Qeveria e ka angazhuar FSK-në në Restelicë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcjellë nga afër gjendjen pas rënies së borës mbrëmë në komunat e rajonit të Dukagjinit, duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me kryetarët e komunave të Pejës, Gjakovës dhe Deçanit- thuhet në një komunikatë për media.
“Po ashtu, Qeveria ka angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për t’u dalë në ndihmë banorëve të fshatit Restelicë të komunës së Sharrit, ku helikopterët e KFOR-it nuk kanë mundur të aterojnë për shkak të kohës, ndërsa njësitet e FSK-së tanimë kanë arritur dhe do të angazhohen maksimalisht për ndihmë”, thuhet në komunikatë.
Më tej, theksohet se edhe kryeministri Hashim Thaçi është duke e përcjellë nga afër gjendjen duke qenë në kontakt me ministrin e Infrastrukturës, Fehmi Mujota, si dhe kryetarin e komunës së Sharrit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të këtij rajoni, Rasim Demiri e Duda Balje, të cilët janë në vend të ngjarjes.
Qeveria e Kosovës u ka shprehu ngushëllime familjeve të viktimave në fshatin Restelicë.

Restelicë, AAK kërkon masa shtesë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me shqetësim të thellë po i përcjell ngjarjet tragjike të ditës së sotme, në fshatin Restelicë të Dragashit, ku si pasojë e ortekut të borës humbën jetën dy persona dhe kanë mbetur të ngujuar në shtëpi disa të tjerë- thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
“AAK solidarizohet dhe ndan dhimbjen me familjet e viktimave dhe uron që të nxirren të gjallë personat tjerë të ngujuar nga bora në shtëpitë e tyre. AAK duke e vlerësuar kontributin e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’i shpëtuar personat e bllokuar, fton qeverinë që të marrë masa shtesë në shpëtimin e tyre dhe t’iu gjendet pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që pësuan nga kjo tragjedi”, thuhet në komunikatë.
AAK shpreson që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, ndërkohë që fton mekanizmat kompetentë t’u gjinden pranë banorëve të Restelicës dhe të marrin masa në parandalimin e tragjedive të tilla dhe vështirësive që po ua sjellë bora dhe moti i ftohtë qytetarëve në mbarë vendin.

Pas njohjes do të thellohet bashkëpunimi me Haitin

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vazhduar takimet me përfaqësues shtetërorë në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit, vendi i 87-të që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Hoxhaj fillimisht është takuar me kryeministrin e Haitit, Garry Conille, të cilin e ka falënderuar për vendimin e Qeverisë së tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me këtë vendim, Haiti iu është bashkuar shteteve të fuqishme e demokratike botërore, të cilat me njohjen e tyre i kanë kontribuar paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Kryeministri i Haitit ka vlerësuar se tani Haiti dhe Republika e Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik, ndërsa dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që së shpejti në mes të dy shteteve do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Haitit, Laurent Lamothe, pas një takimi zyrtar me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp kanë bërë publike njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Haiti.
Dy ministrat kanë deklaruar se Republika e Kosovës dhe Republika e Haitit shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike, përmes akreditimit të ambasadorëve jorezidentë, si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e arsimit.
Njohja nga ky shtet vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka intensifikuar maksimalisht përpjekjet për të përmbyllur procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ledri në lidhje me Dafinën?

Reperi i ‘labelit’ Baba Stars, Ledri Vula, besohet se është në një lidhje sekrete dashurie me pop yllin Dafina Zeqiri.
Është vetëm një thashethem ky që po qarkullon nëpër rrjetet sociale, pasi edhe vet yjet të cilët njihen për hitin “Pom Pëlqen” kanë publikuar foto të njëri-tjetrit.
Ata po ashtu janë parë më shpesh kohëve të fundit në shoqëri të njëri-tjetrit, duke dalë mbrëmjeve së bashku dhe në shoqëri të miqve të tjerë. Edne nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar sa i përket këtij spekulimi.

Martesa e Kim ishte reale

Planifikuesi i martesës së Kim Kardashian këmbëngul se ylli televiziv ishte martuar me basketbollistin Kris Humphries për arsye të drejta dhe natyrale.
Bukuroshja kërkoi ndarjen nga Kris Humphries pas vetëm 72 ditësh martesë, ndërsa shumë menduan se martesa e Kim u realizua për qëllime të përfitimit të saj material. Sidoqoftë, kështu nuk mendon planifikuesi i martesës së saj, Sharon Sacks, që thotë ose nuk kishte asgjë të false sa i përket relacionit të bukuroshes me basketbollistin.
“Unë kurrë nuk do të planifikoja një martesë të rrejshme. Kim u martua për arsyet e duhura dhe kështu edhe Kris, por është pikëlluese që janë ndarë. Ky do të duhej të ishte rrugëtimi i tyre drejt lumturisë. Kam ndjerë se ka shumë dashuri mes tyre. Nuk e di çfarë ndodhi”, potencoi Sacks

Mourinho kritikon mediat Mourinho kritikon mediat Mourinho kritikon mediat

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, përsëri ka kritikuar mediat për qëndrimin që po mbajnë ndaj tij, duke thënë se duhet të pyesin burimet e tyre imagjinare për të ardhmen e tij.
Është spekuluar që një kohë të gjatë për të ardhmen e portugezit, i cili si duket nuk di asgjë për spekulimet e mediave angleze.
“Unë mendoj se për të ardhmen time e dini përgjigjen. Unë nuk jam ai që po i ushqej këto spekulime. Nuk kam më asgjë për të thënë. Ju duhet të pyesni burimet tuaja, të cilat për juve janë anonime, por për mua më shumë se anonime janë imagjinare”, ka thënë Mourinho.

