United përgatit ofertë për Adil Rami

Kampioni i Ligës Premier, Manchester United raportohet se është duke kërkuar mbrojtësin e Valencias, Adil Rami.
The Sun shkruan se Djajtë e Kuq do të kenë për rival Barcelonën për francezin e vlerësuar 20 milionë funte, por ata janë të gatshëm ta paguajnë gjithë shumën që e kërkon Valencia.
Vëzhgues të Manchester United raportohet se e kanë përcjellë lojtarin gjatë ndeshjes së djeshme kundër Stoke Cityt. 

Carlos: Reali do të arrijë në gjysmëfinale të LK-së

Roberto Carlos beson se Real Madridi ka gjithë çfarë i duhet për të arritur sukses në Ligën e Kampionëve, dhe është i bindur se skuadra e tij do të fitojë së paku një trofe këtë sezon.
“Madrid po ia del mirë në La Liga dhe ata kanë një shans të shkëlqyeshëm të arrijnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.
“Mendoj se ata do ta mposhtin CSKA Moskën, të cilët i njoh mirë, pasi kanë avantazhin e fushës vendore në ndeshjen e kthimit. A do të festojë skuadra në [shesin] Cibeles këtë vit? Le të presim, por jam i sigurt për këtë”, ka thënë Carlos.

Sheva i impresionuar me Milanin

Ish-ylli i Milanit, Andriy Shevchenko, ka qenë plot lëvdata për kampionët e Serie A pas fitores së tyre ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve.
“Isha krejtësisht i impresionuar nga shpirti i treguar nga Milani. Vendosmëria e tyre po ashtu më ka impresionuar, si edhe stili i tyre i qetë dhe plot vetëbesim i lojës. Ata dukeshin shumë të sigurt”.
“Barcelona dhe Real Madrid sigurisht se janë absolutisht në maje, por shumë gjëra mund të ndodhin në një garë si Liga e Kampionëve”, ka thënë ish-lojtari më i mirë në botë për La Gazzetta dello Sport.

AVB: Nuk do të shkarkohem

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, është i bindur se do ta mbajë punën e tij, për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera me pronarin Roman Abramovich.
“Jam plotësisht i kënaqur me pronarin. Nuk kam problem me të”.
“Marrëdhënia është e përkryer për momentin. Ne kemi biseduar se si të dalim nga situata aktuale. Nuk ndihem nën presion për punën time, edhe pse tani jam nën presion për rezultate”, tha tekniku portugez.

Pepe: Çdo ditë po bëhemi më të fortë

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka deklaruar se Los Blancos çdo ditë po bëhen më të fortë e më të fortë, duke paralajmëruar rivalët për atë që mund t’i presë në të ardhmen.
“Çdo ditë po bëhemi më të fortë. Ekipi jonë po bën mirë. Unë kërkoj nga tifozët që të na përkrahin sepse çdo herë kemi më shumë fuqi për të fituar gjërat”.
“Ne kemi skuadër shumë të mirë, me kualitet të lartë. Ne po punojmë mirë që të fitojmë tituj”, tha Pepe.

Drogba: Dështimi për top katërsh, do të ishte TMERR

Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se dështimi i Bluve për ta përfunduar sezonin në top katërsh do të ishte tmerr.
“Nëse nuk ia dalim të përfundojmë në top katërsh, kjo do të ishte tmerr. Çdo herë që ne e kemi filluar sezonin që kur unë jam te Chelseat, ne kurrë nuk kemi përfunduar më poshtë se pozita e katërt”.
“Ne duhet të përfundojmë në top katërsh, pasi Chelsea është një klub i madh. [Por] Sigurisht mund të ndodhë që klubet të bien nën të katërtin” , ka deklaruar Drogba.

Hernandez: De Gea në formë të shkëlqyeshme

Javier Hernandez ka lavdëruar paraqitjen e David de Gea në fitoren 2-0 ndaj Ajaxit në Europa League.
Chicharito shënoi golin e dytë për Djajtë e Kuq, pasi në listën e golashënuesve më herët ishte shkruar edhe Ashley Young. Por meksikani thotë se De Gea po ashtu ka luajtur një rol të madh në këtë fitore.
“David është një portier i shkëlqyeshëm. Ai po përmirësohet, ai po mëson dhe ai është në një moment të shkëlqyeshëm”, ka thënë Chicharito.

