Musa Ramadani fitoi Çmimin “Azem Shkreli”

Juria Profesionale për vlerësimin dhe ndarjen e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi, ka vendosur që për vitin 2011 Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” t’i ndahet prozatorit, poetit dhe dramaturgut Musa Ramadani.
Ndërkohë, në kategoritë tjera, çmimet kanë shkuar për këta autorë: Çmimi Letrar për veprën më të mirë në prozë i është ndarë Eqrem Bashës me veprën “Lakorja e ik’sit”; Çmimi Letrar për veprën më të mirë në poezi i është ndarë Sali Bashotës me veprën “Dorëshkrimi i ngjallur”.
Adil Ollurit i është ndarë Çmimi Letrar për veprën më të mirë në kritikë me veprën e tij “Romani postmodern shqiptar; ndërkaq, Çmimi letrar për veprën më të mirë të përkthyer i është ndarë Smajl Smakës, për përkthimin e veprës ‘Tabuti i Sarajevës” të shkrimtarit Abdullah Sidran.
Juria që ishte në përbërje nga Rifat Ismaili, Engjell I. Berisha, Qibrie Demiri, Jonuz Fetahaj, Bajram Rugovali, ka vlerësuar se poeti dhe prozatori Musa Ramadani me krijimtarinë e vet ka ndikuar në avancimin e kulturës së shkrimit dhe zhvillimin e formave të reja shprehëse që u qëndrojnë pranë veprave të mëdha të letërsisë evropiane.
Po ashtu, juria vlerëson se Ramadani me veprën e tij shumëdimensionale e përmbushi misionin e krijuesit të përkushtuar, që nëpërmjet artit ta kultivojë dhe afirmojë botën e etnisë në përmasa qytetëruese, njerëzore.
Ndarja e Çmimit Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi, janë të parapara me një rregullore që mban po këtë emër, e që është nxjerrë në vitin 2009.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet që shumë shpejt të organizojë edhe ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve.

Kurti: Serbia nuk ndryshon pa presion ndërkombëtar

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i bëjë më tepër presion Serbisë, pasi sipas tij, mënyra se si ajo trajtohet aktualisht, nuk e ndryshon Beogradin.
Këto komente Kurti i bëri të mërkurën në Prishtinë, gjatë takimit me zëvendës drejtorin e përgjithshëm të drejtoratit për zgjerim në Komisionin Evropian, Joost Korte.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes shpalosën qëndrimin e Lëvizjes se pa luftimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë nuk mund të ketë integrim të qëndrueshëm institucional e shoqëror të pakicës serbe në Kosovë.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me theks të veçantë në sfidat e Republikës së Kosovës në rrugën drejt BE-së.
Në njoftim theksohet se të dy palët vlerësuan se për të gjitha qëndrimet është e dobishme t’i vazhdojnë debatet dhe diskutimet edhe në të ardhmen, me qëllim të përparimit politik, shoqëror dhe ekonomik në Kosovë.

Zagrebi dhe Prishtina thellojnë bashkëpunimin

Nxitja e programeve ekologjike më theks të veçante në mbrojtjen e mjedisit, nxitja e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, urbanizmit dhe trashëgimisë kulturore në mes të Prishtinës dhe Zagrebit janë pikat kyçe të marrëveshjes për miqësi dhe bashkëpunim, që kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa dhe kryetari i Zagrebit, Milan Bandiq kanë nënshkruar të mërkurën në kryeqytetin kroat.
Mustafa po qëndron për një vizitë zyrtarë në kryeqytetin kroat me ftesë të kryetarit të Zagrebit, Bandiq, ku përveç nënshkrimit të marrëveshjes se bashkëpunimit në mes të dy qyteteve, po diskutohet edhe për projektet konkret për fusha të ndryshme.
Sipas një komunikate për media, Mustafa dhe Bandiq, theksuan se është nënshkruar marrëveshja për miqësi dhe bashkëpunim në mes të dy qyteteve, e cila sipas dy kryetarëve thelon bashkëpunimin në shumë fusha.
Përveç takimit me kryetarin e Zagrebit, kryetari Mustafa me ftesë të Filarmonisë se Zagrebit ka marrë pjesë në koncertit e kësaj që u zhvillua të martën në mbrëmje.

Gega: Salihu ma ofroi revolen ta vras Jusuf Gërvallën

Hysen Gega, ish i burgosur politik, në një intervistë për Kosova Sot ka folur për aktivitetin e tij në emigracion në Gjermani dhe njohjen e tij me Riza Salihun, i cili kishte agjituar kundër Jusuf Gërvallës. Ai tregon se si Salihu i kishte ofruar revolen që të vriste Jusuf Gërvallën.
“Riza Salihu thoshte dhe propagandonte se Jusufi (Gërvalla) është agjent i UDB-së. Pohimet e tij më shtynë që unë të bëja pyetje në ambasadën shqiptare në Vjenë se mos kishin ndonjë fakt për Jusufin. Aty atëherë ishte njëri që më duket se quhej Simon Qirici, sekretar i parë, ndërsa vetë ambasadori ishte farefis me Avni Rrustemin. Prej tyre mora garancinë se Jusufi është i pastër dhe se mund të bashkëpunonim lirisht e pa asnjë rezervë me të. Ata madje edhe na rekomandonin bashkëpunimin”, ka thënë Gega për Kosova Sot.
“Është me rëndësi ta theksoj edhe një fakt, sepse sot po thuhet gjithçka. Asnjëherë nga kjo ambasadë nuk na është folur për dogma ideologjike, por vetëm për histori e literaturë kombëtare, për heronj e ngjarje të lavdishme nga rezistenca e popullit tonë. Ata vetë na thoshin që të mos merreshim as me Marksin, as me Leninin dhe as me Stalinin, po me historinë e kombit tonë, me Azem Bejtën, Mic Sokolin, Isë Boletinin e Hasan Prishtinën, me arsyetimin se çështja kombëtare është para çështjes klasore. Me t’u kthyer nga Vjena takova Riza Salihun dhe i thashë që të mos merrej me thashetheme, me akuza të rreme e me shpifje ndaj bacës Jusuf. I propozova që të shkonim së bashku në ambasadën shqiptare e të dëgjonte vetë se ç’thuhej aty për Jusuf Gërvallën. Ai parimisht pranoi, ndërsa kur i shkova të nesërmen në banesë për ta realizuar këtë gjë, mbeta i tronditur kur në korridorin e tij dëgjova se si flitej serbo-kroatisht. Vetëm shumë kohë më vonë mora vesh se ai kishte qenë i martuar me një femër nga Kroacia dhe kishin një fëmijë me të. Nuk kam ndonjë paragjykim rreth kësaj lidhjeje të tij përveç faktit se na e kishte mbajtur plotësisht të fshehur. Në këtë rast ai nuk pranoi që të shkonim bashkë në Vjenë, me arsyetimin se po i dhembte syri, me gjithë ngulmimin tim se unë do të vozisja dhe ai vetëm do të rrinte i qetë”, ka thënë Gega.
“ Megjithatë, edhe pas këtij episodi ai vazhdonte shpifjet e tij kundër Jusuf Gërvallës, duke shkuar aq larg sa në një rast më tha: ‘I vjen keq se s’ka kush e bën, sepse ai madje e meriton edhe plumbin”, duke nxjerrë me këtë rast edhe revolen e duke më thënë: “Ja merre këtë dhe vrite, sepse ai e meriton plumbin”, propozim të cilin ia refuzova me fjalët: ‘Më mirë mbaje për vete, sepse mund të të duhet ndonjë ditë për të vrarë veten’”. Për këtë përcaktim të Rizait pastaj informova Ibrahimin, Jusufin dhe Bardhin”, ka thënë Gega. 

