Schalke në kërkim të Van der Vaart

Trajneri i Schalkes, Huub Stevens, ka konfirmuar se klubi i tij është në bisedime me agjentin e Rafael van der Vaart për transferimin e mesfushorit të Tottenhamit në Bundesliga.
“Kualitetet e tij janë të jashtëzakonshme. Schalke nuk do t’i thotë jo Van der Vaartit”.
“Unë e njoh atë nga qëndrimi i përbashkët në Hamburg dhe do të dëshiroja t’i bashkoj sërish forcat me të. Ne jemi në kontakt me agjentin e tij”.
“Nuk e di nëse Raf mendon për një kthim në Gjermani. Ende nuk kam folur me të, sepse ai është i përqendruar në Evropian”, ka thënë Stevens për Voetbal International.

Interi seriozisht pas Giovincos

Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka njoftuar se zikaltrit kanë kontaktuar me Parmën rreth disponueshmërisë së Sebastian Giovincos.
25-vjeçari, i cili është në gjysmëpronësi të Juventusit, pritet të largohet nga Parma gjatë kësaj vere, ndërsa duket se Nerazzurët dëshirojnë ta transferojnë në Meazza.
“Kemi kontaktuar me Parmën rreth Giovincos. Ai është padyshim një lojtar i shkëlqyer, është përmirësuar shumë në vitet e fundit dhe ne jemi duke e përcjellë”.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, ka deklaruar Ausilio për Sky Sport Italia.

Benzema: United më kërkon qe katër vite

Karim Benzema ka njoftuar se trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, është përpjekur që ta transferojë në Old Trafford në katër sezonet e fundit.
“Thashethemet për të ardhmen time janë të shpeshta, çdo verë është njësoj, flitet se unë do të shkoj te ky apo ai klub”.
“Mirëpo, unë jam shumë i lumtur re Real Madridi dhe ideja për t’u larguar asnjëherë nuk më ka ardhur në mendje”.
“E di se Manchester Unitedi është përpjekur të më transferojë në tre apo katër vitet e fundit. Kur isha te Lyoni, ata dhe disa klube tjera angleze më dëshironin, mirëpo nuk mundën të arrijnë marrëveshje me Lyonin”.
“Megjithatë, unë doja të shkoj në Spanjë dhe sinqerisht asnjëherë nuk jam penduar për atë vendim”, ka pohuar Benz’ përThe Sun

Redknapp do ta pranonte postin e trajnerit të Anglisë

Trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka pranuar se do të largohej nga Spursat për të marrë postin e trajnerit të Anglisë nëse do t’i ishte bërë oferta.
Pas dorëheqjes së Fabio Capellos, Redknapp ishte njëri nga të favorizuarit për ta marrë drejtimin e Tre Luanëve, mirëpo Federata Angleze e Futbollit vendosi që këtë post t’ia ofronte Roy Hodgsonit.
“Do ta pranoja, mirëpo asnjëherë nuk jam kontaktuar”, ka deklaruar Redknapp për BBC

‘Higuain nuk dëshiron të largohet’

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka deklaruar se bashkëlojtari i tij Gonzalo Higuain nuk planifikon të largohet nga Santiago Bernabeu gjatë verës.
Paris Saint-Germaini dhe Juventusi kanë shprehur interesim për shërbimet e argjentinasit, megjithatë francezi ka thënë për AS se Higuan dëshiron të vazhdojë me Los Blancos.
“Tash ai është me ekipin kombëtar të Argjentinës dhe shpresoj që të qëndrojë”.
“Ai nuk e ka në plan të largohet, as te PSG as te ndonjë klub tjetër. Ai duhet të pushojë, sepse është lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Benzema.

Milani shpëton, shet 25% të aksioneve?

Milani është i gatshëm që t’ia shesë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve një prej njerëzve më të pasur në botë, që nuk e di as vet se sa pasuri ka, bosit të kompanisë Emirates, Sheikh Mohammed bin Rashid Al-Maktoum.
Lidhjet e krijuara nga Berlusconi me bosin e Emirates vijnë edhe pas vizitave të kryeministrit të Emirateve të Bashkuara Arabe në kampin Rossoner.
Al-Maktoum njihet si një prej tifozëve më të flakt të Milanit në botë dhe pasi ka nënshkruar marrëveshjen e sponsorizimit me Rossonerët, tani ka vendosur edhe ta shpëtojë klubin nga rënia në aspektin financiar.
Besohet se Berlusconi është në bisedime me Al-Maktoum për t’ia shitur 25 përqind të aksioneve të klubit, që mund të konsiderohet pjesë e vogël për atë që Al Maktoum ofron – e që është as më pak e as më shumë se 200 milionë euro. 

Madonna ua tregon gjirin turqve (Video)

Publiku në Turqi nuk do ta mbajë mend Madonnan vetëm për koncertin e saj, por edhe për tregimin e gjirit dhe futjen e duarve në brekë.
Në kuadër të turneut MDNA, Mbretëresha e muzikës pop ka mbajtur një koncert në Stamboll, ku përveç këngëve ka vendosur ta zbulojë edhe trupin e saj.
Ajo është shfaqur në skenë me një këmishë të bardhë dhe më pas e ka hequr duke qëndruar vetëm me jelekë.
Por as kjo nuk i ka mjaftuar dhe në një moment publikut ia ka treguar gjirin. Në vazhdim të koncertit ajo i ka futur duart mes këmbëve...

Fox nuk mund ta fshehë më shtatzëninë

Bukuroshja hollivudiane, Megan Fox, një kohë të gjatë e ka mbajtur të fshehur shtatzëninë e saj nga mediat dhe njerëzit kuriozë, mirëpo këto ditë për herë të parë e ka treguar në publik barkun e saj.
Paparacit e kanë fotografuar atë duke shkuar në kinema me burrin e saj, Brian Austin Green, ndërsa edhe nën bluzën e gjerë, aktorja nuk ka mundur ta fshehë barkun.
Sipas shkrimeve të tabloideve të ndryshme amerikane, Megan pritet të bëhet nënë gjatë vjeshtës.

