Kryetari ilegal i Komunës së Zveçanit, Dobrosav Dobric, ka deklaruar sot se në atë komunë do të organizohen zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, “pavarësisht nga paralajmërimet e Prishtinës se do të arrestojë serbët që do t’i organizojnë ato”.
"Ne kemi të drejtë të organizojmë zgjedhje demokratike dhe nuk do të presim që këtë ta bëjnë për neve shqiptarët”, i ka thënë Dobric agjencisë Beta.
Ai ka thënë se serbët do të organizojnë zgjedhje për institucionet serbe dhe vetë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre pa pritur që “shqiptarët të vendosin njerëz të blerë dhe të dëgjueshëm”.
"Policia e Kosovës nuk mund të arrestojë 100 mijë serbë dhe ne nuk i frikësohemi kësaj” , tha Dobric, duke potencuar se arrestimet e djeshme të serbëve në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë dhe në Vushtrri janë bërë me qëllim të frikësimit të qytetarëve dhe me porosinë se për ata nuk ka vend në Kosovë.