Avancohen marrëdhëniet me Irlandën e Veriut

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Kuvendit të Irlandës Veriore, të kryesuar nga kryetari i tij, zotëri William Hay, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.
Presidentja Jahjaga tha se Irlanda Veriore ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën, në proceset e saj të shtet ndërtimit dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Irlandës Veriore. Ajo tha se dy vendet kanë edhe gjëra të përbashkëta, por që të dyja i kanë tejkaluar dallimet e së kaluarës duke e ndërtuar të ardhmen.
Jahjaga tha se Republika e Kosovës synon anëtarësimin në BE, meqë kjo do të ndihmonte që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit të ecin drejt një të ardhmeje të përbashkët, si shtete të pavarura dhe sovrane. Ajo tha se anëtarësimi në BE është garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca.
“Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se qëllim kryesor është politika e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Zbatimi i planit Ahtisaari në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është zgjidhja më e mirë dhe ky plan i ofron komunitetit serb një gamë të gjerë të të drejtave”, tha Jahjaga.
Kryetari i Kuvendit të Irlandës Veriore, William Hay, citohet të ketë thënë se pret ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës së Veriut, përmes shkëmbimit të përvojave mes dy kuvendeve. 

Dacic aplikon reciprocitet në arrestime

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka thënë se arrestimi i katër serbëve është shembull klasik i “paturpësisë dhe presionit” mbi serbët e Kosovës dhe ka paralajmëruar masa reciproke, në mesin e të cilave është edhe arrestimi i dy shqiptarëve mëngjesin e sotëm tek Dheu i Bardhë, në kufirin Kosovë – Serbi.

“Nëse dikush dëshiron të bëjë gara kemi edhe ne përgjigjen tonë. Është e turpshme se çfarë toleron komuniteti ndërkombëtar, është turp të arrestohen njerëzit, të cilët nuk kanë bërë asnjë vepër penale dhe tani shtrohet pyetja si janë duke u zbatuar në fakt marrëveshjet e arritura”, u ka thënë Dacic gazetarëve në Beograd.
Të arrestuarit janë Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, i cili ishte nisur për në Kroaci dhe Adem Murseli.
Abazi është arrestuar, sipas Dacicit, nën dyshimet për “spiunazh” dhe bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga “gjykata e qarkut në Gjilan”, kurse Murseli për “tregti me drogë” bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga drejtoria e Policisë në Beograd, raporton REL.
Në pikë kalimin kufitar Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës ka arrestuar të martën katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës. Tek të arrestuarit, në mesin e të cilëveështë edhe kryetari i komunës paralele në Viti, autoritetet e rendit kanë gjetur material zgjedhor të Serbisë.

UGK dënon kërcënimin ndaj “Express”

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) është tejet i shqetësuar me kërcënimin e hedhjes së bombës që i është bërë gazetës “Express” nga persona ende të panjohur.
Ky kërcënim është bërë pasi që në numrin e sotëm të gazetës është botuar tema me titull “Pompat e ujit?”, ku flitet për kompanitë e naftës që janë dënuar nga Ministria e Tregtisë për shitjen e karburanteve të përziera me ujë, thuhet në reagimin e UGK.

UGK e dënon ashpër një akt të tillë të kërcënimit dhe konsideron se shkrimi i gazetës ka qenë në nivel të lartë profesional dhe nga kjo shihet qartë se kërcënimi është bërë nga grupe të ndryshme të interesit të cilat janë prekur nga e vërteta e publikuar në gazetën “Express”.
Për UGK-në këto akte janë të papranueshme, andaj i bëjmë thirrje organeve të hetuesisë së Policisë së Kosovës që sa më parë të merren dhe rastin dhe autorët e këtij kërcënimi direkt t’i vë para organeve të drejtësisë, pare se nga njerëz të tillë të pësoj gazetarët dhe mediet.

Kreu ilegal i Zveçanit i vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve

Kryetari ilegal i Komunës së Zveçanit, Dobrosav Dobric, ka deklaruar sot se në atë komunë do të organizohen zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, “pavarësisht nga paralajmërimet e Prishtinës se do të arrestojë serbët që do t’i organizojnë ato”.
"Ne kemi të drejtë të organizojmë zgjedhje demokratike dhe nuk do të presim që këtë ta bëjnë për neve shqiptarët”, i ka thënë Dobric agjencisë Beta.
Ai ka thënë se serbët do të organizojnë zgjedhje për institucionet serbe dhe vetë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre pa pritur që “shqiptarët të vendosin njerëz të blerë dhe të dëgjueshëm”.
"Policia e Kosovës nuk mund të arrestojë 100 mijë serbë dhe ne nuk i frikësohemi kësaj” , tha Dobric, duke potencuar se arrestimet e djeshme të serbëve në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë dhe në Vushtrri janë bërë me qëllim të frikësimit të qytetarëve dhe me porosinë se për ata nuk ka vend në Kosovë. 