Mancini: Lojtarët ishin fantastik

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i ngazëllyer me fitoren në Evropa League ndaj Portos, duke e quajtur fantastike paraqitjen e djelmoshave të tij.
Sergio Aguero erdhi si zëvendësues për të shënuar golin e fituar gjashtë minuta para fundit të takimit, pasi një autogol i Alvaro Pereira kishte neutralizuar golin e hershëm të Silvestre Varela.
“Mendoj se ishte një rezultat i mirë, pasi është vështirë të fitosh këtu. Mendoj se ne fituam këtë ndeshje, pasi luajtëm shumë mirë dhe nuk u dhamë atyre shumë shanse për të shënuar. Mendoj se djelmoshat ishin fantastik”, ka thënë Mancini.

Vjen njohja e 88-të?

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka marrë një letër nga presidenti i Ugandës, Yoweri Kaguta Museveni, ku thuhet se vendi i tij e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në letrën e tij, Museveni flet rreth takimit që ka pasur me Pacollin, gjatë të cilit ky i fundit e kishte informuar rreth fakteve të reja dhe situatës në Kosovë, që pas shpalljes së pavarësisë, ka filluar procesin e ndërtimit të një shteti modern, demokratik dhe me perspektivë evropiane.
“Gjatë bisedës sonë e kuptova se Kosova kujdeset për pakicat dhe i respekton të drejtat e njeriut. Ju po ashtu më keni njoftuar se deklarata është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, siç edhe është konfirmuar nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Qeveria jonë e kupton në tërësi vullnetin e popullit tuaj për liri dhe pavarësi; ne qëndrojmë prapa kombeve tjera që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, thuhet mes tjerash në letrën e presidentit të Ugandës, i cili shton se qeveria e tij planifikon të krijojë marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Kosovën. 

Kosova po afirmohet çdo ditë

Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto katër vite shtet- ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në takimin që mbajti me përfaqësues të organizatave rinore nga Kosova dhe Shqipëria, pikërisht në kuadër të katërvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Haxhinasto theksoi se Republika e Kosovës po afirmohet çdo ditë e më tepër si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai vuri në dukje arritjet e shtetit të Kosovës, ku deri tani është njohur ndërkombëtarisht nga 87 vende dhe me progres të rëndësishëm në rrugën drejt proceseve eurointegruese.
“Shqipëria mbështet procesin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, dhe faktet tregojnë që këto njohje po vijojnë. Shqipëria gjithashtu mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe tashmë janë hedhur hapat e parë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj. Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO dhe në nismat dhe organizatat e tjera rajonale e ndërkombëtare. Kosova është ulur disa herë në tavolinën e formatit A5 të Kartës së Adriatikut, dhe ne dëshirojmë që Kosova të jetë pjesë e këtyre tryezave edhe në të ardhmen”, theksoi ministri Haxhinasto.
Nga ana tjetër, Aleanca Kuq e Zi në katërvjetorin e pavarësisë, vlerëson se shpallja e Kosovës shtet u dha fund luftërave Ballkanike.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Aleanca Kuq e Zi thekson se Kosova e meriton lirinë, ndërkohë që shprehet se festës së kosovarëve u bashkohen edhe zemrat e shqiptarëve. AK nderon me lavdi heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë shpreh mirënjohje të thellë për partnerët SHBA dhe NATO që mbështetën Kosovën në rrugën e saj. Në përfundim të mesazhit Aleanca deklaron se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe apelon të mos lejohen pazare me kufijtë e saj.

