‘Rreth korrupsionit të përbashkuar’

“Politikanët rreth korrupsionit të përbashkuar”- ishte slogani i protestës qytetare me të cilin Lëvizja “Fol” nisi festimin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, me të cilën ajo shprehu pakënaqësinë për nivelin e lartë të korrupsionit në vend.

Sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, në vend se qeveritarët të japin llogari para qytetarëve që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, ata festojnë, në mënyrë që të largohet vëmendja e tyre.
“‘Politikanë rreth korrupsionit të përbashkuar’ reflekton më mirë se gjithçka tjetër lidhjen e pashkëputshme të politikanëve me korrupsionin. Në këtë kuptim, para se politikanët të festonin katërvjetorin e pavarësisë, ata në fakt do të duhej të jepnin llogari, sepse Kosova renditet ndër vendet më të korruptuara në botë, sepse korrupsioni është shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes”, ka thënë hulumtuesi pranë Lëvizjes “Fol”, Armend Mazreku, ndërsa transmeton Kosovapress.
Sipas tij, korrupsioni qeveritar e ka sjellë varfërinë dhe papunësinë më të lartë në Evropë dhe që e ardhmja e shtetit tonë është vënë në pikëpyetje. Mazreku ka thënë se politikanët edhe pse kanë mospajtime të ndryshme, pikëtakimi i tyre është korrupsioni.