Pattinson pendohet qe u fjalos me Adelen

Robert Pattinson në një mbrëmje ishte fjalosur me këngëtaren britanike, Adele, ku e këshilloi atë që të synojë më shumë, përkundër faktit se është artistja femër që ka shitur më së shumti albume në histori të muzikës.
Ylli i Twilight ka zbuluar se në një party ishte fjalosur me Adelen, duke e cënuar integritetin e saj prej artisteje të jashtëzakonshme.
“Unë e kisha këtë fjalosje me Adelen, që është gjëja më qesharake që kam bërë ndonjëherë. Unë thashë: ‘E di si, ti vërtet mund të kërkosh më shumë’ dhe ajo m’u kthye: ‘A nuk e di se jam artistja që ka shitur më së shumti albume në histori?”
“Dhe, unë më pas u fjalosa me të. Kur u zgjova ditën tjetër e kuptova ngjarjen dhe u pendova për gjithë atë gjë”, ka thënë në një intervistë Pattinson.

Diaspora shqiptare bashkohet në Prizren

Diaspora shqiptare u bashkua sot në Konferencën e parë Shkencore Ndërkombëtare "Roli i mërgatës në shtetformim", në të cilën gjatë tri ditëve do të analizohet dhe vlerësohet kontributi i diasporës tonë.
Në hapjen e kësaj konference treditore në Prizren, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli deklaroi se shteti historik shqiptar Prizreni, po bashkon shqiptarët nga katër anët ku jetojnë, pasi sipas tij mërgata ka pas rolë të rëndësishëm në ruajtjen e frymës liridashëse të Lidhjes së Prizrenit.
"Nëse deri sot vetëm kemi folur për kontributin e mërgimtarëve në shtetformim, konferenca e që do të mbahet këto tri ditë, me kumtesat që do të dalin nga kjo, do të jenë dëshmi e gjallë e gjithë atij angazhimi që mërgimtarët dhanë me shekuj për lirinë dhe pavarësinë", ka thënë ministri Makolli, raporton Kosovapress.
Ndërsa, lideri politik nga Presheva, Riza Halimi tha se diaspora shqiptare përveç që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë luftës, po vazhdon të jap kontributin për Kosovën dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët edhe sot.
"Diaspora shqiptare më shumë se në shumë raste të popujve tjerë, ka dhënë një kontribut susbtancial në luftën tonë për liri, barazi, në procese të rëndësishme shtetformuese. Besojmë se edhe kjo konferencë do ta jap një kontribut të madh, që nga çdo aspekt të studiohet, të analizohet për të nxjerrë një moment tjetër shumë të rëndësishëm, se pikërisht këto tema dhe vetë diaspora i bashkoi në këto momente më së shumti shqiptarët kudo që janë", ka thënë Halimi.
Kontributin e mërgatës e vlerësoi lartë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili tha se mërgata po vazhdon përkrahjen, duke mos harruar familjet dhe shtetin e tyre.
Në të njëjtin ambient u hap ekspozita e fotografive nga Dita e shpalljes së Pavarësisë dhe promovimi i librave të Jusuf Buxhovit “Kosova” dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit". 

Lirohen aktivistët e Vetëvendosjes

Qendra rajonale e KMDLNJ-së në Prizren ka bërë të ditur se janë liruar të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar sot në Prizren.
Mësohet se lideri i kësaj lëvizjeje në Prizren, Arbër Rexhaj, është arrestuar në selinë e Vetëvendosjes, pasi paraprakisht policia kishte arrestuar disa aktivistë të tjerë, derisa po hiqnin flamujt e Kosovës nga shtyllat.
Në njoftimin e lëshuar nga KMDLNJ, thuhet se Arbër Rexhaj i ka thënë Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së, se me rastin e arrestimit ndaj tij dhe aktivistëve tjerë është përdorur dhunë.
Sipas Rexhajt, janë liruar të gjithë të arrestuarit e pasdites, pas intervistimit nga ana e policisë, në mesin e tyre edhe tri femra.
Ai, ka thënë se “’VV-ja ka hequr vetëm flamurin e Kosovës dhe jo flamuj tjerë të vendosur nëpër shtylla’.
Ndërsa, 12 të arrestuarit e tjerë të mëngjesit të hershëm dhe dy tjerë në orët e paradites, janë liruar. Asnjërin nga këta të arrestuar nuk ka mundur t’i vizitoj KMDLNJ, pasi që autoritet policore në Prizren nuk kanë lejuar KMDLNJ-në edhe pse ajo sipas marrëveshjes me institucionet përkatëse qeveritare ka qasje të pa penguar kudo në qendrat e ndalimit, mbajtjes, paraburgimit dhe burgjet e Kosovës, thuhet në kumtesë.
Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren, u bën thirrje zyrtarëve përkatës që të jenë më bashkëpunues dhe të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara nga drejtuesit (eprorët e tyre) e lartë institucionalë dhe ata të KMDLNJ-së.

Mesic: Nikolic të bashkëpunojë me Kosovën

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesic ka vlerësuar se presidentit të Serbisë serb, Tomislav Nikolic, i duhet një periudhë kohore që të lëvizë dhe të lirojë veten nga e kaluara. Por, sipas Mesicit, kreu i shtetit serb duhet të bashkëpunojë me Kosovën.
Duke folur për qëndrimet e Nikolicit për Kosovën, Mesic ka thënë se e di që Serbia nuk do ta pranojë asnjëherë pavarësinë e Kosovës, “por Serbia duhet të veprojë si shtetet e tjera në rajon”, transmetojnë mediat serbe tekstin autorial të Mesicit, të botuar në gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit.
“E di se Serbia nuk do ta pranojë Kosovën asnjëherë si shtet, por Serbia duhet të veprojë si shtetet tjera të rajonit, duhet të bashkëpunojë me Kosovën”, ka thënë Mesic, duke shtuar se Serbia duhet të hap kufijtë me Kosovën, pasi që, sipas tij “ e ardhmja nuk është duke ndryshuar kufijtë, por duke i hapur ata”.
Mesic ka thënë se Nikolicit duhet t’i thuhet hapur se çfarë mund te tolerohet tek ai dhe t’i jepet një periudhë kalimtare ".
"Në atë periudhë do të vërtetohet nëse kemi punë me Nikolicin si një udhëheqës çetnik apo me një Nikolic të ridizajnuar, të vetëdijshëm për realitetin në të cilin jeton…”, ka thënë Mesic. 