Berisha: Rugova- arkitekti i Kosovës së pavarur

Me rastin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka dërguar një mesazh urimi kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Në këto katër vjet Republika e Kosovës ka shënuar një progres domethënës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e funksionale të shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike. Më lejoni, i dashur zoti kryeministër, të ndaj me ku dhe tërë popullin e Kosovës kënaqësinë për fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe procesin përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur, duke mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit si demokraci e pavarur, sovrane dhe multietnike”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Berishës.
Duke ndarë vizionin e përbashkët për integrimin evropian, ai ka thënë se është i bindur që bashkëpunimi mes dy vendeve do të shndërrohet në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon, duke dhënë kontributin në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Ndërkohë, të premten Berisha ishte i pranishëm, në ceremoninë e emërtimit të një prej rrugëve qendrore të Tiranës- “Ibrahim Rugova”, në nderim të frymëzuesit të lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe Presidentit të parë të Republikës së Kosovës.
Kryeministri shqiptar vlerësoi figurën e presidentit Rugova si “arkitektin e Kosovës së pavarur” dhe theksoi faktin se kjo ceremoni zhvillohet “në një ditë të madhe për shqiptarët”, 17 shkurtin, shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Jemi mbledhur sot, këtu, për të shprehur nderimin tonë ndaj burrit vizionar që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, pas Ismail Qemalit, këto shekujt e fundit, Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomunistë në Ballkanin e diktaturave komuniste, është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historisë e Shqipërisë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera evropiane, është arkitekti i Kosovës së pavarur. Ndaj, sot, çfarëdo nderimi që ne të shprehim ndaj tij, me asgjë nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton. Pas luftërave, një seri kombesh njohën ndarje dhe copëtime, por historia fakton, vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash e mbi të gjitha, se ne nxorëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova, nxorëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme në rezistencën, heroizmin dhe përpjekjet për liri të kombit të tyre, si Adem Jashari”, deklaroi Berisha me këtë rast.

‘Rreth korrupsionit të përbashkuar’

“Politikanët rreth korrupsionit të përbashkuar”- ishte slogani i protestës qytetare me të cilin Lëvizja “Fol” nisi festimin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, me të cilën ajo shprehu pakënaqësinë për nivelin e lartë të korrupsionit në vend.
Sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, në vend se qeveritarët të japin llogari para qytetarëve që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, ata festojnë, në mënyrë që të largohet vëmendja e tyre.
“‘Politikanë rreth korrupsionit të përbashkuar’ reflekton më mirë se gjithçka tjetër lidhjen e pashkëputshme të politikanëve me korrupsionin. Në këtë kuptim, para se politikanët të festonin katërvjetorin e pavarësisë, ata në fakt do të duhej të jepnin llogari, sepse Kosova renditet ndër vendet më të korruptuara në botë, sepse korrupsioni është shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes”, ka thënë hulumtuesi pranë Lëvizjes “Fol”, Armend Mazreku, ndërsa transmeton Kosovapress.
Sipas tij, korrupsioni qeveritar e ka sjellë varfërinë dhe papunësinë më të lartë në Evropë dhe që e ardhmja e shtetit tonë është vënë në pikëpyetje. Mazreku ka thënë se politikanët edhe pse kanë mospajtime të ndryshme, pikëtakimi i tyre është korrupsioni. 

Prekazi- vendi ku u bë kthesa e madhe

Me rastin e festës së 17 Shkurtit, katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, bëri homazhe te varri i komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prekaz.
Me këtë rast, kryeparlamentari fillimisht uroi të gjithë qytetarët për ditën e pavarësisë dhe të lirisë, ndërkaq theksoi se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e shohin obligim dhe përgjegjësi për të bërë nderime, aty ku historia ka ndryshuar rrjedhat e saj pozitive.
“Ne ishim këtu për të vendosur lule për pavarësinë e Kosovës dhe jemi të bindur që të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës e kanë kontributin e vet për këtë ditë. Por, kryekontributi për këtë, është në këtë lagje. Të gjitha shenjat janë këtu, meqë këtu është bërë një ngjarje e madhe dhe një kthesë e madhe”, theksoi Krasniqi.
Sipas tij, kjo kthesë dhe kjo ngjarje “i ka hapur perspektivat si qytetarë, si institucione, si politikë, si vend që pretendojmë që vërtet ta gëzojmë këtë të cilën e kemi arritur dhe t’i konsolidojmë institucionet, si dhe të krijojmë siguri dhe kualitete tjera për jetën e qytetarëve të Kosovës”.
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, me ç’rast u uroi festën e pavarësisë së Kosovës.