Djajtë të fortë për The Reds

Me rezultat 2-1 për vendasit ka përfunduar derbi më i madh i kësaj jave në futbollin evropian zhvilluar në Old Trafford mes rivalëve të vjetër, Manchester Unitedit dhe Liverpoolit.
Ishte kjo një sfidë mjaft e tensionuar, e cila u përcjell nga një lojë e dominuar kryesisht nga Djajtë, të cilët me anë të Rooneyt arritën të fitojnë takimin.
E gjithë vëmendja në fillim ishte te Luis Suarez, i cili gjatë përshëndetjeve tradicionale me lojtarët refuzoi t’ia shtrëngojë dorën mbrojtësit Patrice Evra, të cilin e kishte fyer në mënyrë raciste muaj më parë në Anfield. Kjo u përcjell nga reagime jo të natyrshme të lojtarëve të United.
Sidoqoftë, ndeshja vazhdoi me një baraspeshë të caktuar në dominim në fillimet e saj, derias United mori kontrollin mbi lojën.
Rastin më të mirë në këtë periudhë e pati Paul Scholes, i cili me kokë pas një harkimi të Giggs nuk arriti të shënojë nga afërsia.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, por gjithçka ndryshoi në fraksionin e dytë. Vlen të përmendet se gjatë hyrjes në tunel ka ndodhur një incident mes lojtarëve ku është dashur të intervenojë policia dhe sigurimi i stadiumit.
Pjesa e dytë vazhdoi në mënyrë normale...apo jo dhe aq normalisht. Kjo pasi Wayne Rooney me një volej të bukur kaloi në epërsi Manchester Unitedin (47’) pas vetëm dy minutave brenda pjesës së dytë.
Gëzimi i Djajve zgjati dhe u rrit në vazhdim përsëri nga njeriu i ndeshjes, Wayne Rooney (50’), i cili pa problem shënoi për 2-0 dhe epërsinë solide të Djajve në këtë takim.
Në vazhdim, Dalglish bën ndryshime. Largon dy mesfushë për të inkuadruar Craig Bellamyn dhe Andy Carrol, që tregohen lëvizje deri diku të qëlluara. Kurse nga ana tjetër, tifozët e Manchester United këndonin kore ngacmuese “Hey Suarez, sa është rezultati?”.
Dhe ishte pikërisht Luis Suarez ai që u kundërpërgjigj, pasi realizoi pas një pakujdesie në mbrojtje të Manchester United (80’).
Megjithatë, përkundër këtij goli Liverpooli nuk arriti të ndryshojë asgjë deri në fund të takimit dhe sfida përfundoi me rezultat 2-1 dhe fitoren e Manchester United që po shkon drejt titullit të 20-të.
Manchester United përkohësisht është lider me 58 pikë dhe pret rivalin Manchester Cityn që të zhvillojë takimin ndaj Aston Villas të dielën. Liverooli mbetet në pozitën e shtatë.

Suarez: E kam ndërgjegjen e pastër

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, thotë se ndërgjegja e tij është e pastër, pas polemikave raciste me mbrojtësin e Manchester United, Patrice Evra.
“Kurrë nuk kam përjtetuar diçka sikurse kjo në javët e kaluara”.
“Ka qenë shumë e vështirë, por kam tentuar që të qëndroj sa më profesionist. Çfarë ka ndodhur do të më ndjekë gjithmonë sikurse një fantazmë, por unë shkoj në Old Trafford me ndërgjegje të pastër”, tha uruguaini para duelit që po zhvillohet momentalisht në Old Trafford e ku refuzoi t'ia jep dorën Patrice Evras.

