AAK: Edhe një Raport negativ-Droga hyn me kamionë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës theksoi të premten se përdorimi dhe trafikimi i drogës në Kosovë është një prej shqetësimeve të mëdha për vendin.

Duke iu referuar raportit të Departamentit amerikan të shtetit për kontrollin ndërkombëtar të narkotikëve, AAK thekson se ky raport bën të qartë se ekzistojnë zona të pakontrolluara kufitare, që mundësojnë trafikun e drogës si dhe ka korrupsion dhe struktura klanore që pengojnë hetimin e rrënjëve të trafikut të drogës.
Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, tha se para dy ditësh Kosova ka marrë edhe një raport negativ nga partnerët ndërkombëtarë.
“Tashmë, Departamenti amerikan i shtetit në Raportin vjetor për kontrollin ndërkombëtar të narkotikëve, ka theksuar shumë të meta të shtetit të Kosovës në raport me luftimin e trafikantëve të drogës”, tha ai.
Sipas tij, AAK ka folur për këtë temë edhe në Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojë aktivitetet për të vetëdijesuar qytetarët me rrezikun e përdorimit dhe trafikimit të drogës. “Gjatë kësaj kohe, Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë seriozisht vërejtjet tona. Dhe, tashmë, Qeveria Amerikane i bën të qarta disa elemente tejet negative për Kosovën”, tha Ramadani.
Po ashtu, zyrtari i AAK-së tha se raporti tregon se droga në Kosovë hyn me kamionë, autobusë dhe vetura si dhe doganierët marrin ryshfet dhe mbyllin sytë para drogës.
Në këtë drejtim, AAK paraqiti pikat e planit në luftimin e përdorimit dhe trafikut të drogës: vendosjen e kontrollit të duhur në të gjithë kufijtë e Kosovës, të rriten kapacitetet në Polici, të emërohet numri i nevojshëm i prokurorëve që merren vetëm me rastet e luftimit të trafikantëve të drogës, të largohen strukturat klanore dhe rrethet familjare në cilëndo agjenci shtetërore, të financohen projekte për vetëdijesimit e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, kundër përdorimit, shpërndarjes dhe trafikut të drogës.