Referendumi, episod banal për prosperitetin e Serbisë

Kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama,e ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, si dhe uroi publikisht kryeministrin Hashim Thaçi për suksese të mëtejshme në drejtimin e qeverisë së Kosovës për të mirën e vendit dhe qytetarëve.
Në një konferencë për media, Rama ka thënë se partia që drejton dhe opozita në tërësi do të jetë në krah të Kosovës dhe qeverisë së saj e njëkohësisht do të jetë kundër çdo përpjekjeje për të mos e pranuar sovranitetin e shtetit të Kosovës, me synim kthimet e pamundura prapa në një të shkuar që Kosova e ka lënë pas njëherë e përgjithmonë.
Duke falënderuar edhe ndërkombëtarët për kontributin e dhënë, kreu i PS-së theksoi se sa më shumë Serbia ta zgjasë lidhjen e vet me të shkuarën, aq më shumë humbet për të ardhmen e saj.
"Kosova u ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë dhe duke e ndjekur pas këtë shtet, Serbia nuk bën gjë tjetër veçse mban veten lidhur në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Edhe referendumi pa përmbajtje nuk ishte gjë tjetër veçse një episod banal për prosperitetin e Serbisë", ka deklaruar Rama.

Të vazhdojë me sukses rruga e ndërtimit të shtetit

Ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës nëpër vendet e tjera, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë shënuar katërvjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, me ceremoni solemne të organizuara me këtë rast.
MPJ njofton se në pritjet e organizuara, kanë marrë pjesë personalitete të shquara të vendeve ku janë hapur ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, përfaqësues të jetës politike e publike të këtyre shteteve, si dhe diplomatë të huaj e bashkatdhetarë tanë të cilët jetojnë në këto vende. Ceremonitë solemne janë karakterizuar nga prania e shumë miqve të Kosovës, të cilët kanë shprehur bindjen e plotë se Kosova do të vazhdojë me sukses të plotë rrugën drejt ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit.
Ata, përmes stafit diplomatik përkatësisht konsullor të Kosovës, kanë uruar popullin dhe udhëheqësit politikë të Kosovës për vendosmërinë e tyre në ecjen përpara, me theks të veçantë në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër, stafi diplomatik përkatësisht konsullor i Republikës së Kosovës në shtetet pritëse, në emër të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar përfaqësuesit e vendeve mike dhe diplomatët e tjerë të pranishëm, për mbështetjen që po i ofrojnë Kosovës dhe kanë premtuar vazhdimin e angazhimit të plotë të shtetit dhe diplomacisë kosovare për forcimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës.

Tirana uron duke emëruar një rrugë “Ibrahim Rugova”

Në katërvjetorin Pavarësisë së Kosovës, Tirana do t’i japë një rruge në kryeqytet emrin “Ibrahim Rugova”. Bashkia e Tiranës me këtë rast ka pritur kreun e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
BalkanWeb njofton se kryebashkiaku Lulzim Basha pas takimit me Isa Mustafën, gjeti rastin të urojë qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se mes Tiranës e Prishtinës do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi.
“Dua t’i uroj për katërvjetorin e Pavarësisë, për këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët kudo që jetojnë dhe qytetarët e Kosovës. Gjatë bisedës u ndalëm në fushat e përbashkëta të qeverisjes lokale dhe problematikat me të cilat ndeshemi, me përvojat dhe me një plan bashkëpunimi që do ta konkretizojmë në vizitën time në Kosovë”, ka deklaruar Basha, duke shtuar se takimin me Mustafën do ta pasojë dhënia e emrit "Ibrahim Rugova", të një rruge pranë pallatit të Shallvareve, ku i pranishëm do të jetë edhe kryeministri Sali Berisha.
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, është shprehur se ndjehet i privilegjuar që në katërvjetorin e Pavarësisë, Tirana i dhuron Kosovës një rrugë me emrin e presidentit legjendar të Kosovës.
“E ndjej vetën të privilegjuar që katërvjetorin e Pavarësisë ta festojmë në Tiranë bashkërisht. Ju falënderoj për hapjen e një rruge me emrin e presidentit historik. Ky është një nder i veçantë për ne, jo vetëm për respektin që tregoni ndaj figurës së tij, por edhe për kosovarët që janë flijuar për vlerat e demokracisë që sot po i jetojmë”, ka theksuar Mustafa.
Mustafa nënvizoi nevojën e eksperiencës dhe ndihmës që Shqipëria mund t’ia ofrojë Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, ndërkohë u shpreh entuziast për programe të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Kosova do të jetë si e duam

