Paralelizmi serb në arsimin e Kosovës

Janë qytetarë të Kosovës, por nxënësit e shkollave serbe për Kosovën mësojnë se është pjesë e Serbisë. E këndojnë himnin serb, për shqiptarët dëgjojnë se kanë kryer “gjenocid" ndaj serbëve, lexojnë poezi që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, ndërsa mësimdhënësit marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Shkollat serbe në Kosovë nuk bashkëpunojnë me Ministrinë e Arsimit për harmonizimin e teksteve dhe programeve mësimore. Tekstet e tyre bien ndesh jo vetëm me realitetin historik, por edhe me Kushtetutën e Kosovës, raporton “Kosovapress”.
Për ekspertin e arsimit, Dukagjin Popovci, kjo çështje paraqet problem politik, meqë një pjesë e popullatës serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj.
“Ligji për arsimin në komuna, i cili është aprovuar në vitin 2008 dhe është pjesë e pakos së Ahtisaarit, thotë në mënyrë eksplicite se çdo shkollë serbe mjafton vetëm ta informojë Ministrinë e Arsimit, nëse dëshiron ta zbatojë planprogramin e Serbisë. Nëse ka konteste rreth kësaj, pastaj formohet një komision miks, i përbërë prej tre përfaqësuesve serbë, tre nga ministria, dhe një nga ICO-ja. Ky komision pastaj vendos”, ka thënë Popovci, sipas të cilit do të kalojnë shumë vite tjera, derisa sistemi i arsimit në gjuhën serbe të integrohet në sistemin arsimor të Kosovës.
Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, thotë se është e pamundur që serbët, të cilët kanë mbetur në Kosovë, të kenë program tjetër mësimor nga Serbia.
“Edhe sot ka tensione midis programeve të Gjermanisë dhe Polonisë, lidhur me disa fakte historike, të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. Kjo gjithashtu ndodhë edhe ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, thotë ajo. “Të gjithë në Kosovë kemi krijuar shprehi që historinë ta mësojmë në shtëpi, e shumë më pak në shkolla. Kështu që nuk duhet bërë sërish gabime të njëjta, duke forcuar historinë të cilën serbët nuk do ta pranonin. Për ne, serbët, Adem Jashari kurrë nuk do të jetë hero i kombit”.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, thotë se Ministria nuk ka trajtuar tekstet e dhe planprogramet e shkollave serbe në Kosovë, pasi ata nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë!
“Nuk kemi dhënë leje, për arsye se ata nuk kanë bërë një kërkesë të tillë. Pra, ata janë duke organizuar mësimin, në sistem paralel”, ka thënë ai. “Mësimi i tyre, në pjesën më të madhe është organizuar nga strukturat paralele që veprojnë në Republikën e Kosovës. Çështja e arsimit të serbëve në Kosovë, ose e ndikimit të sistemit paralel, ka karakter politik. Ministria e Arsimit në këtë drejtim nuk mund të bëjë shumë”.
Në tekstet e Gjeografisë së shkollave serbe, Kosova ende vazhdon të jetë pjesë e Serbisë. Problem janë edhe tekstet e Historisë, ku shqiptarët i paraqesin si ekzekutues, e serbët viktima. Ato tekste bien ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse flasin njëanshëm për historinë e Ballkanit dhe nuk promovojnë paqen dhe tolerancën, janë disa nga gjetjet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe në Kosovë.