Referendumi i serbëve në veri nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë pasojash juridike. Beogradi ende nuk ka hequr dorë nga mendimet për ndarjen e Kosovës, por nuk do të ketë as ndarje e as shkëmbime territoresh. Kështu është shprehur Johanna Deimel, zëvendëskryetare e Shoqatës për Evropën Juglindore, në një intervistë për Deutsche Welle.
“Ky referendum në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë domethënie juridike. Këtë e kanë thënë të gjithë. Bashkësia ndërkombëtare, Beogradi dhe Prishtina e kanë shpallur menjëherë si jo legal dhe të pavlefshëm. Natyrisht që ky referendum shpreh disponimin e serbëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe në këtë mënyrë mund të ketë një ndikim indirekt”, ka thënë Deimel, duke shtuar se ka pasur shumë njerëz që nuk kanë dashur dalin në vendvotime, por ka pasur presion që ata të dalin dhe të votojnë.
Duke komentuar mundësinë që Serbia në të ardhmen të shfrytëzojë këtë referendum si argument në kërkesat për ndarjen e Kosovës, ajo thotë se “kjo nuk është asgjë e re, sepse Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës kaherë e kanë përdorur këtë argument”. Megjithatë- thotë Deimel- serbët në veri po luajnë me zjarr, sepse mund të mbeten të izoluar si nga Beogradi ashtu edhe nga institucionet e Kosovës.
Sipas saj, Beogradi ende nuk ka hequr dorë në tërësi nga mendimet për ndarjen e Kosovës, por ajo thotë se nuk do të ketë as ndarje e as shkëmbime territoresh.
“Ambiciet për ndarjen e Kosovës ekzistojnë kaherë. Por jam shumë e sigurt që bashkësia ndërkombëtare në asnjë mënyrë nuk do të dakordohet me ndarjen. Që në fillim janë vënë vijat e kuqe - nuk mund dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, ka theksuar Deimel.
Për më shumë, ajo ka deklaruar se për të marrë statusin e kandidatit, Beogradi duhet të ofrojë garanci dhe të plotësojë kushtet e shtruara nga Berlini, i cili është relativisht strikt në kërkesat e veta. “Berlini ka hedhur në tavolinë kërkesat e tij dhe nuk do të kënaqet vetëm me premtime gojore”.