Policia serbe arreston sindikalistin kosovar

Sindikata e pavarur e metalistëve të Kosovës përmes një kumtese ka njoftuar se me datë 28.03.2012 rreth orës 9:30 të mëngjesit te Dheu i Bardhe janë arrestuar nga policia serbe kryetari i Sindikatës Industriale, Hasan Abazi dhe kryetari i Sindikatës së pavarur energjetike të Kosovës, Izet Mustafa, të cilët ishin duke udhëtuar për në Zagreb.
Të dy sindikalistët ishin duke udhëtuar për takimin e organizatave anëtare të Federatës Industriale për të ardhmen e punëtorëve evropian (EIWF) i cili do të mbahej në Zagreb më 29 dhe 30 mars 2012.
Zyrtarët të Sindikatës së pavarur të metalistëve të Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin arrestimin e dy sindikalistëve, ndërkohë që theksuan se nuk dihen arsyet për arrestimin e tyre, dhe nuk dihet se ku ndodhen ata.
Ndryshe, gazeta Jeta në Kosovë shkruan se Hasan Abazi, kryetari i Sindikatës së Metalistëve të Kosovës, është arrestuar nga policia serbe në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata paralele e Qarkut në Gjilan, në vitin 2005, .
Abazi ishte duke udhëtuar për në Kroaci me udhëheqësin e sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, Izet Mustafa, për të marrë pjesë në një konferencë të sindikatës evropiane.
Sipas JNK-së, që shkruan se është arrestuar vetëm Abazi dhe jo Mustafa, ky i fundit thuhet se ka treguar se bashkudhëtari i tij ishte arrestuar në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në afërsi të Gjilanit, nga një pjesëtar i policisë kufitare të Serbisë, i përkatësisë shqiptare etnike.
Abazi tashmë është dërguar në paraburgim në Vranje të Serbisë. Slagjan Velinovic, shefi i Policisë në Vranjë, tha për JNK se Abazi ishte arrestuar dhe ishte duke u marrë në gjykatë në Vranjë, ku ai do të paraqitet para gjykatësit hetues.
Velinovic refuzoi të komentonte mbi arsyet e arrestimit të tij, deri sa Abazi të merret në pyetje nga gjyqtari.
Por një burim i Gazetës Jeta në Kosovë saktëson se Abazi është arrestuar në bazë të një fletarrestimi të Gjykatës paralele të Qarkut në Gjilan, të lëshuar që në vitin 2005. Ai dyshohet për “spiunazh”, sipas nenit 305 të Kodit Penal të Serbisë.
65-vjeçari ka qenë ishte aktivist politik në vitet 1990-ta në Kosovë dhe ka shërbyer dy herë në parlamentin paralel të Ibrahim Rugovës.
Haki Abazi, i biri i Hasanit, i cili është drejtor i programit të Rockefeller Brothers për Ballkanin Perëndimor, tha se familja është e shqetësuar për sigurinë e Hasanit.
Vladimir Jovicic, zëvendës kryesuesi i ekipit negociator të Serbisë në bisedimet Beograd-Prishtinë, i tha Gazetës JnK se ai nuk ka dëgjuar për këtë arrestim, por theksoi se policia e Kosovës ka arrestuar katër serbë të martën në mbrëmje.

Kabashi priti kryeprokurorin bavarez

Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, priti sot në takim një delegacion nga Prokuroria Publike e Mynihut - Landi i Bavarisë, i kryesuar nga Ragnar Schneider, kryeprokuror dhe udhëheqës i Departamentit të Luftës kundër Narkotikëve në Prokurorinë Publike të Mynihut.
Në këtë takim Kabashi i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka, si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të fillojë së funksionuari nga 1 janari i vitit 2013.
Gjithashtu u bisedua edhe për punët, sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohen prokuroritë në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar, thuhet në njoftimin e lëshuar nga takimi.
Një temë tjetër për të cilën u bisedua ishte edhe mundësia e bartjes së çështjeve ekzistuese të ndjekjeve penale dhe hetimeve që po zhvillohen kundër shtetasve kosovarë në kuadër të ndihmës juridike, nga organet e drejtësisë gjermane tek organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Delegacioni nga Gjermania u prit edhe nga Aleksandër Lumezi - kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.

Zgjedhjet në veri rrezikojnë sigurinë në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e parë të vizitës zyrtare në Itali, ka thënë se nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri, duke vlerësuar se kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan
Në një ligjëratë para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve në Universitetin “La Sapienza” në Romë, Hoxhaj ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dinamikën e integrimeve evropiane.
Duke shpjeguar rrugën e gjatë që ka bërë populli i Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ministri i Jashtëm ka theksuar se dëbimi i më se një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra të vrarë dhe spastrimi etnik, kishte për qëllim ndryshimin e shifrave demografike në Kosovë.
“Serbia asnjëherë nuk e ka qarë kokën për popullatën në Kosovë. Asaj i ka interesuar gjithmonë vetëm territori. Kjo politikë e spastrimit etnik është ndaluar, me intervenimin humanitar të NATO-së dhe ka sjell paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ministri.
Hoxhaj ka falënderuar kontributin e Italisë për shtetndërtimin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e madhe të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi gjitha është storie evropiane e suksesit”, ka theksuar Hoxhaj, duke folur edhe për drejtat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, të cilat rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit.
“Republika e Kosovës, në katër vjetët pas pavarësisë ka arritur të akomodojë komunitetet në nivel qendror dhe lokal. Sot, komunitetet në Kosovë kanë të drejta më të avancuara se çdo komunitet tjetër në Evropë”, ka shtuar Hoxhaj.
Duke folur për paralajmërimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se mbajtja e tyre do të rrezikonte sigurinë në Ballkan.
“Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri. Kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për perspektivën evropiane, duke theksuar se fillimi i studimit të fizibilitetit për Republikën e Kosovës, shënon hapin më të rëndësishëm drejt aspiratës së dy milionë kosovarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në Universitetin “La Sapienza”, ministri Enver Hoxhaj ka zhvilluar edhe një takim me Antonello Biagini, zëvendësrektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe shumë profesorë të këtij Universiteti, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Pas dite, ministri Hoxhaj do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi.

