Mali i Zi pajtohet për hapjen e ambasadave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ndërkaq është njoftuar se tashmë ekziston gatishmëria për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë.

Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka takuar sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Nebojsha Kalugjerovic dhe drejtorin politik për marrëdhënie dypalëshe Ramiz Bashic.
Duke u ndalur rreth pozitës të komunitetit malazias në Kosovë, Gashi ka deklaruar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve, sipas të cilit komuniteti malazias përkufizohet i barabartë me të gjitha grupet kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës.
Gashi po ashtu, është siguruar nga zyrtarët e lartë të shtetit fqinj për integrimin e plotë dhe avancimin e mëtutjeshëm të përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.
Zëvendësministri është pritur edhe nga Ivana Petricevic, shefe e kabinetit të kryeministrit malazias dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me ç’rast është konstatuar se ekziston gatishmëria për hapjen e ambasadave të dy shteteve në Prishtinë dhe Podgoricë.
Në njoftim thuhet se është biseduar edhe për disa marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe arsimit.
Po ashtu bëhet e ditur se kohëve të fundit është shtuar interesimi i kompanive malaziase për të qenë të pranishme në tregun kosovarë, ndërsa është mirëpritur ideja për organizmin e një forumi ekonomik në Prishtinë, me ç’rast do të promovoheshin kompanitë dhe produktet malaziase.