Vëllai i Komandant “Kumanovës”, 372 pyetje për Limajn

Vëllai i Ismet Jasharit, komandant “Kumanova”, Murat Jashari, përmes një letre publike, ia ka parashtruar 372 pyetje deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se me pyetje të tilla, do të përballen edhe Hashim Thaçi, Azem Syla, Ali Ahmeti dhe shumë të tjerë. (Në vazhdim, gjeni letrën e Murat Jasharit, vëllait të Ismet Jasharit, komandant “Kumanova”, drejtuar deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku”)
Këto pyetje – testament, që sot po ia përcjelli z.Fatmir Limaj, paralajmëroj opinionin publik, se me pyetje të kësaj natyre – në ditët në vijim, do të përballen edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Emrush Xhemaili, Gafur Elshani, Ibrahim Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fazli Veliu, Ramush Haradinaj (urojmë që sa ma shpejt të lirohet si i pafajshëm nga gjyqi i Hagës) dhe Musa Xhaferi (të cilin as kujdestar nëpër demonstrata nuk e kemi lënë), ka shkruar në letrën e tij (pyetësore) drejtuar Fatmir limajt Murat Jashari, i vëllau i Ismet Jasharit, komandant “Kumanova”, transmeton “Zëri”.
1. Cili është vendi ku u organizua tubimi për themelimin e partisë suaj dhe emërtimi i tij (fshati, mahalla apo qyteti, lagjja apo bjeshka. etj)?
2. Si quhet pronari i vendit ku ju u tubuat?
3. Nga ju erdhi ideja për të formuar këtë parti?
4. Na thuani emrat e gjithë të tubuarve ose të atyre që ju mbani mend?
5. Sa delegatë patë në atë „kuvend“ themelues të partisë?
6. A flitshin të gjithë delegatët shqip, pra a e kishin gjuhë amtare – shqipen?
7. Cili ishte mbajtësi i protokollit?
8. Sa delegatë kombëtar (Kosvarë) ishin në Kuvend?
9. Prej trojeve shqiptare, kishte delegatë në kuvend – që gjuhë amtare kishin shqipen?
10. Patët të ftuar mysafir kombëtar, të vllaznim-bashkimit e ndërkombëtarë në atë kuvend?
11. Prej sa Republikave të Jugosllavisë kishit mysafirë aty?
12. Prej cilave Republika?
13. Cilët ishin organet e partisë?
14. Kë e zgjodhët kryetar?
15. Sa veta pati kundër për zgjedhjen e kryetarit?
16. Kishte Partia Statut e Program?
17. Cili ishte motivi dhe objektivi i partisë ?
18. Sa herë kini bërë mbledhje pas themelimit të partisë?
19. A keni zhvilluar Mbledhje të Përgjithshme apo Kongres të partisë dhe ku e kur i keni mbajt ato?
20. A keni pasur anëtarësi të obliguar ndaj aderimit në parti?
21. Sa anëtarë në vitë keni regrutuar?
22. Kur e formuat partinë, kushë ua ndante detyrat?
23. Sa vetë kanë qenë që pranuan informatat e juaja?
24. Pranuesit e informatave a flitshin gjuhën shqipe?
25. Gra a meshkuj ishin ata/ato?
26. Sa gra?
27. Sa meshkuj?
28. Për informatat e dhëna, me çka ju shpërblejshin?
29. Keni kryer shkollën e mesme?
30. Keni bashkëpunuar me Shërbimet Informative të shteteve të botës?
31. Të Europës?
32. Po me të shteteve sllave?
33. Me cilat?
34. Çfarë nxënësi keni qenë?
35. Më 1981 ka pasur demonstrata gjithëpopullore, a dinit për to?
36. Si i ndjenit ata demonstrata?
37. A ishit pjesëmarrës, edhe se keni qenë shumë i Ri?
38. Po vëzhgues?
39. Keni pasur të familjes e farefisit në ato demonstrata?
40. Kanë qenë të burgosur apo të vrarë ndonjëri?
41. Kush ishte i burgosur?
42. Kush i vrarë?
43. Në demonstratat gjithëpopullore të viteve 1988-89, a ishte partia e juaj pjesëmarrëse?
44. Vëzhgues për të mbledhur informata?
45. Më 2 Nëntor 1989 kur u vranë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ku ishe?
46. Kush ta dha lajmin për vrasjen e tyre?
47. A e ke ditur se Afrim Zhitia e Fahri Fazliu ishin Drejtuesit Politik të LPRK-së?
48. A i ke njohur këta dy burra të mdhejë?
49. A ja ke njohur shpirtin këtyre dy viganëve?
50. Në kohën e grevës së minatorëve – shkurt 1989, me atë parti ku ishit?
51. Më 23. 03. 1989, kur u hoq Autonomia, ku ishit ju anëtarët e kësaj partie?
52. Në protesta gjithëpopullore mbas hekjes së autonomisë, ku ishit ju me atë adalet parti?
53. Pjesëmarrës apo vëzhgues?
54. Në pranverë të vitit 1990 kur vriteshin në protesta me flamur në dorë trimat e trimreshat, ali ajetët e ilfete humollët ku ishit ju me atë parti?
55. Çfarë veprimtarie konspirative bënte partia e juaj?
56. A keni patur të afërm ose të familjes tuaj që kanë qenë dhe kanë mbet policë të shkaut deri në ditën që u çlirua Kosova?
57. Keni pasur e ndërruar femra kur keni qenë të rinj?
58. Sa gjithësejt ke pasur?
59. Keni mashtruar e bërë për vehte femrat e shokëve?
60. Keni mashtruar e bërë për vehte gratë e shokëve?
61. Keni tentuar për të mashtruar gratë e shokëve, apo ju kanë refuzuar?