VV: Vetëm retorikë për liberalizimin e vizave

Zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosje theksuan se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka përfituar nga proces i liberalizimit të vizave, duke vlerësuar se retorika e Qeverisë së Kosovës doli të jetë boshe, për të disatën herë me radhë, pasi ende nuk ka shënuar asnjë hap drejt këtij proces.
Alma Lama nga lëvizja Vetëvendosje theksoi se Qeveria e Kosovës kishte premtuar se do të merrte udhërrëfyesin për viza në muajin mars, mirëpo në vend të tij mori mesazhin që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Tashmë është fare e qartë se korrupsioni dhe krimi që kanë mbërthyer institucionet, e në radhë të parë qeverinë e Kosovës janë shkaktarët e vërtetë të izolimit të qytetarëve të Kosovës. Dje e vërteta doli në shesh, kur komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fule tha shprehimisht ‘duhet të bëhen reforma domethënëse në sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh Lama.
Por sipas saj, situata është edhe më e rëndë. Ajo vlerëso se Kosova pa dyshim mund të quhet një shtet i kapur nga elementët kriminalë, me një sistem drejtësie të kontrolluar politikisht e të korruptuar, dhe me institucione që do të duhej të ishin të pavarura, por që kontrollohen nga qeveria dhe struktura parainstitucionale.
Sa i përket fillimit të studimit të fizibilitetit, Lama tha se ky shtë një proces që është bërë një herë për Kosovën në vitin 2009, por meqë nuk ishte gjetur rrugëdalja politike për të, ka dështuar.
“Por duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe pse u prezantua fillimi i këtij procesi, BE-ja nuk e ka gjetur ende formulën legale për të bërë marrëveshje me Kosovën dhe për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale”, tha Lama, duke shtuar se bëhet fjalë vetëm për nja skanim të gjendjes politike ekonomike, sundimit të ligjit, tregtisë etj, por jo edhe për ndonjë garanci për të hyrë në marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit.
Sipas saj, Qeveria ka lëshuar pe në dialog me Serbinë pa përfituar asgjë në raport me BE-në, ndërkohë që Serbisë ia mundësoi të marrë statusin e vendit kandidat.

AGPK dënon kërcënimet ndaj gazetës "Express"

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka marrë me shqetësim njoftimet se persona të panjohur kanë kërcënuar se do të hedhin bombë në lokalet e të përditshmes “Express”.
Gjatë gjithë paradites të së mërkurës persona të ndryshëm që janë prezantuar si përfaqësues të naftëtarëve kanë kërcënuar se do të “hedhin gazetën në erë”, pas publikimit të një artikulli ku njoftohet se MTI ka dënuar kompanitë Petrol Company, Baci Kompani, Delta Group, Rek Oil, Agro Kabashi, Usa Sh.p.k, kompania Kastrati dhe NP Pajtimi për cilësi të dobët të karburanteve, thuhet nw reagimin e AGPK-sw.
AGPK i bënë thirrje Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve tjera të drejtësisë që të zbardhin këto kërcënime.
AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që iu bëhet gazetarëve për shkak të kryerjes së punës së tyre. AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë.

Kuçi: Në veri jemi të sfiduar

Gjatë ditë së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar katër serbë, të cilëve u është konfiskuar material zgjedhor. I pyetur se a mund të ketë arrestime të tilla edhe në veri të vendit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se veriu paraqet një sfidë, por ka shtuar se Policia e Kosovës dhe EULEX-i e kanë mandatin për të vepruar edhe në atë pjesë.
“Ju e dini, qeveria e Kosovës i ka shpallur ilegale ato zgjedhje. Natyrisht, organizatorët e tyre, apo tentuesit për organizim, do të trajtohen për veprimet e tyre ilegale, sipas ligjit. Edhe trajtimi i tillë është sipas prokurorisë dhe gjyqësorit, por e kanë mandatin e plotë t’i trajtojnë si veprime ilegale, kudo që ata takohen në cilën do pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Në veri jemi të sfiduar më shumë sesa në pjesët e tjera, por kur ka mundësi policia e Kosovës, EULEX-i e kanë mandatin për veprime tilla”, ka deklaruar Kuçi në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës. Ai këto komente i ka bërë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për arrestimet e serbëve, të cilët po fusnin material zgjedhor në Kosovë dhe mundësinë e arrestimeve të tjera në veri të Kosovës, transmeton Kosovapress.
Ndërsa në lidhje me deklaratat e Komisioneri për zgjerim të BE-së Stefan Fule për veriun e Kosovës, Kuçi ka thënë se kjo është sqaruar dje që nuk ka një plan sekret për veriun.
“E para ka qenë mirë që komisioneri Fule ka treguar që nuk ka plan sekret sikur që është propozuar për veriun dhe besoj se kjo u pa qartë. Dhe e dyta, po ashtu, besoj me të drejtë që është në dorën e Kosovës si e mendon atë plan dhe ne mendojmë që plani i Ahtisaarit, Kushtetuta e Kosovës bashkëpunimi ynë me qytetarët serb atje është zgjidhja më e mirë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë ai.

