Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Kuvendit të Irlandës Veriore, të kryesuar nga kryetari i tij, zotëri William Hay, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.
Presidentja Jahjaga tha se Irlanda Veriore ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën, në proceset e saj të shtet ndërtimit dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Irlandës Veriore. Ajo tha se dy vendet kanë edhe gjëra të përbashkëta, por që të dyja i kanë tejkaluar dallimet e së kaluarës duke e ndërtuar të ardhmen.
Jahjaga tha se Republika e Kosovës synon anëtarësimin në BE, meqë kjo do të ndihmonte që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit të ecin drejt një të ardhmeje të përbashkët, si shtete të pavarura dhe sovrane. Ajo tha se anëtarësimi në BE është garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca.
“Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se qëllim kryesor është politika e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Zbatimi i planit Ahtisaari në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është zgjidhja më e mirë dhe ky plan i ofron komunitetit serb një gamë të gjerë të të drejtave”, tha Jahjaga.
Kryetari i Kuvendit të Irlandës Veriore, William Hay, citohet të ketë thënë se pret ndërtimin e marrëdhënieve të fuqishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Irlandës së Veriut, përmes shkëmbimit të përvojave mes dy kuvendeve.