Jo 1244 në fusnotë

Çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës ka shkaktuar ngecje në procesit e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetësuesit evropianë të këtij dialogu duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, të pranueshme nga të dyja palët, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.
Ilir Deda nga Instituti Kipred, vlerëson se çështja e përfaqësimit të Kosovës me fusnotë, sipas propozimit të ndërmjetësuesit Robert Cooper, është e papranueshme të jetë me referencën “Rezoluta 12 44”.
“Edhe pse autoritetet e Kosovës tash janë në presion që ta pranojnë këtë përmendje të 1244-shit, nuk ma merr mendja që Kosova mund ta pranoj këtë. Kjo edhe një herë e tregon dobësinë e Brukselit që të ushtrojë një trysni të mirëfilltë karshi Beogradit”, thotë Deda për “Radio Evropa e Lirë”.
Njohësi tjetër i rrethanave politike, Ismail Hasani, thotë se në pikën në të cilën ka arritur procesi i dialogut Kosovë-Serbi, është i nevojshëm kompromisi për tejkalimin e “situatës së ngrirë”. Ai mendon se Kosova nuk mund të përfaqësohet me UNMIK apo me mekanizmat tjerë, që ai i quan paternaliste, për shkak se shteti i Kosovës është njohur ndërkombëtarisht prej një numri të konsiderueshëm të shteteve.
Në anën tjetër, Deda vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka arritur në pikën që nuk lejon kthim prapa.
“Edhe Kosova e edhe Serbia janë të ngurta në pozitat e veta. Por, megjithatë, mendoj se Kosova nuk e ka atë luks që të lëshojë pe në këtë”, thekson Deda.
Sipas Hasanit, çështja e fusnotës është banalizuar.
“Nuk është asnjë fatkeqësi nëse ndodh përfaqësimi në trajtën ‘Kosova’ ose ‘Kosovo’, për faktin se në një mënyrë të tillë përfaqësohet edhe Gjermania, si fuqi jo vetëm evropiane", mendon ai. "Por, problemi është që Brukseli duhet të tregojë shkallë më të lartë të seriozitetit, t’i disiplinojë të dy palët dhe të dalë me një propozim të ndërmjetëm.
Takimi i radhës ndërmjet palëve në dialog ende nuk është përcaktuar dhe ai mbetet peng i pajtimit të tyre lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal dhe përfaqësimit të Kosovës.

LDK kritikon politikën shëndetësore

Grupi i ekspertëve për shëndetësi, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se Qeveria aktuale nuk i ka dhënë prioritet dhe as vendin e merituar sektorit shëndetësor.
Ekspertët e LDK-së kanë theksuar se e gjithë shëndetësia primare në Kosovë financohet me një buxhet që nuk kalon 40 milionë euro, që është më pak se subvencionet që qeveria i jep KEK-ut.
Problem tjetër, sipas tyre, është mosaprovimi i “Ligjit për sigurime shëndetësore” dhe “Ligjit për shëndetësi”, si dhe “centralizimi i skajshëm e kontrolli politik i institucioneve shëndetësore”.
Gjendja e rënd, sipas tyre, “më së miri ilustrohet me gjendjen në tri institucionet kyçe shëndetësore të nivelit tretësor: QKUK, Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK)”.
Sipas LDK-së, furnizimi me barna dhe material shpenzues është i pamjaftueshëm, dhe mezi ka arritur mesataren prej 50 për qind të barnave të listës esenciale.
“Të dhënat tregojnë se numri i operacioneve me anestezion të përgjithshëm në vitin 2011 ka rënë në rreth 10,000, krahasuar me 24,000 operacione sa kanë qenë në vitin 2008”, vlerësojnë ata.
Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, grupi i ekspertëve për shëndetësi të Lidhjes Demokratike e Kosovës ka propozuar një sërë masash që duhen ndërmarrë nga institucionet e vendit, si: implementimi i skemës së sigurimeve shëndetësore, zhvillimi strategjik afatgjatë i institucioneve shëndetësore si dhe inspektimi e monitorimin e tyre; fuqizimi i nivelit të shëndetësisë primare etj.
LDK po ashtu vlerëson se duhet të ndahet QKUK në një Spital qyteti për Prishtinën dhe në një Qendër të mirëfilltë klinike të nivelit terciar me mundësi partneriteti publik-privat.

Ekskavatori i “talentuar” (Video)

Po, është e vërtetë – Bobcat E50 është ekskavator i gjithanshëm. Përveç se kryen funksione si të gjithë ekskavatorët tjerë, ai bën edhe disa numra.
Vendosja e shisheve të birrës njëra mbi tjetrën është një prej specialiteteve të tij. Në një video ai arriti ti vendosë dy shishe njëra mbi tjetrin dhe për tu dukur më bukur, vendosi edhe një top golfi në maje.
Shikojeni videon, sepse ekskavator më të talentuar nuk keni parë kurrë! 

Mamutët ende jetojnë? (Video)

Edhe pse nuk shihet qartë, kjo video paraqet “fakte” se mamutët leshtorë nuk janë zhdukur. Në video shihet një kafshë në formë elefanti, me dhëmbët dhe feçkën e zgjatur, duke kaluar një lumë të ngrirë në Siberi.
Kjo krijesë duket se ka qime të kuqe - njëjtë si qimet e zbuluara në lëkurën e mamutëve të ngordhur që janë zbuluar nga periudha e akullnajave.
Por, cinikët tashmë kanë filluar të dyshojnë në vërtetësinë e kësaj videoje të bërë nga një inxhinier qeveritar i Rusisë, i cili ishte në një kontroll në Qarkun Autonom Chukotka, verën e kaluar.
Mamutët, të cilët mund të rriten deri 3 metra, besohet se janë zhdukur para rreth 10 mijë vitesh, ndërsa në Rusi nuk jetojnë elefantët.
Megjithatë, kjo video ka nxitur debatet se mamutët e periudhës së akullnajave ende jetojnë nëpër rajone të izoluara.
Shkrimtari i dukurive paranormale, Michael Cohen, thotë se thashethemet e tilla “qarkullojnë me dekada”.
“Siberia është një territor tepër i madh dhe shumica e këtij territori ka mbetur i paeksploruar dhe i paprekur nga njerëzit”, thotë ai. 