Prokurimi më i korruptuari

Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës, gjatë viti 2011, ka marrë 160 informacione të rasteve të korrupsionit, në të cilat janë të përfshira gjykatat dhe prokuroritë, si dhe institucionet tjera të vendit. Kështu bëri të ditur shefi i kësaj agjencie, Hasan Preteni, pas dorëzimit të raportit vjetor në qeverinë e vendit.
Në raport janë përfshirë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me vepra penale të korrupsionit si dhe mos deklarimit të pasurisë nga personat zyrtarë. Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës, Hasan Preteni, tha se në 39 raste të përcjella në prokurori, janë denoncuar 121 persona, raporton RTK
“Fusha më e atakuar nga dukuria e korrupsionit, mbetet ajo e prokurimit”, tha Preteni.
Sipas tij, 11 raste korruptive janë evidentuar nëpër gjykatat të vendit, 60 të tjera në institucione të pavarura, 30 në Qeveri, 56 raste të pushtetit lokal si dhe 3 raste në prokuroritë e vendit.
Preteni, tha se vlera totale e dëmeve nga veprimet e mundshme korruptive, nga të cilat janë bërë 39 kallëzime penale, supozohet të jetë mbi 10 milion euro.

Kroatët të zhytur në borxhe

Borxhi i përgjithshëm i qytetarëve në Kroaci, në fund të muajit janar ka qenë 140 milionë euro më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2010.
Shifrat janë bërë publike nga Banka Qendrore e Kroacisë. Kreditë për shtëpi janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ndërsa, ato për makina kanë rënë me 280 milionë euro.
Shpenzimet nëpërmjet kartave të kreditit regjistruan një rënie përgjatë vitit të kaluar. Sipas përllogaritjeve, kroatët kanë shpenzuar 40 milionë euro më pak nëpërmjet kartave, në krahasim me një vit më parë. 

Greqi, deficiti tregtar në janar u ulë me 29.1 %

Deficiti tregtar i Greqisë për muajin janar ka rënë me 29.1 për qind, pasi, konsumi i brendshëm është zbehur.
Sipas të dhënave paraprake të Institutit të Statistikave në Greqi, vlera e përgjithshme e importeve për Janarin, duke përjashtuar produktet e naftës arriti në 2.23 miliardë euro.
Në krahasim me një vit më parë, kjo vlerë ka rënë me 15.6 për qind. Në të njëjtin muaj, vlera e përgjithshme e importeve ka arritur në 1.2 miliardë euro. Eksportet kanë shënuar një rritje të lehtë, me 1 për qind në kundrejt janarit të vitit 2011.

Lloyd’s ka humbur 824 milionë dollarë

Grupi i sigurimeve Lloyd’s në Londër ka shpallur humbje masive për vitin 2011, duke thënë se ishte vit rekord i kërkesave për shkak të katastrofave. Kompania tha se ka shënuar humbje prej 824 milionë dollarësh, vitin e kaluar. Lloyd’s tha se në vitin 2011 u bënë kërkesat më të mëdha gjatë një viti në historinë 324 vjeçare të kompanisë.
Në vitin 2010 ky grup i sigurimeve kishte paraqitur fitim prej 2.2 miliardë dollarëve.
Lloyd’s tha se kërkesat kryesore për pagesa të dëmeve ishin bërë pas vërshimeve në Australi në muajin janar, pas tërmetit në Zelandën e Re në muajin shkurt, pas tërmetit dhe cunamit në Japoni, në muajin mars dhe pas vërshimeve në Tajlandë nga korriku.
Lloyd’s është shoqëri e korporatave e sigurimeve dhe e individëve të pasur, që bënë transaksione të sigurimeve nëpërmjet të 88 kompanive.

Nafta me rënie

Kontratat e naftës ranë për të dytin sesion me radhë të presuara nga pritshmëria që administrata Obama të hedhë në treg rezervën strategjike për të reduktuar çmimin e naftës në pikat e karburantit dhe pavarësisht statistikës që tregoi rritje të stokut të hidrokarbureve në javën e kaluar.
Nafta bruto Brent e Londrës për majin ra 71 cent në 124.83 dollarë për fuçi. Për deri sa nafta bruto amerikane për muajin maj ra 60 cent në 106.73 dollarë për fuçi.

Lahm, Badstuber dhe Kroos nuk janë në shitje

Toni Kroos, Holger Badstuber dhe Philipp Lahm do të jenë pjesë e skuadrës së Bayern Munichut në sezonin e ardhshëm.
Tre lojtarët gjermanë kanë tërhequr vëmendjen e top-klubeve evropiane, mirëpo bavarezët kanë reaguar shpejtë për të mohuar mundësinë e largimit.
Goal.com raporton se Lahm është në planet e Barcelonës, Badstuber kërkohet nga Chelsea, ndërsa Interi përcjell situatën e Kroos.
Sidoqoftë, vendimi i drejtuesve të Bayernit është se asnjë nga lojtarët kyçë nuk do të largohet dhe se të gjitha ofertat do të refuzohen. 

Kaka bën tifo për Milanin

Mesfushori ofensiv i Real Madridit, Ricardo Kaka, është i bindur se Milani do të dijë të nxjerrë rezultat pozitiv kundër Barcelonës në San Siro.
“Do ta shikoj ndeshjen dhe, si gjithmonë, do të bëj tifo për Milanin”.
“Asnjëri nga ish-bashkëlojtarët e mi nuk më ka thirrur deri më tani, por Milani e di si t’i dalë në krye Barcelonës”.
“Shpresoj që Rossonerët do të bëjnë një paraqitje të mirë dhe do të marrin një rezultat të mirë”, ka thënë Kaka.

Drogba i kënaqur me rezultatin

Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, mendon se goli i shënuar si mysafir kundër Benficas mund të rezultojë kyç për kualifikimin e ekipit të tij në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Blutë fituan me rezultat 1-0 në udhëtim te klubi portugez që konsiderohet si avantazh i madh për ndeshjen kthyese që zhvillohet në Stamford Bridge.
“Është një rezultat i shkëlqyer. Gjëja më e rëndësishme është se kemi shënuar gol si mysafirë”.
“Mirëpo, ne kemi shumë respekt për Benfican. (Prandaj) do ta marrim me shumë seriozitet ndeshjen e kthimit”, ka deklaruar sulmuesi nga Bregu i Fildishtë për L'Equipe.
Nëse Chelsea kualifikohet tutje, atëherë do të luajë kundër Barcelonës ose Milanit për një vend në finalen e Munihut. 

