkak se vinte nga India, ky shkencëtar nuk ishte lejuar të hynte në territorin e Kosovës.

Bien kreditë, normat e interesit të larta

Kredimarrja në Kosovë ka shënuar rënie, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës. Gjithsej kreditë e lëshuara nga sistemi bankar i Kosovës arritën vlerën prej 1.76 miliard euro në shtator 2012, që paraqet një rritje vjetore për 6.2 për qind, por, sipas BQK-së, norma aktuale e rritjes së kreditimit në ekonomi, është dukshëm më e ultë krahasuar me normën për 16.8 për qind të regjistruar në shtator të vitit 2011. Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar në bankat, të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesë për kredi. Po ashtu, deri në një masë, sipas raportit të BQK-së, ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi. Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë japin vlerësime të ndryshme për rënien e kredive në Kosovë. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kundërshton atë ku thuhet se kredidhënia ka shënuar rënie, për shkak të kërkesës së kredi. “Rënia e ofertës nuk është refleksion i rënies së kërkesës, pasi që ka mjaft kërkesa për kredi, por ka një shtrëngim nga bankat për shkak se shumë herë po e perceptojnë një rrezik më të madh se sa që është”, thotë Rukiqi, për Radion Evropa e Lirë. Bankat komerciale në Kosovë vazhdimisht janë kritikuar për norma të larta të interesit në kredi. Shumë herë nga ekspertët ishte cilësuar se bankat në Kosovë kanë normat më të larta të interesit në rajon. Ndërkaq, normat e kredive ata kishin thënë se sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se bankat komerciale në Kosovë duhet të kenë oferta më të mira për ndërmarrjet që kanë nevojë për kredi. “Bankat duhet t’i ulin normat e interesit. Bankat nuk kanë krijuar partnerit të mirë reciprok, bankat me biznese nuk janë duke u sjellë në atë mënyrë që t’i ndihmojnë bizneset janë në gjendje të vështirë financiare”, vlerëson Shahini. Me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, bankat komerciale në Kosovë, sipas ekspertëve, thuhet se do ta kenë një konkurrentë shumë të fortë, dhe kjo mund të bëjë që bankat në vend t’i ulin normat e interesit. “Sigurisht për kredi në investime të mëdha kjo do të ndikojë, pasi që do të rritet presioni brenda sektorit bankar të vendit, pasi që këto kredi investuese që kërkojnë norma më të ulëta të interesit, të ulen, por nuk është ky një zhvillim që do të ndodhë shumë shpejt”, thekson Rukiqi. Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Shahini, mendon se marrja e kredive nga BERZH-i nuk do të jetë një punë e lehtë, pasi që duhen projekte të mëdha dhe që janë në pajtim me atë çka kërkon ky mekanizëm financiar ndërkombëtar. “Bizneset në Kosovë duhet të krijojnë mundësi që të kenë projekte privato- publike, në mënyrë që të kenë qasje më lehtë në BERZH; duhet të krijojnë projekte që janë në harmoni me BE-në, dhe me prioritet zhvillimor të Kosovës, por prapë pa mbështetje të institucioneve të Kosovës, bizneset do të kenë vështirë të kenë qasje në kreditë e BERZH-it”, potencon Shahini. Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale dhe përbëjnë 76.0 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes 300 degëve dhe nëndegëve. Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive, afër 70 për qind janë kredi për ndërmarrjet. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë, sektori i industrisë dhe ekonomitë familjare.

Babastars me klip të ri (Video)

“We doin this” quhet projekti më i ri muzikor i reperëve të labelit Babastars. Anëtari i ri i këtij labeli, Cozman, ka realizuar një këngë në bashkëpunim me Agon Amiga (Agon Sylejmani) dhe Skivi (Visar Shala). Produksioni “Think Creative” është angazhuar për realizimin e videoklipit.







   

Reali mbretëron në Madrid

Real Madridi e ka dominuar derbin lokal kundër Atletico Madridit, të cilin e ka fituar me rezultat 2-0.
Një supergoditje e lirë e ekzekutuar nga Cristiano Ronaldo u ndal në rrjetin e portës mysafire (16’). Ky ishte goli i vetëm i gjysmës së parë. Në gjysmën e dytë, Mbretërit patën shumë raste për të shënuar, mirëpo vetëm një u konvertua në gol.
Ronaldo pasoi një top të mirë drejt Mesut Oezil, i cili arriti ta shënojë golin e dytë për Los Blancos (66’), për ta vendosur rezultatin e takimit. Përmendim që tifozët në Santiago Bernabeu gjatë ndeshjes brohorisnin në mbështetje të trajnerit të kritikuar kohët e fundit, Jose Mourinho.
Pas kësaj fitoreje, Real Madridi gjendet pesë pikë prapa Atletico Madridit që mban pozitën e dytë, ndërsa Barcelona është 11 pikë larg kampionit në fuqi.