ICS në Galaxy SII dhe Note, prej 1 mars

Samsung kishte njoftuar se do ta lëshojë versionin e ri të sistemit operativ Android, 4.0 Ice Cream Sandwich, në modelet e saj të fundit si Samsung Galaxy S II dhe Samsung Galaxy Note, para fundit të tre-mujorit të parë, që do të thotë se ICS do të vijë në fund të muajit të ardhshëm.
Mirëpo, tani është dhënë një datë e mundshme kur pajisjet e reja të Samsung mund të marrin 4.0 Ice Cream Sandwich, dhe ajo datë thuhet se është 1 mars 2012.
Ky lajm është dhënë nga një burim mirë i informuar, si Eldar Murtzain, i cili ka thënë se Android 4.0 do të vijë si përditësim OTA dhe si version i ri i Samsung Kies.
Megjithatë, ende nuk ka asnjë konfirmim nga Samsung për Galaxy SII apo Galaxy Note dhe përditësimin e tyre me Android 4.0. 

Në dimër më shumë ndjenja negative

Një person i ftohtë, si nga ana sociale dhe fizike është një person i vetmuar.
Kur jetohet në vetmi edhe temperatura e trupit ulet shumë. E mbështesin këtë teori një grup kërkuesish të Rotman School of Management të Universitetit të Torontos në një studim të publikuar në revistën “Shkenca e Psikologjisë”.
Teza e mbajtur nga kërkuesit tregon se ekziston një lidhje shumë e thellë me perceptimit të temperaturës dhe gjendjes psikologjike. Për të arritur në këtë teori kërkuesit kanë bërë dy eksperimente.
Një grupi vullnetarësh iu kërkua të kujtonin një eksperiencë përjashtimi dhe vlerësimi në shoqëri dhe të provonin të masnin temperaturën e ambientit në të cilat janë gjendur kur kanë provuar atë eksperiencë. Ai që kujtonte një eksperiencë përjashtimi ka deklaruar se ka perceptuar më shumë ftohtësi.
Në eksperimentin e dytë, përkundrazi, vullnetarët kanë luajtur së bashku me një top nëpërmjet stimulimit me kompjuter. Disa prej tyre, janë përjashtuar disa herë nga loja, ndërkohë që disa të tjera kanë fituar shumë herë topin. Menjëherë më pas, kërkuesit kanë kërkuar më shumë ushqime dhe pije të nxehta, sikur të donin të kompensonin ndjenjën e të ftohtit të perceptuar për shkak të përjashtimit që kanë pësuar.
Sipas kërkuesve, kjo mund të shpjegojë përse shumë shpesh personat janë më të ekspozuar ndaj ndjenjave negative gjatë dimrit.

Rita, më e kërkuara në Londër

Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, momentalisht është një prej artisteve më të vlerësuara në industrinë e muzikës moderne dhe është vetëm çështje kohe kur ajo do ta bëjë shpërthimin e madh.
Kështu raporton The Sun, që me nota të larta vlerëson progresin e bukuroshes, e cila ka nënshkruar me ‘labelin’ e Jay-Z, “Roc Nation” dhe ka punuar në albumin e saj debutues me Drake dhe Kanye West.
Mysafirë të një ‘party’ në Notting Hill të Londrës të enjtën, ku ishte i pranishëm dhe i dashuri i saj Rob Kardashian, kanë mbetur tepër të impresionuar nga performanca e këngëtares së re.
“Ajo e bën vendin ku këndon të jetë sikur shtëpia e saj – ajo u kritikua se ishte shumë e rë kur ishte 17 vjeçare”, theksoi një burim i tabloidit britanik.
Së fundmi Rita Ora lansoi super hitin në bashkëpunim me DJ Fresh, “Hot Right Now” dhe është në lidhje dashurie me vëllain e yllit televiziv Kim Kardashian.

Beyonce publikon fotot e vajzës

Pop ylli Beyonce dhe bashkëshorti i saj Jay-Z kanë publikuar fotografitë e para me vajzën e tyre Blue Ivy Carter.
Fotografitë e shumëpritura kanë mundur të shiten me miliona dollarë, por çifti zbuloi pamjet intime në Twitter.
“Ne dëshirojmë të ndajmë fotot me të gjithë ju. Ju faleminderit që respektuat privatësinë gjatë kësaj periudhe të bukur në jetën tonë”, theksoi çifti në një mesazh të përbashkët.

