Restelicë, AAK kërkon masa shtesë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me shqetësim të thellë po i përcjell ngjarjet tragjike të ditës së sotme, në fshatin Restelicë të Dragashit, ku si pasojë e ortekut të borës humbën jetën dy persona dhe kanë mbetur të ngujuar në shtëpi disa të tjerë- thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

“AAK solidarizohet dhe ndan dhimbjen me familjet e viktimave dhe uron që të nxirren të gjallë personat tjerë të ngujuar nga bora në shtëpitë e tyre. AAK duke e vlerësuar kontributin e njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’i shpëtuar personat e bllokuar, fton qeverinë që të marrë masa shtesë në shpëtimin e tyre dhe t’iu gjendet pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që pësuan nga kjo tragjedi”, thuhet në komunikatë.
AAK shpreson që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, ndërkohë që fton mekanizmat kompetentë t’u gjinden pranë banorëve të Restelicës dhe të marrin masa në parandalimin e tragjedive të tilla dhe vështirësive që po ua sjellë bora dhe moti i ftohtë qytetarëve në mbarë vendin.