LDK kritikon politikën shëndetësore

Grupi i ekspertëve për shëndetësi, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se Qeveria aktuale nuk i ka dhënë prioritet dhe as vendin e merituar sektorit shëndetësor.

Ekspertët e LDK-së kanë theksuar se e gjithë shëndetësia primare në Kosovë financohet me një buxhet që nuk kalon 40 milionë euro, që është më pak se subvencionet që qeveria i jep KEK-ut.
Problem tjetër, sipas tyre, është mosaprovimi i “Ligjit për sigurime shëndetësore” dhe “Ligjit për shëndetësi”, si dhe “centralizimi i skajshëm e kontrolli politik i institucioneve shëndetësore”.
Gjendja e rënd, sipas tyre, “më së miri ilustrohet me gjendjen në tri institucionet kyçe shëndetësore të nivelit tretësor: QKUK, Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK)”.
Sipas LDK-së, furnizimi me barna dhe material shpenzues është i pamjaftueshëm, dhe mezi ka arritur mesataren prej 50 për qind të barnave të listës esenciale.
“Të dhënat tregojnë se numri i operacioneve me anestezion të përgjithshëm në vitin 2011 ka rënë në rreth 10,000, krahasuar me 24,000 operacione sa kanë qenë në vitin 2008”, vlerësojnë ata.
Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, grupi i ekspertëve për shëndetësi të Lidhjes Demokratike e Kosovës ka propozuar një sërë masash që duhen ndërmarrë nga institucionet e vendit, si: implementimi i skemës së sigurimeve shëndetësore, zhvillimi strategjik afatgjatë i institucioneve shëndetësore si dhe inspektimi e monitorimin e tyre; fuqizimi i nivelit të shëndetësisë primare etj.
LDK po ashtu vlerëson se duhet të ndahet QKUK në një Spital qyteti për Prishtinën dhe në një Qendër të mirëfilltë klinike të nivelit terciar me mundësi partneriteti publik-privat.