62. Çka ju kanë thënë?
63. Jeni të martuar?
64. Keni fëmijë?
65. Keni tradhëtuar gruan ndonjëherë?
66. Nëse po, sa herë?
67. Keni fëmijë jashtë martesore?
68. Nëse po, Sa?
69. Dinte gruaja për këta fimijë? Po fëmijët e gruas me të cilën ke lidh kurorë, a din për këta fëmijë?
70. Nëse po, a i keni njoftuar?
71. Shoqërohen tani?
72. Po nënat e tyre?
73. Kur filloi lufta çlirimtare kush ishte kryetar i partisë suaj dhe si u koordinuat me LPK?
74. Nëse është e vërtetë që e kishit krijuar partinë qysh në vitin 1988 apo 1989 ishit pionerë apo rini?
75. Cili ka qenë koordinatori i juaj me LPK-në?
76. Cili ka qenë koordinatori juaj me Shtabin Qendror (Shtabin e Përgjithshëm) të cilin e ka bërë me dije Rexhep Selimi vitin e kaluar?
77. Ju si parti a e njihnit veprimtarinë e LPK-së deri atëherë apo kini vepruar jashtë strukturave të saj?
78. Nëse është e vërtetë që patët krijuar parti para 12 vitesh (1988), atëherë a mund të sqaroni (popullin) nëse Xhavit Haliti dhe Azem Syla a bënin pjesë në atë partinë tuaj. Nëse po, prej fillimit apo ma vonë?
79. Po Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli (Luli) kur janë antarësuar në partinë tuaj?
80. Kur Hashimi e Luli shkuan në Mbledhjen e LPK-së në Tiranë, mbajtur te Klubi i Shkrimtarëve, më 23 maj 1998, a kishin qenë deri atëherë anëtarë të partisë suaj? Nëse ishin, ju i çuat qëllimisht për të marrë nën kontroll LPK-në bashkë me Azemin dhe Xhavitin?
81. Cili ka qenë fondi i juaj financiar, emërtimi, sa para grumbulluat për luftën, kush e drejtonte atë fond, sa para keni harxhuar dhe sa humbën në fund të luftës?
82. A kishit ndërmend që ta prisnit daljen nga burgu të Ukshin Hotit më 17 maj 1999 dhe nëse nuk e kishit, pse nuk e kishit parashikuar?
83. Në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm, kur u emrua Ekrem Rexha (Komandant Drini) komandant për Zonën e Pashtrikut, a ke qenë prezent?
84. Kush e propozoi? Po në Shtab të Përgjithshëm më pas, kush e emroi?
85. A e dinit se Ekrem Rexha ishte anëtar i partisë së Mira Markoviçit?
86. Nëse jo, Pse jo? Dhe me çka merrej Luli?
87. A keni pasur G2-sh?
88. Anëtarët e SHP a e kanë analizuar si ra në pritë Remzi Ademi (Komandant Petriti) më 15 Gusht 1998?
89. Anëtarët e SHP të UÇK-së a e kanë analizuar si ra në pritë Mujë Krasniqi (KAPUÇI) me bashkëluftëtarët në kufirin Shqipëri-Kosovë, në dhjetor 1998? A bashkëveproi Azem Syla dhe Zeka me ata brenda se nisej kollona dhe a e dinit që përgjoheshit në telefon? Kur e dinit pse flisnit hapur?
90. Edhe sa të këtillë ngjarje-incidente ka pasur në frontet e luftës?
91. SHP i UÇK-së pse nuk i ka shqyrtuar e analizuar këto raste?
92. A keni patur evidentim të regullt për çdo ngjarje, aksion dhe mosveprim? Nëse po, pse ende nuk janë bërë publike, për çka i ruani?
93. Më 23. 03. 2000 shkuat në Gjilan me Hashim Thaçin, Halil Selimin e të tjerë. Urgjentisht ftuat udhëheqësit politik e ushtarak të UÇPMB-së, apo jo? Pse aq urgjent?
94. Kërkuat ndërprerjen e luftës çlirimtare, a po jo?
95. Kush ju detyroi?
96. Pse e penguat dhe e ndërpretë atë luftë çlirimtare?
97. Pse asnjë kallash të Brigadës 121 „Komandant Kumanova“ nuk e dhatë për nisjen e luftës çlirimtare në Zonën e vendlindjes së Komandantit tëndë, „Ismet Jasharit – Kumanovës“?
98. Tri herë t’i kam dërguar udhëheqësit e këtij Sektori, a po jo?
99. Pse pengove ti dhe antarët e tjerë të Drejtorisë Politike luftën çlirimtare të UÇ Kombëtare? Për çfarë e keni nis Hoxhën në Sharr kur luftohej nga UÇ Kombëtare dhe çka u ka raportuar kur ra Kalaja e Tetovës?
100. Pse e ke „ndërsye“ Komandant Kumanovën me e vra Gani Krasniqin?
101. Komandant Kumanova a u kërkoi telefon?
102. Pse nuk i dhatë telefon? Kush të urdhëroi që të mos i jepni telefon?
103. Fillim korriku 1998. Aksionet ushtarake (me eksploziv) që janë kryer në IRJM, në Shkup te hekurudha, në Tabanocë, në hekurudhë, dhe në kazermën ushtarake në Kumanovë, mbrenda rrethojës 16 m. Për këto aksione a ke ditur?
104. A e ke ditur se këto tri aksione janë krye në një kohë?
105. A e ke ditur se kush i ka udhëheq këto aksione ?
106. A e ke ditur se këto aksione i ka udhëhequr Komandant Kumanova?
107. Pse SHP pengojë, që mos të dilet me Komunikatë?
108. Mos ishte Marëveshja e Crans-Montana, e Zvicrrës – pengesë?
109. Apo tjetër problem ka pasur?
110. A e dini në detaje ku ka qëndrue problemi?
111. Komandant Kumanova ka mesi i Gushtit 1998 ka pasur me ardhë në Zvicër, për kontroll mjekësor për dorën, a ke pas dijeni për këtë?