Pavarësia e Republikës së Kosovës, që u shpall katër vjet më parë, është angazhim dhe përpjekje e jashtëzakonshme njëshekullore, është fryt i punës së shumë brezave, që punuan dhe u sakrifikuan në altarin e lirisë që ne sot të jemi të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm me popujt e tjerë të botës- ka thënë presidentja Jahjaga në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ditën e katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë.
“Në këtë ditë, me krenari kujtojmë të gjithë ata që asnjëherë nuk pushuan së punuari për atdheun, ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë të thjeshtë që secili në jetën dhe në punën e vet të përditshme i dhanë kontribut çështjes sonë madhore kombëtare, që është njëherit edhe një çështje humane, një çështje civilizuese, si është liria dhe vetëvendosja e popullit. Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera, në mënyrë të barabartë dhe në reciprocitet të plotë”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja tha se Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet.
“Të gjithë qytetarët, pa dallim, të ardhmen e Kosovës e shohin në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me angazhimin e punën e shumë veprimtarëve, me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të miqve tanë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin dhe shpërnguljen e dhunshme dhe për të larguar përgjithmonë hegjemonizmin nga kjo pjesë e Evropës”, deklaroi shefja e shtetit.
Sipas presidentes, Kosova ka arritur suksese në të gjitha fushat dhe ne e kemi të sigurt të ardhmen tonë, si një vend me demokraci të zhvilluar, me ekonomi që shfrytëzon resurset dhe mendon për gjeneratat e ardhshme dhe sidomos me rini të edukuar dhe të shkolluar, të aftë për të punuar dhe për të kontribuar për atdheun tonë.
“Vendin tonë e çojmë përpara me përkushtim, me mirëkuptim, me ndihmë e solidaritet ndaj njeri tjetrit, me punë profesionale e vetëmohuese, me qasje të përgjegjshme ndaj punës, mësimit dhe angazhimit, duke kontribuar secili në fushën e vet, aty ku është caktuar dhe aty ku vlerësohet. Kosova do të jetë ashtu çfarë ne e duam”, ka përfunduar fjalën e saj presidentja Jahjaga.

Apple bie në Kinë, tregu 1 miliard përdorues

Pjesëmarrja e Apple në Kinë ka rënë ndjeshëm për periudhën tetor-dhjetor, pasi që tregu është vërshuar nga markat e lira të telefonave mobil, si dhe për shkak të ndërprerjes së përkohshme të shitjeve të iPhone 4S.
Kina, tregu më i madh botëror i telefonave mobil nuk ka qenë një detyrë e lehtë për Apple, pasi që përpor konkurrencës, kompania amerikane gjithashtu është ballafaquar edhe me kontestin ligjor lidhur me emrin e tabletit të saj, iPad, si dhe problemet me autoritetet për pagat dhe kushtet e punës së punëtorëve.
Derisa numri i përdoruesve mobil në Kinë po afrohet në 1 miliardë, konkurrenca mes rivalëve si LG, Samsung, Nokia, Huawei dhe ZTE është shumë e madhe.
Në tregun e madh kinez, Apple ka pësuar rënie të rëndësishme duke u radhitur tani si prodhuesi i pestë në treg, pasi është kaluar nga ZTE, ndërsa pjesëmarrja e saj ka rënë nga 10.4 në 7.5.

