Jahjaga fton aktoren Angelina Jolie ta vizitojë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë në hapjen e Samitit të tretë “Women in the World” (Gratë në Botë) të organizuar nga Newsweek dhe The Daily Beast që po mbahet në New York, ndërkaq me këtë rast takoi ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, si dhe ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB-së, aktoren Angelina Jolie.

Në samit, ku po marrin pjesë afro 2000 pjesëmarrëse nga gjithë bota, do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me sfidat globale të shekullit XXI dhe rolin e gruas në çështjen e sigurisë dhe lidershipit.
Jahjaga me ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, bisedoi për çështjet aktuale për Kosovën.
Në hapje të konferencës, Albright duke folur në panelin “Çmimi i luftës” ndau me të pranishmit përvojën e saj të fëmijërisë si refugjate e Luftës së Dytë Botërore, duke e krahasuar atë me eksodin e refugjatëve gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë.
Albright e cilësoi ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë si të drejtë, ndërkaq rikujtoi përkushtimin e administratës së ish Presidentit Clinton për t’i dhënë zgjidhje meritore çështjes së Kosovës.
Ndërkaq, në darkën solemne të shtruar nga organizatori i Samitit, presidentja Jahjaga u takua me drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde si dhe ambasadorin e Britanisë së Madhe në SHBA, Peter Westmacott.
Ajo gjithashtu takoi edhe aktoren e njohur amerikane, njëkohësisht ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB-së, Angelina Jolie, të cilën e ftoi që ta vizitojë Kosovën për të parë mundësitë e zhvillimit të kinematografisë në vend.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Jahjaga, është liderja e vetme femër nga Ballkani e ftuar në këtë Samit dhe në dy ditët e ardhshme do të flas në panele për përvojat e saj në lidhje me ndikimin e gruas në sigurinë e vendit.
Presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në panelet “Siguria është detyrë e gruas” si dhe në panelin “Lideret Gra Botërore” ku do të diskutohet për ndikimin global në avancimin e pozitës së gruas si dhe rolin e saj në sigurinë ndërkombëtare dhe lokale.