E pa besueshme, por e vërtetë. Vetëm dy ditë pas konfirmimit nga menaxhmenti i reperit problematik amerikan, DMX, se ky i fundit do të mbajë turneun europian të planifikuar për muajin janar, e të shtyrë për muajin prill, tashmë po i njëjti menaxhment ka bërë të ditur se turneu është shtyrë përsëri, për një datë të pa caktuar.
Lajmi ka ardhur si një goditje e rëndë edhe për kompaninë kosovare NextLevel, e cila tashmë kishte filluar përgatitjet për koncertin, kurse zhgënjim të madh pritet të ketë edhe në mesin e fansave të reperit amerikan në Kosovë, të cilët mezi e prisnin mbajtjen e kësaj ngjarjeje të cilësuar si ngjarja më e madhe që prej performancës epike të Busta Rhymes prillin e vitit 2011.
“Është hera e dytë që po ndodh kjo gjë dhe siç thotë populli, ‘i ka dalë ngjyra kësaj pune’. Jemi totalisht të dëshpëruar për të dytën herë që po ndodh kjo gjë dhe ju kërkojmë falje të gjithë fansave, por asgjë nuk është në dorën tonë. Kemi të bëjmë me një artist më problematik se sa që kemi menduar”, ka theksuar drejtori i NextLevel, Ardin Badivuku, në një prononcim ekskluziv për lajmenews.
Në shenjë transparence ndaj publikut të gjerë, Badivuku ka zbuluar dhe email-at mjaft konfidencialë, ku së pari vërehet konfirmimi i datës 10 prill për koncertin në Prishtinë, dhe më pas edhe komunikata për anulimin e turneut europian. Telegrafi po ashtu posedon edhe kontratën e nënshkruar mes NextLevel dhe kompanisë StreetLife, ku shihet qartë se është paguar edhe shuma e parave e kërkuar nga DMX.
Emaili i konfirmimit më 26 mars
Emaili me kontratën
Emaili i anulimit
Komunikata e anulimit
Jo vetëm Prishtina është prekur nga anulimi i turneut të DMX. Probleme me reperin amerikan kanë edhe kompanitë në Francë, Gjermani dhe mbarë Europën të cilat kishin rezervuar datat e madje edhe shitur biletat për ngjarjet të cilat duhej t’i organizonin.
Turneu sipas komunikatës së publikuar më lart nga menaxhmenti i DMX është shtyrë për një datë të pa caktuar.