The Voice, fiton Rina

Bukuroshja nga Prizreni, Rina Bilurdagu, është fituesja e spektaklit të madh të talentëve të këndimit “The Voice of Albania”, duke shkaktuar kështu befasinë më të madhe që është parë që një kohë të gjatë nëpër televizionet shqiptare.
Të katër finalistët, Rina, Lundrimi, Enrika dhe Marsela performuan këngët e përgatitura në këtë spektakël, i cili tejkaloi kufijtë e reales dhe imagjinares nga përgatitja skenike dhe nga performanca e shfaqur.
Në rrethin e parë të votimeve fituan Rina dhe Marsela, të cilat u përballën në votimin final. Të gjithë kishin pritur një fitore të lehtë të Marselës, e cila me zërin e saj të jashtëzakonshëm arriti të pushtojë njerëzit nëpër rrjetet sociale. Por, se pesha e votimeve nuk varet nga rrjetet sociale dhe nga favorizimet e parakohshme, këtë na tregoi Rina, e cila pas performancës së saj spektakolare me këngën “Ain’t Another Man” arriti të mposhtë Marselën, për t’u shpallur fituese e spektaklit.
Rina përfiton një album nga shtëpia muzikore “Universal” teksa me nga një këngë në po të njëjtin produksion shpërblehen edhe finalistët tjerë. Që të katër finalistët po ashtu do të kenë të drejtën të konkurrojnë me nga një këngë në Top Fest.
Kështu, i vjen fundi një cikli emisionesh prej 17 javësh të këtij spektakli të jashtëzakonshëm, të një formati prej më të mirëve që është parë ndonjëherë. Për realizimin fantastik në standardet botërore duhet të komplimentohet Top Channel, që edhe njëherë arriti të çojë në një nivel tjetër botën shqiptare të spektaklit, nga e cila shtëpitë tjera mediale mund të marrin vetëm leksione. 

Ancelotti: Tevez kërkon pagë të majme

Trajneri i PSG, Carlo Ancelotti, thotë se Carlos Tevez kërkon pagë të madhe që është e pa përballueshme për klubin francez.
“Ne kemi biseduar me agjentin e tij dhe kërkuam transferimin e tij, por ne nuk kemi mundur të arrijmë një marrëveshje”.
“Nuk mendoj se ai do të ndryshojë idetë e tij për përfitimet kontraktuale”, tha Carlito.

Guardiola: E kuptoj Realin pse nuk lejon finalen

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se ai e kupton shumë mirë Real Madridin që nuk dëshiron të lejojë zhvillimin e finales së Copa del Rey në Santiago Bernabeu, pasi në rast të fitores së Barcelonës ndaj Athletic Bibalos, katalanasit do të festonin në mes të Madridit.
“Është një stadium fantastik që ka kapacitet të madh, por unë kuptoj hezitimin e Real Madridit për të pritur një ndeshje mes nesh dhe Athletic Bilbaos. Unë kuptoj se në një finale të Kupës, nuk mund të shkosh aty ku të është caktuar, duhet të bëhet zgjedhje natyrale”.
“Kështu, unë nuk dua që finalja të zhvillohet në San Mames pasi do të ishte përparësi për rivalët tanë. Por, në fund vendimin do ta marrë federata spanjolle e futbollit (RFEF)”, tha Guardiola. 

Interi vështron situatën e Villas Boas

Interi është duke e përcjellur me vëmendje situatën e menaxherit portugez të Chelseat, Andres Villas Boas.
Humbja e thellë e Interit nga Roma ka bërë që Claudio Ranieri të jetë shumë pranë shkarkimit të tij, ndërsa si opsion për Nerazzurët është ish-ndihmësi i legjendarit të zikaltërve, Andres Villas Boas.
A Bola raporpton se Interi po e monitoron me kujdes sitautën e Villas Boas me pronarin Roman Abramovich, pasi besohet se edhe AVB është pranë shkarkimit.

Guidolin: Pres Milan të vërtetë

Trajneri i Udineses, Fracesco Guidolin, ka pranuar se ai pret që të shohë një Milan të vërtetë në kryendeshjen e javës së 23-të në Serie A që zhvillohet në Friulli të Udines sot në ora 18:00.
“Milani me plot meritë fitoi titullin sezonin e kaluar dhe kudo që ata luajnë, e kontrollojnë lojën. Mendoj se ata janë ekip që mund t’u bëjë ballë ekipeve tjera më të mëdha evropiane, përderisa futbolli jonë është në përmirësim e sipër”.
“Unë pres Milanin e vërtetë ndaj nesh. Unë brengosem për këtë takim pasi nëse nuk jemi të fokusuar, atëherë do të jetë tepër e vështirë sepse unë nuk besoj se Milani është në krizë”, ka thënë Guidolin.

Zubizarreta: Pres rinovim të Guardiolës

Drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, është i bindur se trajneri Pep Guardiola do të nënshkruajë kontratë të re me klubin katalanas.
“Ai e di se e ka mundësinë për të rinovuar, un ënuk po e kërkoj atë në telefon çdo 10 minuta”.
“Pep e di vet, ai e njeh zhveshtoren dhe klubin dhe ai e si se çfarë është mirë për Barcelonën. Çdo shenjë thotë se ai do të rinovojë, unë nuk e kam një listë të zëvëndësimeve për të”, tha Zubizarreta. 

Reali jep Higuainin për Van Persien

Real Madridi është duke planifikuar që të hapë bisedimet me Arsenalin për transferimin e sulmuesit Robin Van Persie dhe duket se Los Blancos janë tepër serioz për holandezin.
Daily Mail shkruan se Real Madridi do të bëjë një ofertë për Van Persien gjatë afatit kalimtar veror, teksa në garë për holandezin janë edhe shumë klube tjera duke përfshirë dhe Barcelonën.
Mendohet se Merengezët do të ofrojnë sulmuesin e tyre Gonzalo Higuain plus të holla të shtesë për të siguruar firmën e sulmuesit më të mirë në Ligën Premier

Ferguson: Pse nuk bëtë ankesë për dënimin e Suarez?