112. Ai është bërë gati me ardhë në Zvicër për disa ditë. Ka hekur mjekrën. Unë pasaportën ja pata lënë në vend të sigurtë. Ismeti e ka ditur se ku. Po ti a ke qenë në dijeni?
113. Pse nuk i dhatë leje pushimi?
114. Në natën e 24/25 Gusht 1998 për çka shkoi Elmi Reçica në Kleçkë?
115. Çfarë misioni kishte Elmi Reçica atë natë?
116. Më 25 Gusht është vrarë Komandant Kumanova, a po jo?
117. A keni bërë Raport të hollësishëm për rrethanat se si u vra? Nëse po, kujt ia ke dorzuar atë raport? Nëse jo, pse nuk e ke bërë atë raport?
118. Kush ta dha lajmin i pari për vrasjen e Komandant Kumanovës? Po ti ku u ndodhe kur u vra Kumanova?
119. Më 02 dhjetor 1998 Shukri Buja (Gazetari), i ka dhënë lajmin familjes për vrasjen e Ismet Jasharit. A është kështu?
120. Pse me 100 ditë vonesë?! Ku është arsyeja?
121. Herojt e Popullit nuk janë të mahallave, a po jo?
122. Komandant Kumanovën e shpallët Hero të Kosovës, a po jo?
123. Si ishte betimi i luftëtarëve të lirisë me Emblemën e UÇK-së, a e mban mend?
124. Kur vjenë në Kosovë gruaja e Komandant Kumanovës, Habibja, me fëmijët e vetë, me bë homazhe dhe me vendos lule te varri i Burrit dhe i Babait të vajzave të Komandant Kumanovës (Donika, Monika, Marigona, Margarita e Arta) pse duhet të paguajn në kufi Maqedoni-Kosovë 50 Euro, apo s’e dini këtë?
125. Çfarë Statuti dhe tretmani në Kosovë ka familja e Komandant Kumanovës?
126. Ndërtimin e shpijës në Orizare për familjen e Komandant Kumanovës, qe katër vjetë e ke nisur, a po jo?
127. A duhet t’ju jemi si familje mirënjohës për mosmbarimin e saj, a po jo?
128. Pse nuk u përfundua ajo shtëpi? Kush të dha urdhër mos me e viju ndërtimin?
129. Më 2001 e pata sjellë familjen e Komandant Kumanovës në Shqipëri, që të jenë më afër vendlindjes së Babës së tyre. Të dëgjojnë krismat e pushkëve të
luftëtarëve të lirisë – të Brigadës 113 „Ismet Jashari“, me Emblem të UÇKombëtare. Në atë shtëpi ku kanë ndejtur familja e Ismet Jasharit, kanë qenë edhe prindërit e tu me dy vajzat e tyre, e ke ditur, a po jo?
130. Aty afër ke qenë edhe ti, bëjshe qejfe në hotele, e Adem Grabovci 200 DM për hotel natën ta paguante, a po jo?
...
231. Pse nuk erdhe me e vizitue familjen e Kumanovës?
232. A e dini se sa dëshmorë të kombit, janë vrarë me Emblem të UÇK-së?
233. A e dini se sa familje të dëshmorëve të kombit – të vrarë me Emblem të UÇK-së ndodhen në Mërgatë?
234. Sa vajza dhe djem janë gjithësejt bij dhe bija të dëshmorëve të kombit, rënë në luftën për çlirimin e Kosovës, 1997-1999?
235. A e dini se si jetojnë familjet e dëshmorëve?
236. A e dini se sa invalidë të luftës së lavdishme të UÇK-së ka?
237. Sa fëmijë gjithësejt të familjeve të kësaj kategorie ka aktualisht?
238. Sa djem e sa vajza?
239. Si jeton kjo kategori e luftës?
240. Sa veteranë të luftës së lavdishme të UÇK-së ka dhe sa të tjerëve ua keni dhënë padrejtësisht këtë të drejtë?
241. Sa fëmijë janë të kësaj kategorie të luftës?
242. Sa djem e sa vajza? Sa janë të mitur dhe sa janë të rritur? A keni evidenca të tilla ju dhe shoqatat e drejtuara nga ju?
243. Sa prokurorë, gjygjtarë e policë të kohës së Millosheviqit janë emëruar e punësuar në Qeverinë ‘Thaçi 1′ dhe ‘Thaçi 2′?
244. A e din ti këtë?
245. Nëse jo, Pse jo?
246. Sa deputetë të PDK-së janë bërë milionerë, kurse në Zvicër e Perëndim kanë jetuar prej ndihmave sociale?
247. A e din ti këtë?
248. Nëse jo, Pse jo?
249. Si u pasuruan Kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal?
250. A e din ti këtë?
251. Nëse jo, Pse jo?
252. A e keni bërë pas luftës Raportin Financiar për shpenzimet gjatë luftës?
253. Nëse jo, pse nuk e keni ba? Arsyet.
254. A janë zhvilluar Kuvende apo Mledhje të Përgjithëshme të Veteranëve të UÇK-së, sa dhe kur?
255. A keni dhënë llogari në ato kuvendet e Veteranëve se sa para (Dollarë USA, Franga Zviceriane, Marka Gjermane, Rubla etj) janë grumbulluar në të gjithë degët e Fondit ‘Vendlindja Thërret’? A i keni këto evidenca. A u keni dhënë dëshmi të gjithë atyre që kanë kontribuar? A i kini kopjet e atyre grumbullimeve?
256. Sa para u harxhuan për luftën dhe sa mbetën në fund të luftës?
257. Sa para i keni dhënë secilës Zone Operative të UÇK-së, cilëve ua keni dorzuar, sa u keni dorzuar, si janë harxhuar, a ka raportime nga ata, apo i keni dhënë qesim?
258. Sa para u keni dhënë secilit Antar të Shtabit të Përgjithshëm, përse ua keni dhënë dhe si i kanë harxhuar, a ka evidenca nga ata dhe raporte po nga ata? Po kur QPK erdhi në Prishtinë, sa para u gjetën në bankën e Kosovës, kujt ia shpërndatë dhe nga sa u dhatë?
