BB: Kosova ka nevojë për kombinim të prodhimit të energjisë

Kosova ka nevojë për një kombinim të prodhimit të energjisë elektrike, nga Termocentralet dhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme, kështu thuhet në një raport të Bankës Botërore (BB), të prezantuar, të premten në Prishtinë.

Edhe pse opsioni i linjitit është më i lirë, kombinimi i prodhimit të energjisë nga linjiti dhe formave tjera alternative, shihet si opsioni më i mirë nga ekspertët e Bankës Botërore. Kështu tha në paraqitjen e raportit, eksperti i Bankës Botërore Mohinder Gulati. “Kosova ka nevojë për një kombinim të opsioneve të furnizimit edhe termocentralet edhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme dhe jo vetëm për një opsion të vetëm”, tha ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj tha se “Në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja, përveç mundësisë në prodhimin nga linjiti jemi të interesuar që ti marrim të gjitha masat që të zhvillojmë edhe alternativat e tjera të energjisë së ri-përsëritshme të cilat janë parakusht themelor edhe i BE-së por edhe i BB-së që të trajtohen në nivelin e mundësisë, të cilat secili shtet i ka”, theksoi Beqaj.
Diskutimet për mënyrat e prodhimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, paralajmëroi ministri, Beqaj, ku do të përfshihet edhe shoqëria civile.