Caktoni datën e festivalit veror me Unikkatilin

Kompania POWOW Entertainment ka kërkuar ndihmën e të gjithë fansave të Unikkatilit dhe adhuruesve të muzikës, për të vendosur së bashku datat e festivalit treditor që pritet të mbahet gjatë verës.
Ashtu siç kishim mësuar nga burimet tona, festivali do të mbahet për tri ditë gjatë korrikut dhe opsionet e hapura për POWOW Enterainment janë dy, 6-7-8 korrik dhe 13-15-16 korrik.
Unikkatili kishte nënshkruar për të performuar në koncertin e tij të parë dhe të fundit në Prishtinë, i cili do të mbahet gjatë festivalit të lartpërmendur, kurse për të ndihmuar organizatorin që të vendosë datën e koncertit me mbretin e repit shqiptar, klikoni këtu.
Sondazhi i hapur për datën e festivalit - Voto.

BabaStars vijnë me “Black n’ White

Hip-hop ‘labeli’ i njohur kosovar, BabaStars, pritet që të bombardojë edhe njëherë fuqishëm skenën e repit shqiptar, pasi besohet se grupet Skillz dhe Tingulli 3nt janë në përgatitje të bashkëpunimit të ri.
Sipas burimeve të Telegrafit, kënga e regjistruar në studiot e reja të BabaStars do të titullohet “Black n’ White”, ndërsa nuk dihet ende çfarë domethënie ka ky titull.
Bashkëpunimi i radhës i grupeve pas hiteve “A e din se” dhe “High” besohet të jetë punuar nga Trakla, përderisa ai do të jetë pjesë e albumit të ri të Skillz, i cili do të lansohet së shpejti.
Ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga ndonjë prej reperëve apo pjestarëve të BabaStars.

Jankovic: Marrëveshjet mund t’i ndryshojnë raportet

Lideri i partisë Sllovenia Pozitive, Zoran Jankovic, ka deklaruar se shpreson që marrëveshjet e arritura dhe ato që do të arrihen mes Kosovës dhe Serbisë, të ndryshojnë atmosferën e raporteve mes dy vendeve.
“Kanë ndodhur shumë ndryshime, para së gjithash në fushën e demokratizimit të shtetit (Serbisë), prandaj është e nevojshme që të gjeni edhe rrugën e zgjidhjes së kontestit me Kosovën. Sigurisht, gjithçka varet nga Serbia dhe Kosova dhe nga ajo se çfarë marrëveshjesh do të arrihen”, ka deklaruar në një intervistë për Blicish-kryetari i Lubjanës dhe “kryeministri i paprovuar” slloven, aktualisht deputet në Parlamentin e Sllovenisë.
Ai ka thënë se çështjet, si kadastrat, tabelat, lëvizja e lirë, doganat dhe përfaqësimi rajonal i Kosovës, si edhe të tjerat që do të vijnë në rend dite, janë gjëra që do të duhej ta lehtësonin bashkëpunimin ndërkufitar dhe jetën e njerëzve.
“Marrëveshjet e tilla dalëngadalë mund ta ndryshojnë atmosferën e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, she shpresoj se në të ardhmen do ta presim momentin kur çështja mes Beogradit dhe Prishtinës do të zgjidhet përfundimisht, mirëpo kjo në tërësi varet nga të dyja palët”, ka vlerësuar Jankovic.

‘Brukseli nuk ka ofruar zgjidhje, por vetëm zgjatje’

Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e të gjitha pakicave dhe madje i jep pakicës serbe më shumë të drejta, dhe ndoshta është pakica serbe më e privilegjuara në gjithë Evropën. Një ndarje sipas parimeve etnike do t’i jepte një shtytje forcave nacional-fashiste në Evropë dhe do ta bënte me të vështirë luftën për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Kështu mendon gazetari Erich Rathfelder, i cili qe 20 vite punon si korrespondent për Ballkanin në gazetën Tageszeitung.
“Një ndarje e Kosovës nuk vjen aspak në pyetje. Edhe pse shumë njerëz e shohin këtë si një zgjidhje të arsyeshme si për palën serbe, ashtu edhe për atë kosovare. Por nëse dikush do të shkëmbente Preshevën dhe Bujanocin me veriun e Kosovës, atëherë do të dilnin probleme të tjera serioze, që do të shqetësonin të gjithë Evropën. Kosovën me planin Ahtisaari dhe me territorin e sotëm aktual e kanë njohur tashme mbi 80 shtete. Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve do të eliminonte bazën për njohjen diplomatike. Atëherë do të duhej të fillonte i gjithë procesi përsëri nga e para”, ka deklaruar Rathfelder për Deutsche Welle.
Sipas tij, te serbët e veriut sundon një përzierje nga frikët dhe nga pushteti politik i klanit të mafies, nga ideologjia nacionaliste dhe kërcënimet me dhunë. Ai thotë se serbët atje nuk janë të lirë në vendimet e tyre, prandaj rezultati i referendumit nuk do të njihet. Plani i Ahtisaarit u jep atyre të gjitha mundësitë për të jetuar në shtetin e ri, ndërsa parakusht për një zhvillimin paqësor është qe forca e pushtetmbajtësve aktualë të ndërpritet dhe kjo është detyrë edhe e bashkësisë ndërkombëtare- thekson gazetari.
Duke komentuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Rathfelder thotë se kjo është dobësi e unionit dhe paaftësi për të zhvilluar një politikë të përbashkët të jashtme.
“Këto pesë shtete i kanë shpjeguar arsyet për qëndrimin e tyre. Ato nuk janë bindëse. Spanja është tashmë duke e përpunuar qëndrimin e saj. Paaftësia për të zhvilluar një politikë të përbashkët të jashtme është sigurisht një dobësi e BE-së. Komisarja e tanishme për politikë të jashtme në BE, zonja Ashton nuk tregon asnjë profil të ri. Por unë nuk mendoj se ky qëndrim ka të bëjë me interesin në rënie për Kosovën. Merrni si shembull qëndrimin e qartë të Angela Merkelit, gjatë vizitës së saj në Beograd vitin e kaluar, që ka pasur jehonë të madhe. Edhe në Bruksel. Burokracia u zgjua e trembur. Evropa nuk mund të fshihet pas argumentit, se në botë ka kaq shumë pika të reja konflikti dhe BE-ja, kryesisht vendet e euro-zonës, ka vetë telashe. Distancimi nga Kosova pasqyron akoma pikëpamjet e shumë politikanëve në Evropë, që duan ta mbajnë afër Serbinë, sepse nuk duhet kërkuar shumë nga Serbia. Askush nuk dëshiron të ketë konflikte”, ka deklaruar ai.
Më tej, Rathfelder ka qartësuar se pa presionin e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën. “Serbia do të duhej të zgjedhë midis Evropës dhe Kosovës. Në qoftë se dëshiron integrimin, atëherë duhet t'i ndalojë lojërat politike në Kosovë. Pra ajo duhet të jetë në qendër të vëmendjes së Evropës”.
“Unë shpresoj vetëm që Gjermania qëndron në pozicionin e shprehur nga kancelarja në Beograd dhe e detyron BE–në ta mbajë këtë linjë. Serbia vazhdimisht për t'i dalë para kësaj, si Brukseli që ka bërë deri tani, nuk ofron asnjë zgjidhje të konfliktit, por vetëm një zgjatje të tij. Unë frikësohem që Merkeli në këtë çështje nuk ka shumë aleatë”, ka shtuar Rathfelder. 

