Kosova do të jetë si e duam

Pavarësia e Republikës së Kosovës, që u shpall katër vjet më parë, është angazhim dhe përpjekje e jashtëzakonshme njëshekullore, është fryt i punës së shumë brezave, që punuan dhe u sakrifikuan në altarin e lirisë që ne sot të jemi të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm me popujt e tjerë të botës- ka thënë presidentja Jahjaga në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ditën e katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë.

“Në këtë ditë, me krenari kujtojmë të gjithë ata që asnjëherë nuk pushuan së punuari për atdheun, ata veprimtarë, ata intelektualë, ata luftëtarë, ata punëtorë, ata bujq, ata qytetarë të thjeshtë që secili në jetën dhe në punën e vet të përditshme i dhanë kontribut çështjes sonë madhore kombëtare, që është njëherit edhe një çështje humane, një çështje civilizuese, si është liria dhe vetëvendosja e popullit. Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera, në mënyrë të barabartë dhe në reciprocitet të plotë”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja tha se Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet.
“Të gjithë qytetarët, pa dallim, të ardhmen e Kosovës e shohin në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me angazhimin e punën e shumë veprimtarëve, me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të miqve tanë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin dhe shpërnguljen e dhunshme dhe për të larguar përgjithmonë hegjemonizmin nga kjo pjesë e Evropës”, deklaroi shefja e shtetit.
Sipas presidentes, Kosova ka arritur suksese në të gjitha fushat dhe ne e kemi të sigurt të ardhmen tonë, si një vend me demokraci të zhvilluar, me ekonomi që shfrytëzon resurset dhe mendon për gjeneratat e ardhshme dhe sidomos me rini të edukuar dhe të shkolluar, të aftë për të punuar dhe për të kontribuar për atdheun tonë.
“Vendin tonë e çojmë përpara me përkushtim, me mirëkuptim, me ndihmë e solidaritet ndaj njeri tjetrit, me punë profesionale e vetëmohuese, me qasje të përgjegjshme ndaj punës, mësimit dhe angazhimit, duke kontribuar secili në fushën e vet, aty ku është caktuar dhe aty ku vlerësohet. Kosova do të jetë ashtu çfarë ne e duam”, ka përfunduar fjalën e saj presidentja Jahjaga.