City do të luftojë deri në fund për titull

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, ka deklaruar se skuadra e tij do të luftojë deri në fund të sezonit për ta fituar titullin e parë të Ligës Premier.
“Pse të presim deri në sezonin e ardhshëm kur mund ta fitojmë tash?”.
“Fitimi i titujve ka të bëjë me mosdorëzim dhe ne nuk do të dorëzohemi. Unë dua ta fitoj këtë sezon dhe pastaj edhe shumë herë pas këtij”.
“Mund t’ju premtoj se do të luftojmë deri në fund”, ka thënë argjentinasi për faqen zyrtare të klubit.

Thiago Silva nuk është në shitje!

Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, e ka njoftuar presidentin e Barcelonës, Sandro Rosell, që të mos humbë kohë duke kërkuar Thiago Silvan.
“Nëse Sandro Rosell më pyet për Thiago Silvan, përgjigja ime do të jetë e sjellshme, por e fuqishme: Ai nuk është në shitje”, ka deklaruar Galliani për Tuttosport.
Sa u përket sfidave çerekfinale mes dy skuadrave në kuadër të Ligës së Kampionëve, shefi i Rossonerëve ka thënë se shpreson që Milani t’u shkaktojë telashe Blaugranëve.

Ozil: Refuzova Interin për Realin

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, ka zbuluar se ai ka pasur shansin t’i bashkohet Interit pas Kupës Botërore 2010, por kishte zgjedhur të transferohet në Santiago Bernabeu.
“Është e vërtetë se në vitin 2010 kisha oferta nga disa top klube evropiane. Këtu përfshihet Interi. Por vendimi për të shkuar te Reali ishte absolutisht i qëlluari. Është klubi më i mirë në botë dhe do të doja t’i jap fund karrierës këtu”.
“Jam vetëm 23-vjeçar, nuk do ta arrij kulmin tim edhe për shumë kohë. Do të bëhem vetëm më i mirë. Jam i përqendruar plotësisht te Madrid dhe te skuadra kombëtare, pasi ne mund të bëjmë histori këtë vit”.
“Ne mund ta fitojmë La Ligën edhe Ligën e Kampionëve, dhe gjatë verës edhe Kampionatin Evropian me Gjermaninë”, ka thënë Ozil për Sport Bild.

Mourinho: Mund të kthehem te Interi

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka zbuluar se ai kurrë nuk do të përjashtonte një rikthim në “shtëpinë e tij”, Inter.
Portugezi udhëhoqi Nerazzurët drejt tre titujve në vitin 2010, para se të transferohet në Santiago Bernabeu.
Megjithatë së fundi është folur për një largim të Mourinhos nga Bernabeu gjatë verës dhe është përfolur edhe për një rikthim të tij në Giuseppe Meazza. Gjatë një prononcimi për këtë çështje, Mourinho nuk e ka mohuar mundësinë e rikthimit, edhe pse ka propozuar që klubi italian të rikthejë edhe drejtorin teknik Gabriele Oriali.
“Interi është shtëpia ime; një rikthim në shtëpi është gjithmonë i mundshëm. E njëjta është edhe me ‘Lele’ – ai duhet të shkojë në shtëpi”, ka thënë portugezi për Sky Sport Italia.

Owen shpreson edhe në dy sezone lojë aktive

Sulmuesi i Manchester United, Michael Owen, mendon se ai ka edhe dy vite të mbetura në top formë.
“Duhet të pranoj, nuk mendoj se do të jem një prej lojtarëve i cili do të luajë edhe kur ka 37 ose 38 vjet, si Ryan (Giggs). Por sigurisht mendoj se ka edhe dy ose tre vite të mbetura në mua”, ka thënë Owen.
“I dëgjoj lojtarët në dhomën e zhveshjeve; disa lojtar mezi zgjohen nga krevati dhe ankohen për nyjat dhe tendat e Akilit. Sinqerisht nuk jam në atë grup. Kurrë nuk ankohem në atë mënyrë”.
“Mund të jetë e çuditshme që njerëzit e dëgjojnë këtë pasi ata e dinë se jam i lënduar, por në nyja ndjehem shkëlqyeshëm. Mendoj se mund të luaj, vetëm se kur lëndohem duket se ato janë lëndime të rënda”.
“Trupi im më thotë se mund të vazhdoj të luaj dhe mendja ime po ashtu dëshiron dhe synimi im është të vazhdoj të luaj për së paku edhe disa vite”, ka shtuar sulmuesi anglez.

Beckenbauer dëshiron Barcën në finale

Presidenti i Bayern Munich, Franz Beckenbauer, dëshiron të përballet me Barcelonën në finalen e Ligës së Kampionëve në Fußball Arena të Munichut.
Real Madrid ose APOEL Nicosia do të ishin rivalët e Bayernit në rast se gjermanët do të kualifikohen në gjysmëfinale, derisa Barcelona do të përballej me Benfican ose Chelsean nëse eliminon Milanin në çerekfinale.
“Kjo sigurisht është diçka të cilën të gjithë e ëndërrojnë, jo vetëm tifozët e Bayernit. Disi besoj në këtë finale, por ka ende shumë deri në fund”.
“Ende ëndërroj për këtë. Real Madridi dhe Barcelona aktualisht janë skuadrat më të mira në Evropë dhe ju duhet të luani kundër tyre në ndonjë moment nëse dëshironi ta fitoni Ligën e Kampionëve”, ka thënë Beckenbauer.

Pique: Ishte një sezon i vështirë

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ai ka kaluar një sezon të vështirë me klubin spanjoll.
“Më shumë se gjithçka tjetër, më shumë më intereson loja ime e përgjithshme se sa goli. Pjesa më vendimtare e sezonit është tash dhe shpresoj të mund ta ndihmoj skuadrën”.
“Ka qenë një vit i komplikuar. Kam filluar me një lëndim dhe ishte vështirë të kyçem në dinamikën e skuadrës. Kur isha në karrige, ishte sepse bashkëlojtarët e mi luanin më mirë se unë”, ka thënë Pique. 

