Kosova po afirmohet çdo ditë

Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto katër vite shtet- ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në takimin që mbajti me përfaqësues të organizatave rinore nga Kosova dhe Shqipëria, pikërisht në kuadër të katërvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Haxhinasto theksoi se Republika e Kosovës po afirmohet çdo ditë e më tepër si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai vuri në dukje arritjet e shtetit të Kosovës, ku deri tani është njohur ndërkombëtarisht nga 87 vende dhe me progres të rëndësishëm në rrugën drejt proceseve eurointegruese.
“Shqipëria mbështet procesin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, dhe faktet tregojnë që këto njohje po vijojnë. Shqipëria gjithashtu mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe tashmë janë hedhur hapat e parë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj. Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO dhe në nismat dhe organizatat e tjera rajonale e ndërkombëtare. Kosova është ulur disa herë në tavolinën e formatit A5 të Kartës së Adriatikut, dhe ne dëshirojmë që Kosova të jetë pjesë e këtyre tryezave edhe në të ardhmen”, theksoi ministri Haxhinasto.
Nga ana tjetër, Aleanca Kuq e Zi në katërvjetorin e pavarësisë, vlerëson se shpallja e Kosovës shtet u dha fund luftërave Ballkanike.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Aleanca Kuq e Zi thekson se Kosova e meriton lirinë, ndërkohë që shprehet se festës së kosovarëve u bashkohen edhe zemrat e shqiptarëve. AK nderon me lavdi heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë shpreh mirënjohje të thellë për partnerët SHBA dhe NATO që mbështetën Kosovën në rrugën e saj. Në përfundim të mesazhit Aleanca deklaron se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe apelon të mos lejohen pazare me kufijtë e saj.