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka kritikuar Liverpoolin para takimit derbi që zhvillohet në Old Trafford, duke thënë se The Reds është dashur ta apelojnë dënimin e Suarez nëse ai është i pa fajshëm.
“Ata kanë folur shumë, apo jo? Pse nuk e apeluan vendimin?”.
“Ne kemi qenë të dinjitetshëm. Kjo është gjëja e duhur për t’u bërë në këto situata. Ne kemi qëndruar larg kësaj, jemi fokusuar në futboll. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këto gjëra, dikush tjetër i merr vendimet”, tha Ferguson. 

Caceres: Ky Juve më i mirë se ai i para dy viteve

Transferi i ri i Juventusit, Martin Caceres, mendon se ekipi aktual i Juventusit është më i mirë se sa ai i para dy viteve.
“Unë jam shumë i kënaqur me veten dhe me ekipin. Në krahasim me dy vite më parë, shpirti i klubit është krejt ndryshe”.
“Unë nuk po kam vështirësi në adaptim, pasi ne po luajmë shumë mirë dhe ndihem mirë me idetë e Contes. Ne po i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje dhe duam gjithmonë të fitojmë”, deklaroi Caceres. 

Amelia: Lojtarët e Juves sikur fëmijë

Portieri i Milanit, Marco Amelia, ka kritikuar lojtarët e Juventusit duke thënë se ata janë sikur fëmijë, pasi Bianconerët kërkojnë që Zlatan Ibrahimovic të dënohet për gjoja shuplakën dhënë Marco Storarit.
“Nëse shikoni xhirimet, duket se nuk është shuplakë, por Ibra ishte duke i treguar Storarit se nuk ishte e drejtë ajo që bëri”.
“Për këtë arsye, ai drejtoi gishtin kah ai që t’i thotë Storarit se ajo që bëri ishte gabim, por ky kaos rodhi nga asgjë, nga lojtarët e Juventusit të cilët reaguan sikurse fëmijë”, tha Amelia. 

Chicharito: Synojmë titullin e 20-të

Sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez, ka zbuluar synimet e Djajve të Kuq e që një prej më të mëdhenjve është titulli i 20-të të cilin klubi nga Old Trafford dëshiron ta fitojë këtë sezon.
“Që të mposhtësh Liverpoolin, nuk ka lidhje se në cilën pozitë jeni – ju duhet ta fitoni atë lloj ndeshje”.
“Është motivim i madh kur e dini se mund të ndryshoni nga numri 19 në 20. Ne duam të luajmë shumë mirë, të fitojmë ato tri pikë dhe të vazhdojmë të luftojmë për titull”, theksoi Chicharito. 

Van Persie: Nuk kam folur për Marca

Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin atë me një kalim te Real Madridi, duke thënë se ai kurrë nuk është intervistura nga sportivja spanjolle Marca.
“Përgënjështroj të gjitha raportet e fundit nga Spanja. Unë nuk kam folur asnjëherë për Marca dhe nuk jam intervistuar asnjëherë nga ta”, theksoi Van Persie në Twitter.
“Asnjë të vërtetë, asnjë pyetje, asnjë intervistë”, u përgjigj nga ana tjetër edhe agjenti i Van Persiet, për spekulimet e fundit të cilat duken të rreme nga mediumi prestigjioz sportiv madrilen. 

BB: Kosova ka nevojë për kombinim të prodhimit të energjisë

Kosova ka nevojë për një kombinim të prodhimit të energjisë elektrike, nga Termocentralet dhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme, kështu thuhet në një raport të Bankës Botërore (BB), të prezantuar, të premten në Prishtinë.
Edhe pse opsioni i linjitit është më i lirë, kombinimi i prodhimit të energjisë nga linjiti dhe formave tjera alternative, shihet si opsioni më i mirë nga ekspertët e Bankës Botërore. Kështu tha në paraqitjen e raportit, eksperti i Bankës Botërore Mohinder Gulati. “Kosova ka nevojë për një kombinim të opsioneve të furnizimit edhe termocentralet edhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme dhe jo vetëm për një opsion të vetëm”, tha ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj tha se “Në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja, përveç mundësisë në prodhimin nga linjiti jemi të interesuar që ti marrim të gjitha masat që të zhvillojmë edhe alternativat e tjera të energjisë së ri-përsëritshme të cilat janë parakusht themelor edhe i BE-së por edhe i BB-së që të trajtohen në nivelin e mundësisë, të cilat secili shtet i ka”, theksoi Beqaj.
Diskutimet për mënyrat e prodhimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, paralajmëroi ministri, Beqaj, ku do të përfshihet edhe shoqëria civile. 