Ibra të transferohet te Reali, për inati të Barcës

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, do të dëshironte të veshë fanellën e Real Madridit, raportojnë mediat spanjolle.
El Confidencial shkruan se dështimi i Ibrahimovic te Barcelona ende i djeg suedezit dhe ai do të dëshironte një transferim hakmarrës dhe të arrijë sukses te Reali.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, është një tifoz i suedezit dhe ka bërë interesim te Milani verën e kaluar për mundësinë e nënshkrimit të tij.
Një marrëveshje mund të jetë në letra, veçanërisht nëse Reali vendos ta shesë Gonzalo Higuain gjatë verës. 

Ranieri të vazhdojë të jetë pjesë e Interit?

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se Claudio Ranieri mund të ketë edhe me tej ndonjë rol në klub.
Ranieri dje u shkarkua dhe u zëvendësua nga një trajner pa përvojë, Andrea Stramaccioni.
“Ai sigurisht është pjesë e Interit për momentin dhe është i gatshëm të bashkëpunojë. Ai është një njeri i mirë dhe një trajner i shkëlqyeshëm, sipas meje. Thjesht shkoi keq për të”.
“Sa i takon Gasperinit, le të themi se ne startuam sezonin shumë keq sa ishte vështirë të kthehemi në rrugë të duhur pas saj. Them se ai mund të jetë trajner i mirë, por me Interin nuk shkoi ashtu”, ka thënë Moratti. 

Benzema: APOEL na i vështirësoi gjërat

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, është i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij ndaj APOEL në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por thotë se fitorja nuk ishte aspak e lehtë.
Djelmoshat e Jose Mourinhos ishin të paaftë ta thyejnë mbrojtjen qipriote në 45 minutat e para, por ata shënuan me 16 minuta të mbetura, kur Kaka asistoi për Benzema, pas të cilit gol madrilenët morën forcë dhe shënuan edhe dy gola të tjerë për të fituar në fund me rezultat 3-0.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, veçanërisht në pjesën e parë. Ndeshja u përmirësua pas pauzës dhe ne nxorëm një fitore shumë të rëndësishme. Ne do të vazhdojmë ta ruajmë formën edhe për ndeshjen e kthimit”.
“APOEL është një kundërshtar i vështirë dhe na i vështirësoi gjërat. Kjo është një fitore e rëndësishme, por ende nuk ka përfunduar. Ne duam të bëjmë një paraqitje të mirë para tifozëve tanë në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Benzema.

Përsëri shtyhet turneu i DMX

E pa besueshme, por e vërtetë. Vetëm dy ditë pas konfirmimit nga menaxhmenti i reperit problematik amerikan, DMX, se ky i fundit do të mbajë turneun europian të planifikuar për muajin janar, e të shtyrë për muajin prill, tashmë po i njëjti menaxhment ka bërë të ditur se turneu është shtyrë përsëri, për një datë të pa caktuar.
Lajmi ka ardhur si një goditje e rëndë edhe për kompaninë kosovare NextLevel, e cila tashmë kishte filluar përgatitjet për koncertin, kurse zhgënjim të madh pritet të ketë edhe në mesin e fansave të reperit amerikan në Kosovë, të cilët mezi e prisnin mbajtjen e kësaj ngjarjeje të cilësuar si ngjarja më e madhe që prej performancës epike të Busta Rhymes prillin e vitit 2011.
“Është hera e dytë që po ndodh kjo gjë dhe siç thotë populli, ‘i ka dalë ngjyra kësaj pune’. Jemi totalisht të dëshpëruar për të dytën herë që po ndodh kjo gjë dhe ju kërkojmë falje të gjithë fansave, por asgjë nuk është në dorën tonë. Kemi të bëjmë me një artist më problematik se sa që kemi menduar”, ka theksuar drejtori i NextLevel, Ardin Badivuku, në një prononcim ekskluziv për lajmenews.
Në shenjë transparence ndaj publikut të gjerë, Badivuku ka zbuluar dhe email-at mjaft konfidencialë, ku së pari vërehet konfirmimi i datës 10 prill për koncertin në Prishtinë, dhe më pas edhe komunikata për anulimin e turneut europian. Telegrafi po ashtu posedon edhe kontratën e nënshkruar mes NextLevel dhe kompanisë StreetLife, ku shihet qartë se është paguar edhe shuma e parave e kërkuar nga DMX.
Emaili i konfirmimit më 26 mars

Emaili me kontratën


Emaili i anulimit


Komunikata e anulimit

Jo vetëm Prishtina është prekur nga anulimi i turneut të DMX. Probleme me reperin amerikan kanë edhe kompanitë në Francë, Gjermani dhe mbarë Europën të cilat kishin rezervuar datat e madje edhe shitur biletat për ngjarjet të cilat duhej t’i organizonin.
Turneu sipas komunikatës së publikuar më lart nga menaxhmenti i DMX është shtyrë për një datë të pa caktuar. 

Madonna fton Bieberin në turne

Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, e ka ftuar yllin e tinejxherëve, Justin Bieber, që t’i bashkohet në skenë gjatë turneut të ardhshëm botëror.
Duke iu përgjigjur fansave të saj në Twitter, këngëtarja ka thënë se mendon që Bieber është i shkëlqyer dhe se është fanse e tij.
“Eja bashkoju me mua në skenë gjatë turneut tim, nëse ndodhemi njëkohësisht në cilindo qytet”, ka shkruar mes tjerash Madonna.

Rodman falimenton dhe është i sëmurë

Ish-basketbollisti i NBA, Dennis Rodman, ka falimentuar dhe është shumë i sëmurë, saqë nuk është në gjendje që të paguajë alimentacion për fëmijët e tij- shkruan Los Angeles Times.
Në dokumentet e avokatit të tij thuhet se ylli i dikurshëm i Detroit Pistons, Chicago Bulls dhe Los Angeles Lakers, ka borxh prej 808.935 dollarësh për alimentacion për fëmijët që i ka me gruan e tretë, Michalle Rodman. Veç kësaj, ai i ka borxh personal gruas së tij prej 51.441 dollarësh.
Për të gjitha këto, Rodman, i cili e provoi veten edhe si aktor, mund të përfundojë në burg.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, avokati Jack Kayajanian thekson se klienti i tij ka falimentuar dhe nuk mund të paguajë alimentacion e as shpenzimet tjera. Po ashtu thuhet se Rodman është “ekstremisht i sëmurë”.

