Fitorja në derbi, e rëndësishme për vetëbesimin e Juves

Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, beson se Zonja e Vjetër mund ta forcojë vetëbesimin pas fitores prej 3-0 kundër Torinos në derbin lokal. 26-vjeçari shënoi dy gola (ndërsa tjetrin e realizoi Sebastian Giovinco) në ndeshjen e cila u dominua nga bardhezinjtë. “Është e rëndësishme që t’u kthehemi fitoreve, pas paraqitjes së dobët kundër Milanit. Është mirë për vetëbesimin tonë që të fitojmë kaq bindshëm”. “Është një shenjë e shkëlqyer që Giovinco dhe unë shënuam, sepse të dy jemi rritur në Akademinë e të rinjve të Juves”. “Tash kemi marrë pikë të rëndësishme për ta siguruar kreun e tabelës, ashtu që do ta kthejmë përqendrimin në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Marchisio për Football Italia.