Paralelizmi serb në arsimin e Kosovës

Janë qytetarë të Kosovës, por nxënësit e shkollave serbe për Kosovën mësojnë se është pjesë e Serbisë. E këndojnë himnin serb, për shqiptarët dëgjojnë se kanë kryer “gjenocid" ndaj serbëve, lexojnë poezi që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, ndërsa mësimdhënësit marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe ai i Serbisë.
Shkollat serbe në Kosovë nuk bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit për harmonizimin e teksteve dhe programeve mësimore. Tekstet e tyre bien ndesh jo vetëm me realitetin historik, por edhe me Kushtetutën e Kosovës, raporton “Kosovapress”.
Për ekspertin e arsimit, Dukagjin Popovci, kjo çështje paraqet problem politik, meqë një pjesë e popullatës serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj.
“Ligji për arsimin në komuna, i cili është aprovuar në vitin 2008 dhe është pjesë e pakos së Ahtisaarit, thotë në mënyrë eksplicite se çdo shkollë serbe mjafton vetëm ta informojë Ministrinë e Arsimit, nëse dëshiron ta zbatojë planprogramin e Serbisë. Nëse ka konteste rreth kësaj, pastaj formohet një komision miks, i përbërë prej tre përfaqësuesve serbë, tre nga ministria, dhe një nga ICO-ja. Ky komision pastaj vendos”, ka thënë Popovci, sipas të cilit do të kalojnë shumë vite tjera, derisa sistemi i arsimit në gjuhën serbe të integrohet në sistemin arsimor të Kosovës.
Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, thotë se është e pamundur që serbët, të cilët kanë mbetur në Kosovë, të kenë program tjetër mësimor nga Serbia.
“Edhe sot ka tensione midis programeve të Gjermanisë dhe Polonisë, lidhur me disa fakte historike, të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. Kjo gjithashtu ndodhë edhe ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, thotë ajo. “Të gjithë në Kosovë kemi krijuar shprehi që historinë ta mësojmë në shtëpi, e shumë më pak në shkolla. Kështu që nuk duhet bërë sërish gabime të njëjta, duke forcuar historinë të cilën serbët nuk do ta pranonin. Për ne, serbët, Adem Jashari kurrë nuk do të jetë hero i kombit”.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, thotë se Ministria nuk ka trajtuar tekstet e dhe planprogramet e shkollave serbe në Kosovë, pasi ata nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë!
“Nuk kemi dhënë leje, për arsye se ata nuk kanë bërë një kërkesë të tillë. Pra, ata janë duke organizuar mësimin, në sistem paralel”, ka thënë ai. “Mësimi i tyre, në pjesën më të madhe është organizuar nga strukturat paralele që veprojnë në Republikën e Kosovës. Çështja e arsimit të serbëve në Kosovë, ose e ndikimit të sistemit paralel, ka karakter politik. Ministria e Arsimit në këtë drejtim nuk mund të bëjë shumë”.
Në tekstet e Gjeografisë së shkollave serbe, Kosova ende vazhdon të jetë pjesë e Serbisë. Problem janë edhe tekstet e Historisë, ku shqiptarët i paraqesin si ekzekutues, e serbët viktima. Ato tekste bien ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse flasin njëanshëm për historinë e Ballkanit dhe nuk promovojnë paqen dhe tolerancën, janë disa nga gjetjet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe në Kosovë. 

Mësimi në Pejë e Deçan vazhdon më 20 shkurt

Gjendja e jashtëzakonshme, e paraparë të përfundojë sot në Pejë, do të mbetet edhe në ditët e ardhshme në fuqi. Niveli i borës, që pandërprerë po bie në Pejë, ka arritur lartësinë prej 1.3 metrash, raporton Dukagjini
Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka thënë se procesi mësimor në këtë komunë, që ishte paraparë të vazhdonte të hënën më 13 shkurt, do të shtyhet sërish. Berisha thotë se në këtë drejtim po pret koordinimin me Ministrinë e Arsimit, për të marrë një qëndrim të prerë përkitazi me këtë.
Ndërkohë, sipas një komunikate për shtyp, edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka vendosur që mësimi në të gjitha shkollat e kësaj komune të shtyhet edhe për një javë. Shkas për këtë është pamundësia e pastrimit të trotuareve nga bora e madhe. 

Prokuroria e Shtetit nuk e ka “dosjen” e Kamishit

Në Prokurorinë e Shtetit të Kosovës ende nuk është dërguar “dosja” e përfolur e akuzave të Bekim Haxhiut – Kamishit, ndaj Albin Kurtit.
Kjo “dosje” është dorëzuar nga Haxhiu në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Pasi t’i pranojmë këto dokumente do të shohin nëse brenda tyre ka bazë për të filluar hetimet”, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi.

Fusnota me 1244 e me Opinion të GJND-së Fusnota me 1244 e me Opinion të GJND-së Fusnota me 1244 e me Opinion të GJND-së

Ekipi i lehtësuesit Robert Cooper, e ka ndarë mendjen për fusnotën.
Versioni i publikuar ditë më parë nga “Koha Ditore” po rezulton final. Kosova do të paraqitet në nisma ndërkombëtare vetëm me emër dhe një fusnotë ku përmendet Rezoluta 1244 dhe Opinioni i GJND-së.
Burime në Bruksel kanë bërë të ditur për gazetën se Serbia është pajtuar me këtë version dhe tash mbetet presioni te pala kosovare.
“Serbisë do t`i jepet statusi i kandidatit nëse arrihet marrëveshja ose nëse ajo dështon për fajin e palës kosovare”, i ka thënë gazetës një diplomat evropian.
Burimet në Bruksel kanë bërë të ditur se Gjermania ka mbetur e izoluar në kundërshtimin për t`i dhënë Serbisë statusin kandidat për anëtarësim në BE. Sipas të njëjtave burime Austria është tërhequr pasi që, siç thonë diplomatët, edhe kundërshtimi në dhjetor i Austrisë ka qenë aksidental.

