Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi shpalosi të premten programin e LDK-së për qeverisje dhe shtetin ligjor, duke vlerësuar se kjo fushë është shumë e rëndësishme për ndërtimin e shtetit funksional dhe të sundimit të shtetit të së drejtës.
Ai në një konferencë për media theksoi se LDK-ja ka për qëllim ndërtimin e një Kosovë evropiane, në të cilën forcohet demokracia qytetare, sundon ligji dhe respektohen të drejtat e njeriut, promovohet mirëqenia e qytetarit dhe zhvillimi ekonomik, stimulohet tregu i hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e ideve.
“Në besojmë se për të arritur qëllim për një Kosovë të zhvilluar dhe Evropiane, duhet që patjetër të kemi qeverisje demokratike dhe legjitime, sundim të ligjit dhe të rendit me qëllim të forcimit të Shtetit të Kosovës”, tha Gashi.
Po ashtu ai tha se duke u bazuar në orientimet strategjike dhe detyrimet programore LDK-ja është e vendosur për luftimin e pakompromis të kriminalitetit, korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik, trafikimit të qenieve njerëzore, eliminimit të strukturave paralele, dhe formave dhe llojeve të tjera të kriminalitetit.
“LDK-ja beson se kjo luftë mund të realizohet vetëm me njerëz që kanë duar të pastra dhe që janë të përgjegjshëm. LDK-ja është e përkushtuar për mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të Kosovës, të mishëruara në Kushtetutë dhe në konventa e akte të tjera ndërkombëtare, që janë drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë”, tha ndër të tjera Gashi.
Ai tha se synojnë që sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit, në përputhje me standardet evropiane në fushën e ligjit dhe të sigurisë.
“Në fushën e sistemin të hetimit dhe të prokurorisë, LDK-ja angazhohet për reformimin e vazhdueshëm të organit të akuzës dhe fuqizimin e saj, si parakusht për luftimin efikas dhe efektiv të kriminalitetit. Në fushën e mbrojtjes, LDK-ja angazhohet që forcat e sigurisë të shndërrohet ne ushtri të Kosovës dhe të këtë ngritje të vazhdueshme profesionale dhe modernizim me pajisje konform standardeve të NATO-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë përkatës”, tha Gashi.