Mësimi në Pejë e Deçan vazhdon më 20 shkurt

Gjendja e jashtëzakonshme, e paraparë të përfundojë sot në Pejë, do të mbetet edhe në ditët e ardhshme në fuqi. Niveli i borës, që pandërprerë po bie në Pejë, ka arritur lartësinë prej 1.3 metrash, raporton Dukagjini

Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka thënë se procesi mësimor në këtë komunë, që ishte paraparë të vazhdonte të hënën më 13 shkurt, do të shtyhet sërish. Berisha thotë se në këtë drejtim po pret koordinimin me Ministrinë e Arsimit, për të marrë një qëndrim të prerë përkitazi me këtë.
Ndërkohë, sipas një komunikate për shtyp, edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka vendosur që mësimi në të gjitha shkollat e kësaj komune të shtyhet edhe për një javë. Shkas për këtë është pamundësia e pastrimit të trotuareve nga bora e madhe.