Jo 1244 në fusnotë

Çështja e përfaqësimit rajonal të Kosovës ka shkaktuar ngecje në procesit e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetësuesit evropianë të këtij dialogu duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, të pranueshme nga të dyja palët, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Ilir Deda nga Instituti Kipred, vlerëson se çështja e përfaqësimit të Kosovës me fusnotë, sipas propozimit të ndërmjetësuesit Robert Cooper, është e papranueshme të jetë me referencën “Rezoluta 12 44”.
“Edhe pse autoritetet e Kosovës tash janë në presion që ta pranojnë këtë përmendje të 1244-shit, nuk ma merr mendja që Kosova mund ta pranoj këtë. Kjo edhe një herë e tregon dobësinë e Brukselit që të ushtrojë një trysni të mirëfilltë karshi Beogradit”, thotë Deda për “Radio Evropa e Lirë”.
Njohësi tjetër i rrethanave politike, Ismail Hasani, thotë se në pikën në të cilën ka arritur procesi i dialogut Kosovë-Serbi, është i nevojshëm kompromisi për tejkalimin e “situatës së ngrirë”. Ai mendon se Kosova nuk mund të përfaqësohet me UNMIK apo me mekanizmat tjerë, që ai i quan paternaliste, për shkak se shteti i Kosovës është njohur ndërkombëtarisht prej një numri të konsiderueshëm të shteteve.
Në anën tjetër, Deda vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka arritur në pikën që nuk lejon kthim prapa.
“Edhe Kosova e edhe Serbia janë të ngurta në pozitat e veta. Por, megjithatë, mendoj se Kosova nuk e ka atë luks që të lëshojë pe në këtë”, thekson Deda.
Sipas Hasanit, çështja e fusnotës është banalizuar.
“Nuk është asnjë fatkeqësi nëse ndodh përfaqësimi në trajtën ‘Kosova’ ose ‘Kosovo’, për faktin se në një mënyrë të tillë përfaqësohet edhe Gjermania, si fuqi jo vetëm evropiane", mendon ai. "Por, problemi është që Brukseli duhet të tregojë shkallë më të lartë të seriozitetit, t’i disiplinojë të dy palët dhe të dalë me një propozim të ndërmjetëm.
Takimi i radhës ndërmjet palëve në dialog ende nuk është përcaktuar dhe ai mbetet peng i pajtimit të tyre lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal dhe përfaqësimit të Kosovës.