Me rastin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i ka dërguar një mesazh urimi kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Në këto katër vjet Republika e Kosovës ka shënuar një progres domethënës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e funksionale të shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike. Më lejoni, i dashur zoti kryeministër, të ndaj me ku dhe tërë popullin e Kosovës kënaqësinë për fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe procesin përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur, duke mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit si demokraci e pavarur, sovrane dhe multietnike”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Berishës.
Duke ndarë vizionin e përbashkët për integrimin evropian, ai ka thënë se është i bindur që bashkëpunimi mes dy vendeve do të shndërrohet në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërshtetëror në rajon, duke dhënë kontributin në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Ndërkohë, të premten Berisha ishte i pranishëm, në ceremoninë e emërtimit të një prej rrugëve qendrore të Tiranës- “Ibrahim Rugova”, në nderim të frymëzuesit të lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe Presidentit të parë të Republikës së Kosovës.
Kryeministri shqiptar vlerësoi figurën e presidentit Rugova si “arkitektin e Kosovës së pavarur” dhe theksoi faktin se kjo ceremoni zhvillohet “në një ditë të madhe për shqiptarët”, 17 shkurtin, shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Jemi mbledhur sot, këtu, për të shprehur nderimin tonë ndaj burrit vizionar që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër, pas Ismail Qemalit, këto shekujt e fundit, Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomunistë në Ballkanin e diktaturave komuniste, është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historisë e Shqipërisë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera evropiane, është arkitekti i Kosovës së pavarur. Ndaj, sot, çfarëdo nderimi që ne të shprehim ndaj tij, me asgjë nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton. Pas luftërave, një seri kombesh njohën ndarje dhe copëtime, por historia fakton, vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash e mbi të gjitha, se ne nxorëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova, nxorëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme në rezistencën, heroizmin dhe përpjekjet për liri të kombit të tyre, si Adem Jashari”, deklaroi Berisha me këtë rast.