259. Sa para u kanë dhënë personalisht Antarët e Shtabit të përgjithshëm komandantëve të zonave në dorë dhe a kanë dokumenta për këto?
260. A ka ndodhur që ndonjë veteran i UÇK-së të ketë kërkuar të jepet llogari në Kuvendet e Veteranëve të saj dhe ç’përgjigje u keni dhënë, apo i keni denigruar?
261. Po në Kryesinë e PDK, e cila përbëhet nga ish Drejtoria Politike e UÇK, a e keni diskutuar këtë lloj llogaridhënie për fondet e grumbulluara gjatë luftës?
262. Nëse e keni diskutuar, në çfarë përfundime keni dalë dhe çfarë vendime keni marrë dhe si i keni zbatuar ato?
263. Në Qeverinë e Përkohëshme, kryeministër ka qenë Hashim Thaçi, a po jo?
264. Ministër i Finasave ka qenë Adem Grabovci, a po jo?
265. Ky Grabovci a ka raportuar ndonjëherë si gjatë luftës edhe pas saj se sa para ka pasur dhe si i ka harxhuar, ku i ka harxhuar, sa kanë mbet dhe si i keni përdorur pas lufte?
266. Nëse ka raportuar pse nuk i bëni publike ato raportime?
267. A e dini sa veprimtarë të Fondit „Vendlindja Thërret“ kanë qenë? Mujë Rogovën për atë mosraportim e keni shpërbly me pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës?
268. Nëse jo, Pse jo?
269. Sa mjete janë grumbulluar nga secili prej tyre? A ka evidenca të sakta rreth tyre?
270. Nëse s’ka, pse nuk janë ba ato evidenca?
271. A e dini veç e veç për shtete se sa veprimtarë të tillë kishte?
272. Nëse jo, Pse jo?
273. Sa persona (familje) kanë kontribuar brenda Kosovës për luftën, me çfarë kanë ndihmuar? Kush ishte caktuar me i evidentuar ato?
274. A dihen të gjitha familjet me emra që kanë mbështetur luftën dhe si i kanë mbështetur?
275. Po familjet që e kanë kundërshtuar UҪK-në a janë të evidentuar? Po personat që i kanë shërbyer haptas Serbisë gjatë luftës, a i keni në evidencë?
276. Sa ka kushtuar lufta?
277. A e din ti këtë?
278. Nëse jo, Pse jo?
279. A ishte Komandant i Përgjitshëm i UÇK-së Azem Syla (Daja) dhe Kush e emroi?
280. Pse ky alamet Komandanti nuk kërkojë të bëhet Raporti përfundimtar për luftën?
281. Pse nuk e ka bërë ai vetë, pasi ishte edhe Ministër dhe ty të kish zevendës ministër, apo jo? Cili është kontributi yt në këtë mosraportim dhe mos bërje analize? Po kryeministri i QPK, çfarë urdhëra u ka dhënë lidhur me mos kryerjen e asaj analize?
282. Po nga Shtabi Përgjithshëm analiza e luftës a është bërë? Po ndonjë akademi shkencore për atë luftë pse nuk keni organizuar këto 13 vjet pas lufte?
283. Agim Çekun kush ua rekomandoi për të zevendësuar Bislim Zyrapin dhe pse një muaj pasi patën filluar bombardimet e NATO-s? Ku ishte ai më herët?
284. Mjetet e mbetura të Fondit „Vendlindja Thërret“, që ishin pare të djersës e gjakut, ku i çutë?
285. A keni bërë Raport për çdo luftëtar të vrarë, tani dëshmorë; rrethanat e vrasjes, si u vra, në cilën betejë? Apo mshifeni pas librave që boton Redaksia e Dëshmorëve pranë Radio Kosova e Lirë? A e keni financuar atë Redaksi dhe për sa vëllime?
286. A keni bërë Raport veç e veç për çdo të plagosur; ku u plagu, në cilën betejë, ku i ka plagët? A ka raport mjekësor për secilin të plagosur?
287. Pse Jo?
288. Nga kush u erdhi urdhëri me i arrestu Behajdin Allaqin e Shaban Shalën kur ata mbrritën në Kleckë?
289. Behajdin Allaqit e Shaban Shalës natën kush ja çojke qebet, e ditën ia merrke?
290. Kur erdhën me e marrë dy vetë te burgu i Kleçkës, Behajdin Allaqi e Shaban Shala a i kishin kambët të lidhura, sikurse i kishin edhe duart?
291. A e ke ditur se Behajdin Allaqi ka qenë antëtar i Komitetit Drejtues së LPK-së?
292. A e ke ditur se Afrim Zhitia krahë të djathtë ka pasur Fadil Vatën e Xhemajli Berishën?
293. A e ke ditur se Afrim Zhitia në krahë të majtë ka pasur Behajdin Allaqin e Arif Seferin (ky i fundit nga Kumanova)?
294. Ku mbetën antarët e tjerë të Komitetit Drejtues të LPK-së?
295. Mbledhja e III-të e Përgjithshme e LPK-së u mbajt më 4 tetor 1991, në Ujmir (Klinë), në shtëpinë e Sadri Shalës, ke qenë i informuar për këtë mbledhje dhe nga kush?
296. Partia e juaj kishte të deleguar ose përfaqësues në atë mbledhje, në Ujmir?
297. A mund të na i japësh të deleguarit me emër e mbiemër?
298. A kanë raportuar në kryesinë e Partisë suaj këta delegatë, kur dhe ku?
299. Mbledhja Konsulltative e LPK-së, u mbajt në Kollare (Kërçovë) në prill të vitit 1993, ke ditur për këtë mbledhje?
300. Partia e juaj kishte delegatë në atë mbledhje?
301. Cilët ishin ata delegatë, emri dhe mbiemri?
