Kamberi akuzon Mustafën

Veprimtari politik i LDK-së, Haxhi Kamberi, i cili para disa ditësh është përjashtuar nga Këshilli i Përgjithshëm, ka lëshuar një varg akuza ndaj kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe ndaj kryesisë së kësaj partë politike. Sipas tij, Isa Mustafa, nëpërmjet proceseve të reformimit po tenton që me ngulm LDK-në t’ia përshtat mentalitetin dhe formimin e vet komunist.

Kamberi ka deklaruar se kjo mënyrë e tillë e sjelljes kreun e LDK-së e ka futur në konflikt të hapur me anëtarësinë.
Ish-anëtari i këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Haxhi Kamberi, ka thënë se e tërë fuqia në LDK është e konceptuar në një rreth shumë të vogël.
Ai, gjatë një interviste për “Epokën e Re” është shprehur se përderisa si drejtues i lëvizjes studentore e ka luftuar sistemin e shtypjes së Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në vitet e 80-ta, Isa Mustafa e ka mbrojtur atë sistem. Duke numëruar shkeljet e statutit të partisë që janë bërë në kuvendin e fundit, ai ka treguar se nuk ka pasur të drejtë ta shkarkoj askënd, sepse kjo pikë nuk ka qenë në rend të ditës.
Për më tepë, Kamberi, i cili ka qenë veprimtar i LDK-së prej themelimit, ka vlerësuar se gjatë punimeve të kuvendit ka pasur njerëz që nuk kanë qenë fare delegat, pavarësisht faktit se me statut të LDK-së është e rregulluar që punimet e kuvendit i udhëheqin kryetari dhe kryesia e punës e zgjedhur në kuvend.
Sipas Kamberit, pas këtij kuvendi, LDK-ja është më e hendikepuar se sa që ka qenë në të kaluarën, ngase, sipas tij, duket qartë se në supet e saj tash rëndon e kaluara e Isa Mustafës dhe mënyra e ardhjes së tij në krye të kësaj partie.