Beogradi është në një lloj konfuzioni për mbajtjen e zgjedhjeve të saja lokale edhe në veriun e Kosovës. Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Slavica Dukic Dejanovic, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në të gjitha komunat ku të ashtuquajturve kryetarë u ka kaluar mandati. Në anën tjetër, shefi i ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinën,. Borislav Stefanovic, ka thënë se Serbia ene nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë. Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Tim Judah, njëkohësisht analist në “The Economics”, thotë presidenti serb Boris Tadic është në dilema të mëdha.
“Nëse nuk i mban zgjedhjet në Kosovë, mund të akuzohet se është tradhtar; nëse i shpallë, ai do ta fus veten në zemërimin e bashkësisë ndërkombëtare që deri tash i ka ofruar mbështetje”, ka thënë Judah për “Radio Evropa e Lirë”, edicionin në gjuhën serbe.
Në anën tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka thënë se vendimi për zgjedhjet serbe në Kosovë do të ishte në dëm të Serbisë. Judah mendon se përkitazi me këtë problem Evropa ka ndikim më të madh se SHBA-të.
“Një vonesë në integrimin evropian të Serbisë ka ndodhur për shkak të kushteve që ndërlidheshin me Kosovën. Ndërsa, nëse bën lëvizje me zgjedhjet në veri të Kosovës, atëherë Serbia ia ka përgatitur vetes edhe një tjetër bllokim”, shton Judah.
Sipas tij, Beogradi mund të ofroj një formulë ambivalente që ngjanë me referendumin: zgjedhjet në veri të Kosovës do të mbahen, do t’i shpallin komunat e atjeshme, ndërsa Beogradi nuk do të merrte pjesë në to!
“Natyrisht, nuk mendoj se do të jetë bash kështu, por thjeshtë po e hamendësoj si mundësi që mund t'i bie ndërmend Qeverisë së Serbisë”, thotë Judah, sipas të cilit në këtë mënyrë Tadic do të thoshte se zgjedhjet janë mbajtur, për çka nuk do të akuzohej nga serbët për tradhti, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare do t’i thoshte se nuk ka lidhje me këtë punë.
Në pyetjen se nëse ndodhë një skenar i tillë, cili do të ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Judah përgjigjet: “Sigurisht se do të bëjë zhurmë të madhe për këtë. Por, nuk mendoj se do të mund të bëj më shumë se kaq”.