Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për media nga Grupet punuese për persona të pagjetur, që kanë zhvilluar takimin e radhës në të cilën diskutohet mundësia për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në një prononcim për media, para takimit, përfaqësuesi i grupit punues për persona të pagjetur nga Kosova, Pajazit Nushi, ka thënë se një nga çështjet më problematike në Kosovën e pasluftës, mbetet zbardhja e fatit të të pagjeturve.
Ai ka thënë se deri më tash është arritur që gjysma e numrit të të zhdukurve t’u kthehen familjeve, por, sipas tij, ende mbete shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, raporton Kosovapress.
Sipas kryesuesit të Grupit kosovar, një ndër strategjitë për vitin 2012 është hapja e 36 lokacioneve ku pretendohet se ka të zhdukur, ku në 29 lokacione pretendohet se ka shqiptar. Ai ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara, ky Grup punues nuk është ndalur as edhe një moment së punuari për zbardhjen e personave të zhdukur nga lufta
Ai ka shtuar se është e kuptueshme se nuk mund të zbulojnë të gjithë të zhdukurit, por insistimi i grupit punues është që të bëjë përpjekje deri në gjetjen e skeletit të fundit.
Ai ka përshëndetur edhe interesimin e EULEX-it i cili ka kërkuar nga Serbia për zbulimin dhe kryerjen e punëve në hapjen e varrezës masive afër Rashkës, ku supozohet se gjenden 250 skelete.
Përfaqësuesi i Grupit punues për persona të pagjetur nga Serbia, Veliko Odalovic, ka theksuar se shkëmbimi i punës së grupeve ka thënë edhe rezultatet e veta, ku nga 3 mijë e 300 persona sa kanë qenë të zhdukur është arritur që gjysma e tyre të zbulohen.
Të rikujtojmë se ende vazhdon të mbetet i paqartë fati i rreth 1800 persona që konsiderohen ende të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999.