Me rastin e festës së 17 Shkurtit, katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, bëri homazhe te varri i komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prekaz.
Me këtë rast, kryeparlamentari fillimisht uroi të gjithë qytetarët për ditën e pavarësisë dhe të lirisë, ndërkaq theksoi se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e shohin obligim dhe përgjegjësi për të bërë nderime, aty ku historia ka ndryshuar rrjedhat e saj pozitive.
“Ne ishim këtu për të vendosur lule për pavarësinë e Kosovës dhe jemi të bindur që të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e Kosovës e kanë kontributin e vet për këtë ditë. Por, kryekontributi për këtë, është në këtë lagje. Të gjitha shenjat janë këtu, meqë këtu është bërë një ngjarje e madhe dhe një kthesë e madhe”, theksoi Krasniqi.
Sipas tij, kjo kthesë dhe kjo ngjarje “i ka hapur perspektivat si qytetarë, si institucione, si politikë, si vend që pretendojmë që vërtet ta gëzojmë këtë të cilën e kemi arritur dhe t’i konsolidojmë institucionet, si dhe të krijojmë siguri dhe kualitete tjera për jetën e qytetarëve të Kosovës”.
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, me ç’rast u uroi festën e pavarësisë së Kosovës.