Ilegalët e veriut kushtëzojnë lëvizjen e EULEX-it

Anëtarët e Kuvendit ilegal Komunal të Zveçanit u morën vesh me përfaqësuesit e KFOR-it që deri të mërkurën drejtë Jarinjës mund të lëvizin dy deri në tri automjete në ditë të EULEX-it.

Sipas marrëveshjes, që do të jetë e vlefshme deri të mërkurën, apo deri në takimin e ardhshëm ndërmjet serbëve dhe misioneve ndërkombëtare, automjetet e EULEX-it duhet të jenë në kolonën e automjeteve të KFOR-it, ndërsa nuk duhet të bartin doganierët e Kosovës.
Anëtari i Kuvendit paralel të Zveçanit, Stevan Radovanovic, u ka thënë gazetarëve se koloneli i KFOR-it, Joseph Lynch, i cili ka shkuar në takim me përfaqësues të EULEX-it, “ka premtuar se deri të mërkurën do ta respektoj marrëveshjen”, por se ata po ashtu kanë kërkuar zgjidhje afatgjate për lëvizjen e lirë të EULEX-it.
Ndryshe, sot në mëngjes, rreth orës 10, serbët në rrugën Zveçan-Zubin Potok kanë bllokuar për dy orë automjetet e EULEX-it. Bllokim të tillë serbët kanë bërë edhe dje, në të njëjtin vend.