Albana Azizi në “Top Fest”

dhe këngëtarja Albana Azizi i është bashkangjitur konkurrentëve në “Top Fest 9”.
Ajo është prezantuar me këngën “E fundit në kufi”, këngë e cila është punuar nga Xhevdet Gashi dhe me tekst të shkruar nga Arsim Bunjaku.
Kjo është hera e parë për Albanën që është paraqitur në festivalin “Top Fest”.
 

Pranvera, sezon i vështirë i alergjive

Sezonet gjithnjë më të hershme të lulëzimit dhe sasitë gjithnjë më të mëdha të polenit që qarkullojnë në ajër janë trend që po përkeqësohet çdo vit, ndërsa ka gjithnjë e më shumë edhe alergjikë, shpjegojnë shkencëtarët.
Ekspertët besojnë që çdo vit do të jetë më keq për shkak të motit jashtëzakonisht të ngrohtë, lulëzimit gjithnjë më të hershëm dhe pranverës pa shumë reshje, ndërsa kjo përkeqëson simptomat e alergjisë.
Edhe pse pranvera është kohë e ftohjes dhe virozave, dallimi kryesor është që simptomat e alergjisë gjithsesi zgjasin më gjatë se 10 ditë, ndërsa janë më të lehta se tek ftohja. Besohet që sot nga ndonjë formë e alergjisë vuajnë rreth 30 për qind e njerëzve, ndërsa në dekadën e ardhshme ky numër edhe do të dyfishohet. Në pranverë reaksionet alergjike shkaktohen nga poleni i lajthisë, verrit, shelgut, pastaj mështeknës dhe panjës.
Çajet e ndryshme të pasura me antioksidantë me shtesat e vitaminave C, E, B dhe magnezit, selenit, kalciumit mund të reduktojnë reagimin e trupit në stimujt nga mjedisi dhe të lehtësojnë alergjinë. Në përgjithësi, ushqimi i shëndetshëm dhe i balancuar mesdhetar do të ndihmojë në kontrollimin e etheve të çmendura pranverore, këshillojnë imunologët. 

Nokia përgatit modele të reja në MeeGo

Sipas një raporti të fundit nga Netbook News, Nokia është duke u përgatitur të lansojë edhe dy modele të reja të telefonave të mençur, të cilët do të dallohen për nga çmimi i tyre i ulët.
Nokia do të zgjedh MeeGo si sistemin e saj operativ për telefonat e rinj, të cilët i ka dedikuar për tregjet më të varfra, dhe pasi që MeeGo ka kërkesa më të vogla sesa Windows Phone.
Me gjithë informacionin se modelet e reja të telefonave Nokia me MeeGo do të jenë më të lira, ende nuk ka asnjë detaj për çmimin e tyre me të cilin do të paraqiten në treg. 

Është më i mençur se Einsteini - ndërsa pastron dritare

Steve Borlase nga Warminster është njëri nga njerëzit më të mençur në Britani të Madhe me IQ 180, ndërsa punon si pastrues dritaresh.
Për të thonë se është më i mençur se Albert Einsteini, duke qenë se që nga mosha pesëvjeçare i ka zgjidhur detyrat e komplikuara matematikore.
“Në moshën pesëvjeçare jam rrëzuar në park dhe diçka ndryshoi tek unë. Qëkur jam rrëzuar në kokë, kam qenë në gjendje të zgjidh detyrat më të rënda aritmetike. Punoj si pastrues dritaresh, por do të më pëlqente që dikush të ma jepte rastin që të tregoj se çfarë di me numrat”, citon Metro fjalët e Borlase.
Koeficienti i tij i inteligjencës është më i lartë sesa IQ i Albert Einstein, Stephen Hawking dhe Carol Vorderman. 

Shatërvan alkooli

Gjeorgjia shpreson që të tërheqë turistë në Batumi me ndërtimin e një shatërvani, ku do të mund të provojnë një alkool të fuqishëm që do të rrjedhë rreth 15 minuta çdo javë.
Kryebashkiaku i këtij qyteti ka thënë se nga shatërvani do të rrjedhë rakia me bazë rrushi, shija e të cilës është e ngjashme me atë të rakisë italiane.
Turizmi konsiderohet si një burim i rëndësishëm i të ardhurave në këtë vend të varfër ish-sovjetik, ku vreshtaria paraqet një industri të rëndësishme.
Shatërvani i ri me lartësi prej 25 metrash, pritet që të jetë i ndërtuar kah fundi i verës që vjen.

Punët më të rënda në botë

Herën tjetër kur të ankoheni për punën e rëndë që keni, për kolegët antipatikë apo për shefin e vrazhdë, mendoni për listën e punëve që sjell National Geographic, e të cilat mund të jenë të rrezikshme për jetën.
Peshkatar i tonëve – Këta peshkatarë kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë në “vendin e punës”.
Rojet bregdetare – Çdo ditë rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.
Punëtor në nxjerrjen e naftës – Nxjerrja e naftës dhe gazit në platforma në det është një nga punët më të rrezikshme dhe të rënda (punohet nga 12 orë në ditë me materiale me ndezshmëri të lartë).
Largues i minave – Secila punë që ka të bëjë me minat, shumë lehtë mund të bëhet vdekjeprurëse.
Elektricisti që nga helikopteri punon në përçues – Punën më të madhe e kryejnë pa dorëza, prandaj puna e tyre është mjaft e rrezikshme.
Pastrues dritaresh në rrokaqiej – Ky variant i pastrimit kërkon kualifikim dhe zotim të aftësive të veçanta.

Zjarrfikës – Edhe pse janë të veshur dhe të përgatitur për situata të paparashikuara, rreziku nga lëndimet dhe vdekja është shumë i madh.
Minator – Çdo vit në botë vdesin nga 50 deri në 60 minatorë, duke mos llogaritur aksidentet grupore.
Sharrëxhi – Puna kryhet në terren jo të rrafshët me sharra motorike, si edhe me makina të tjera për transportimin e drunjve, që janë shumë të rrezikshme edhe në se përdoren në mënyrë të duhur.