302. Delegatët e Partisë suaj që ishin në atë mbledhje a kanë raportuar në Kryesi?
303. Kjo Mbledhje, Behajdin Allaqin kishte caktuar anëtar të Komisionit për organizimin e Mledhjes së IV-të të LPK-së. A dinit ju për vendimet e asaj mbledhjeje?
304. Mbledhja e IV-të e Përgjitshme e LPK-së është mbajtur në korrik të vitit 1993, te Kodra e Trimave në Prishtinë, në shtëpinë e Maliq Brajshorit. Ke ditur ti dhe Hashimi për këtë mbledhje?
305. Keni pasur të deleguar nga partia e juaj përfaqësues në atë mbledhje?
306. Cilët ishin delegatët e partisë, emri dhe mbiemri?
307. Delegatët e asaj mbledhje, a kanë raportuar në kryesin e Partisë suaj?
308. A e dini sa veprimtarë të LPK-së e LKÇK-së janë arrestuar që kishin marrë pjesë në këto tri mbledhje?
309. Ku është Xhavit Haziri ???
310. A i ke njohur Ali Ukën e Remzi Hoxhën? Kur u vra Ali Uka në Tiranë, me cilin flinte në banesë dhe a ishte ky person anëtar i partisë suaj? A të ka tregu gja ai person rreth vrasjes së Aliut?
311. Po anëtarët e Kryesisë së Partisë suaj a i kanë njohur Ali Ukën e Remzi Hoxhën?
312. A e din ti dhe kryesia e partisë tuaj si janë zhdukur në Shqipëri këta të dy?
313. Ke qenë Drejtor (Drejtorisë Politike) i Policisë Ushtarake, a është kështu?
314. Pse në Qershor 1999 në Prizren i bëtë atentat nënës biologjike të UÇK-së?
315. Vetëm pse e kishte LPK-ja në Program për ta bërë realitet Programin e Lidhjes së Prizrenit?
316. Çfarë faji pat bërë LPK që ia ndërrut programin?
317. LPK ishte armikja e përbetuar e pushtuesve sllavë. A është kështu?
318. Çfarë të keqe e mëkati kishte bërë Komandanti Legjendar Adem Jashari, pse ishte anëtar i LPK-së, nuk e mbështesnit dhe nuk e furnizonit apo jo?
319. A nuk e dëshmoj LPK-isti Adem Jashari se është për çlirim e bashkim kombëtar? Po ju për çfarë ishit që nuk e mbështesnit?
320. Kur është vrarë Adem Jashari, a pati pjestarë të partisë suaj që e festuan atë natë?
321. Cili?
322. Cili Shërbim Informativ ju këshillojë ta bënit atentatin mbi LPK-në?
323. Populli shqiptar mbi 2000 vjet i pushtuar nga romakët. Mbi 530 vjet i pushtuar nga osmanët. Për 100 vjet nënën pushtime sllave. Kurrë gruaja e martuar shqiptare nuk e kishte ulur kokën e ta shese nderin femror për t`iu siguruar kafshatën fëmijëve. A e keni vërejtur këtë fenomen trishtues z. Limaj? Tani pas luftës çlirimtare po thoni se populli është i lirë. Pse po ndodhë ky fenomen i prostituimit të gruas shqiptare? Për këtë luftuat? Kjo pyetje i parashtrohet të gjithë politikajve që kanë marrë dhe do të kërkojnë votën e popullit, për me u ulë në karriken e pushtetit qendrorë e lokal!!!???!!
324. Në janar të vitit 2000, në odën e Xhelë Shalës, në Banjë, aty ka ora 03.30 e mëngjezit, më pate thënë se për stinën e verës që e pritshmi, pra për pushime, do t’i bëje gati dy banesa në Prishtinë. Një për familjen e Ismetit, një për familjen time. Ta ktheva menjiherë përgjigjen, apo jo, dhe a të kujtohet çfarë të thashë?
325. Ato Banesa janë të tuat tash?
326. Të babës tënd i ke?
327. Apo „miraz“ i ke?
328. Nuk e derdhi gjakun vëllai jem për banesa, o Fatmir shoku, por vetëm me çlirue e me bashkue popullin tonë. A ishte kështu? (Atëherë, pse në kushtetutën tuaj e keni vendos se nuk do të bëni asnjë lloj bashkimi dhe ndryshimi kufijsh dhe nuk ia lini popullit të vendos)?
329. Po atë natë, në Banjë, të thashë; kujdes Fatmir, këta që po ta rrehin shpinën, për atë histori çka ke bërë gjat luftës, kanë me u ngritur nga dalë lart ku e kanë synimin, në pushtet dhe dikur kanë me të hudh ndoshta edhe në burg. A është kështu? A të ndodhi kështu?
330. Sa bodigarda i ke?
331. Shtëpinë në Bajë me të kujt pare e ndreqe?
332. Po Villën ku banon me familje në Prishtinë me çka e bane?
333. Po edhe gjashtë Villat tjera me paret e kujt i bane? A ke evidencë Bankare?
334. Po veturat?
335. Djalin për shkollim në SHB-a me të kujt pare e financove?
336. E shumë të tjera, a po?
337. Po shokët e tu të partisë ku i kanë në shkollë fëmijët?
338. Kanë bërë shokët e partisë tande pasuri?
339. A i keni vizituar familjet e Tahir Sinanit e Indrit Carës, (të dy Dëshmorë të kombit), ndonjëherë? Po ata që kanë mbet gjallë a i keni thirrë ndonjëherë?
340. Nëse jo, Pse jo?
341. Pse jo, apo ngaqë i kishte shkolluar e edukuar Enver Hoxha?
342. Po ata Oficerë e Gjeneralë të Shqipërisë londineze, që i kishte shkolluar Enver Hoxha dhe ishin të gatshëm në beteja e fronte jetën me dhënë dhe që luftuan bashkë me ju, a ua mbani mend emnat?
343. A i keni ftuar të gjithë sëbashku, të paktën njëherë dhe me ua shtrëngue dorën e me u thanë falemnerës që na ndihmuat?