Nuk mund dhe nuk do të ketë ndarje

Referendumi i serbëve në veri nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë pasojash juridike. Beogradi ende nuk ka hequr dorë nga mendimet për ndarjen e Kosovës, por nuk do të ketë as ndarje e as shkëmbime territoresh. Kështu është shprehur Johanna Deimel, zëvendëskryetare e Shoqatës për Evropën Juglindore, në një intervistë për Deutsche Welle.
“Ky referendum në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë domethënie juridike. Këtë e kanë thënë të gjithë. Bashkësia ndërkombëtare, Beogradi dhe Prishtina e kanë shpallur menjëherë si jo legal dhe të pavlefshëm. Natyrisht që ky referendum shpreh disponimin e serbëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe në këtë mënyrë mund të ketë një ndikim indirekt”, ka thënë Deimel, duke shtuar se ka pasur shumë njerëz që nuk kanë dashur dalin në vendvotime, por ka pasur presion që ata të dalin dhe të votojnë.
Duke komentuar mundësinë që Serbia në të ardhmen të shfrytëzojë këtë referendum si argument në kërkesat për ndarjen e Kosovës, ajo thotë se “kjo nuk është asgjë e re, sepse Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës kaherë e kanë përdorur këtë argument”. Megjithatë- thotë Deimel- serbët në veri po luajnë me zjarr, sepse mund të mbeten të izoluar si nga Beogradi ashtu edhe nga institucionet e Kosovës.
Sipas saj, Beogradi ende nuk ka hequr dorë në tërësi nga mendimet për ndarjen e Kosovës, por ajo thotë se nuk do të ketë as ndarje e as shkëmbime territoresh.
“Ambiciet për ndarjen e Kosovës ekzistojnë kaherë. Por jam shumë e sigurt që bashkësia ndërkombëtare në asnjë mënyrë nuk do të dakordohet me ndarjen. Që në fillim janë vënë vijat e kuqe - nuk mund dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, ka theksuar Deimel.
Për më shumë, ajo ka deklaruar se për të marrë statusin e kandidatit, Beogradi duhet të ofrojë garanci dhe të plotësojë kushtet e shtruara nga Berlini, i cili është relativisht strikt në kërkesat e veta. “Berlini ka hedhur në tavolinë kërkesat e tij dhe nuk do të kënaqet vetëm me premtime gojore”. 

Kosova feston!

Katër vite më parë, më 17 Shkurt të vitit 2008, u plotësuan ëndrrat shekullore të shqiptarëve, për liri, pavarësi dhe për një shtet të ri të Kosovës, duke ndërruar kështu historinë e këtij vendi dhe duke e shndërruar atë në shtet të pavarur dhe sovran.
Sot është një ditë madhështore, një ditë feste, ku të gjithë duhet të festojnë me harmoni dhe tolerancë, dhe në asnjë moment duke mos i harruar ATA, falë të cilëve, Kosova mund t’i gëzohet kësaj dite, e cila ndoshta nuk është pikërisht ashtu si e menduan, por është në rrugë për t’u bërë e tillë.
Pas katër vitesh, Kosova është njohur nga 87 shtete, ndër to edhe vendet më me ndikim, me demokraci dhe ekonomi më të zhvilluar në botë. Megjithatë, ky numër vlerësohet të jetë ende i vogël për aspiratat e shtetit më të ri evropian. Po ashtu, Kosova vazhdon të ballafaqohet ende me sfida të sundimit të rendit dhe ligjit, shkallë të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar dhe mungesës së shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit.
Ndërkohë, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, që u mbajt të enjten me rastin e katërvjetorit të pavarësisë, theksuan se katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një tregim të suksesit.
Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate, me në krye SHBA-të. Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës, ndërsa shtoi se Republika e Kosovës është një tregim i suksesit, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se shpallja e pavarësisë ishte sublimim i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Sipas tij, për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.
Duke vlerësuar se Pavarësia e Kosovës është një nga datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, i cili me 17 Shkurt 2008 vulosi realizimin e ëndrrës së të gjithë atyre që nuk kursyen asgjë për këtë ditë të shenjtë, Stafi i Telegrafit të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës ua uron 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. 

Thaçi dhe Mustafa ‘festojnë’ 17 Shkurtin në Tiranë

Jo vetëm kreu i LDK-së dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, por edhe kreu i PDK-së dhe i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi Ditën e Pavarësisë së vendit do ta kalojnë në Tiranë.
Zyrtarë nga kabineti i kryeministrit Thaçi kanë bërë të ditur se Thaçi nesër do të bëjë përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, raporton Koha.
Kreu i Prishtinës, ndërkaq, do të marrë pjesë në ceremoninë që e organizon Bashkia e Tiranës me rastin e emërtimit të një rruge të kryeqytetit shqiptar me emrin “Ibrahim Rugova”.