Pas njohjes do të thellohet bashkëpunimi me Haitin

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vazhduar takimet me përfaqësues shtetërorë në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit, vendi i 87-të që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Hoxhaj fillimisht është takuar me kryeministrin e Haitit, Garry Conille, të cilin e ka falënderuar për vendimin e Qeverisë së tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me këtë vendim, Haiti iu është bashkuar shteteve të fuqishme e demokratike botërore, të cilat me njohjen e tyre i kanë kontribuar paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Kryeministri i Haitit ka vlerësuar se tani Haiti dhe Republika e Kosovës duhet të thellojnë bashkëpunimin politik dhe ekonomik, ndërsa dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që së shpejti në mes të dy shteteve do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale.
Ndryshe, ministri i Jashtëm i Haitit, Laurent Lamothe, pas një takimi zyrtar me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp kanë bërë publike njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Haiti.
Dy ministrat kanë deklaruar se Republika e Kosovës dhe Republika e Haitit shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike, përmes akreditimit të ambasadorëve jorezidentë, si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e arsimit.
Njohja nga ky shtet vjen në kohën kur Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka intensifikuar maksimalisht përpjekjet për të përmbyllur procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.