Kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama,e ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, si dhe uroi publikisht kryeministrin Hashim Thaçi për suksese të mëtejshme në drejtimin e qeverisë së Kosovës për të mirën e vendit dhe qytetarëve.
Në një konferencë për media, Rama ka thënë se partia që drejton dhe opozita në tërësi do të jetë në krah të Kosovës dhe qeverisë së saj e njëkohësisht do të jetë kundër çdo përpjekjeje për të mos e pranuar sovranitetin e shtetit të Kosovës, me synim kthimet e pamundura prapa në një të shkuar që Kosova e ka lënë pas njëherë e përgjithmonë.
Duke falënderuar edhe ndërkombëtarët për kontributin e dhënë, kreu i PS-së theksoi se sa më shumë Serbia ta zgjasë lidhjen e vet me të shkuarën, aq më shumë humbet për të ardhmen e saj.
"Kosova u ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë dhe duke e ndjekur pas këtë shtet, Serbia nuk bën gjë tjetër veçse mban veten lidhur në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Edhe referendumi pa përmbajtje nuk ishte gjë tjetër veçse një episod banal për prosperitetin e Serbisë", ka deklaruar Rama.