Kabashi priti kryeprokurorin bavarez

Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, priti sot në takim një delegacion nga Prokuroria Publike e Mynihut - Landi i Bavarisë, i kryesuar nga Ragnar Schneider, kryeprokuror dhe udhëheqës i Departamentit të Luftës kundër Narkotikëve në Prokurorinë Publike të Mynihut.

Në këtë takim Kabashi i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka, si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të fillojë së funksionuari nga 1 janari i vitit 2013.
Gjithashtu u bisedua edhe për punët, sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohen prokuroritë në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar, thuhet në njoftimin e lëshuar nga takimi.
Një temë tjetër për të cilën u bisedua ishte edhe mundësia e bartjes së çështjeve ekzistuese të ndjekjeve penale dhe hetimeve që po zhvillohen kundër shtetasve kosovarë në kuadër të ndihmës juridike, nga organet e drejtësisë gjermane tek organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Delegacioni nga Gjermania u prit edhe nga Aleksandër Lumezi - kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.