Haiti njeh Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme te Haitit, Laurent Lamothe, pas një takimi zyrtar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp kanë bërë publike njohjen zyrtare nga Haiti.
Haiti është shteti i 87-it qe e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Njohja nga ky shtet vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka intensifikuar maksimalisht përpjekjet për të përmbyllur procesin e njohjeve të pavarësisë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së

Bora kthehet në Pejë

Gjendje e rënduar vazhdon të jetë në Pejë, nga reshjet e mëdha të borës që kanë filluar gjatë natës së mbrëmshme. Bora, me intensitet të shtuar, vazhdon të bie edhe në këto çaste.
Trashësia e borës ka kaluar mbi një metër dhe nëse vazhdon me këtë intensitet, pritet të bllokojë shumë rrugë të Komunës së Pejës, raporton “Kosovapress”.
Ndryshe, sot pritej të përfundonte gjendja e emergjente e shpallur nga Komuna e Pejës. Por, reshjet e reja e kanë rikthyer gjendjen e krizës që ishte një javë më parë. 

“Spiunia” e Kamishit, bashkëpunëtore e Selimit

Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, ka themeluar një ndërmarrje bashkë me Jelena Bjelican, të cilën Kamishi e përmend ndër emrat e tradhtarëve dhe spiunëve të BIA-s që janë zënë me Albin Kurtin në veturë, në Klinë, më 2004.
Por, për dallim nga bashkëpartiaku i tij, Selimi ka thënë se së paku dy prej emrave – Jelena Bjelica dhe Dardan Velija – nuk janë ashtu siç i paraqet deputeti Kamishi, raporton “Koha Ditore”.
Petrit Selimi nuk ka kursyer fjalët më të mira për disa nga njerëzit të cilët nga bashkëpartiaku i tij, Bekim Haxhiu, janë etiketuar si “tradhëtarë” e “spiunë”, për arsyen e thjeshtë se qenkan gjetur në një veturë me Albin Kurtin dhe disa serbë, për të cilat deputeti Kamishi pohon se janë pjesëtarë të strukturave kriminale serbe.
Për Jelena Bjelicën dhe Dardan Veliun, dy nga personat mbi të cilët Kamishi ka hedhur dyshimin në “akuzën” e tij kundër Albin Kurtit, Selimi ka dhënë një vlerësim krejtësisht pozitiv.

Bogdanovici do të mbetet pa punë

Krerët e koalicionit qeverisës në Serbi po e shqyrtojnë mundësinë që ta eliminojnë të ashtuquajturën Ministri për Kosovën. Ky do të jetë lëshimi që po i kryetarit të Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë (LDP), Cedomir Jovanovic, për tu futur në qeverinë e ardhshme.
Sipas burimeve të ditores “Alo”, “resori i Kosovës do t’i bashkëngjitet vetëqeverisjes lokale”. Ndërsa, tash është e qartë se Goran Bogdanovic nuk do ta udhëheq me sektor, sepse ka rënë poshtë vendimi që në post të tillë të jetë dikush nga Kosova.
“Kreu i Partisë Demokratike të Serbisë (DS) me miratimin e heshtur të partnerëve të koalicionit e ka shqyrtuar opsionin se nëse nuk vjen në pushtet pas zgjedhjeve të majit, ta ulë numrin e ministrive. Edhe pse Kosova momentalisht është problem pikant shtetëror, për një kohë të gjatë janë dëgjuar kundërshtimet se është e padobishme dhe panevojshme që për Kosovën të jetë një resor i veçantë. Tani për tani është pothuajse e sigurt se qeveria e ardhshme, me demokratët në krye, nuk do ta ketë Ministrinë për Kosovën. Për shkak të mashtrimeve të rënda financiare që ndërlidhen me veriun e Kosovës, është marrë vendimi që udhëheqja e sektorit të ri t’i besohet dikujt që nuk ka qenë në poste të institucioneve të veriut e as nga Kosova. Ta themi troç, në këto rrjedha financiare duhet të vendoset rendi”, ka thënë burimi i “Alo” nga kreu i DS-së.
Kjo, sipas ditores, do ta hapte rrugën për futjen e LDP-së në qeveri me demokratët dhe socialistët, kur dihet se është pikërisht politika ndaj Kosovës pengesa kryesore për bashkëpunimin e ardhshëm mes Boris Tadicit, Ivica Dacicit dhe Cedomir Jovanovicit. Ndërsa, eliminimi i të ashtuquajturës Ministri për Kosovën “do të qetësonte marrëveshjet e vështira paszgjedhore”, kur duhet se liberalët e kushtëzojnë hyrjen në qeverinë e ardhshme me ndryshimet rrënjësore të politikës ndaj Kosovës.
Ditorja serbe nuk ka arritur të marrë përgjigje zyrtare nga DS, sikurse edhe nga Goran Bogdanovic dhe i ashtuquajturi sekretari shtetëror, Oliver Ivanovic.