344. Kemi dëgjuar e marrë vesh se të gjithë ata oficerë që patën ardhë me luftu në Kosovë i keni ndjek dhe në vend të tyne keni marrë do tjerë që u kanë lëpi të prapmen, a është e vërtetë? Mandej këtyne laperëve u paskit lidhë edhe pension, a s’është kështu?
345. Kur Partia e juaj e famshme në Parlamentin tragjiko-komik të ‘Kosovo *1244′ shpalli Pavarësinë e Kosovës, a i ftuat familjen e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut, Agim Ramadanit, Fehmi Lladrovcit, Xheve Krasniqi-Lladrovcit, Sali Çekut, Ramush Haradinajt, Muj Krasniqit-Kapuçi, Adrian Krasniqit, Tahir Sinanit, Andrit Carrës, Komandant Kumanovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Tahir Mehës, Zija Shemsiut, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Xhemajli Berishës, XHAVIT HAZIRIT, Ali Ajetit, Ahmet Axhiut, Behajdin Allaqit, Arif Seferit, gjeneralë e oficerë të Shqipërisë londineze, që ishin në fronte lufte me emblem të UÇK-së, gjithë veteranët e LPK-së si dhe gjithë veteranët tjerë të çështjes kombëtare të
trojeve etnike, apo u mjaftuat veç me vëllaun e Adem Jasharit? Adem Jashari po të ishte gjallë nuk do të bënte sikur ju, apo jo?
346. Po ndonji fletë mirënjohjeje a u keni shpërnda oficerave prej Shqypnie që morrën pjesë në luftë, sikurse keni ba me të gjithë rugovistët që u kanë dhënë pare pas lufte dhe i keni ba edhe veprimtarë të luftës?
347. Nëse jo, Pse jo?
348. Po kur e festoni çdo vit festën e “pavarësisë” së Kosovës, a i keni ftu ndonjiherë ata të Shqypnisë?
349. Për kë e keni shpallë „Pavarësinë e Kosovës“?
350. Për horrat e dilinxhitë?
351. Të gjithë të moshuarit e të rinjtë, që takoj më thërrasin Baca Murat. Në gjithë hapsirën shqiptare ka të shkojë. Po, po edhe të Mërgatës, o Fatmir shoku. A është kështu? Po ju pse na keni harru?
352. Nuk u kam kërku as veturë dhe as bodigarda ! A e dini këtë?
353. Ma i varfëri prej shqiptarëve materialisht në Zvicër unë jam! A e dinë këtë? A e din se gjithë pasuninë teme ua dërgova juve atje në malet e Kosovës?
354. Me ndihma sociale jetoj. A e din këtë?
355. Kanjëherë nuk kam pare as për bukë e cigare, por kurrë nuk ju kam thënë dhe përkulur. A e din për këtë?
356. Unë i takoj asaj shtrese e kategorie të popullit tim, që jam i pasur nga mendja, shpirti dhe zemra. Kasollë nuk kam mundër të ndreqi, por shtëpi kam zemrat e rinisë së artë të popullit liridashës! Për çështje të popullit e Atdheut, aqë sa dij, nuk lëshoj rend! A e din këtë?
357. Vëllaun tim Xhemalin, që e dua ma shumë se fëmijët e mi, para vdekjes të sëmurë e të shtrirë në spital e kam pasur. I çova të fala, duke i thënë: „I thuani Xhemës, në tjetër botë shihemi! Nuk e kam koritur! Atje ku shkojnë njerëzit me ftyrë e emër takohemi e kënaqemi!“ A e din këtë, o Fatmir shoku?
358. Po, ama, jam faqe bardhë dhe shumë krenarë për emrin që e mbaj, që më ka pagëzuar Nënemadhja Nurije! A është kështu?
359. Lëviz i lirë e nuk frikohem prej askujt. Vetëm prej Zotit – e mos të gaboj diç për popullin! A është kështu?
360. Jetën e jetojë në liri. A është kështu?
361. Ftyra, nderi e emri e mbajnë njeriun dhe njerëzimin. A është kështu?
362. Këto virtyte njerëzore i ruaj me xhelozi e fanatizëm, o Fatmir shoku! A e ke kuptuar këtë?
363. Po ti si e jeton jetën?
364. Po shokët e partisë tuaj, para luftës, gjatë luftës si jetuan, e mbas luftës si jetojnë?
365. Keni halle e derte?
366. A ju merr gjumi?
367. Nga paraardhësit e juaj, a keni pasur „rob“ të gjakut të huaj?
368. Nga familja e nënës keni pasur „rob“ të gjakut të huaj?
369. Nga dajallarët e nënës keni pasur „rob“ të gjakut të huaj?
370. Nga dajallarët e babës keni pasëur „rob“ të gjakut të huaj?
371. A e keni bërë testin e ADN-së?
372. Cilit popull po i takojshit, që nuk keni treguar asnjë pikë respekti për të rënët në luftë dhe shokët e luftës? …

Ushtria amerikane i dhuron 8 milionë euro QKUK-së

Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dhuroi Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), donacion në vlerë prej 8 milionë euro. Fillimisht do të bëhen renovime në Kliniken Infektive dhe atë të kirurgjisë dhe neurokirurgjisë, thekson drejtori i Klinikes Infektive, Shemsedin Dreshaj. Ndërsa, ka të atillë që janë skeptik në kualitetin e punimeve.
Donacioni nga segmenti i ushtrisë amerikane, në vlerë prej 8 milionë euro, do të përmirësojë kushtet e punës në disa klinika të QKUK-së, tha drejtori i Klinikës Infektive Shemsedin Dreshaj. Ai informon rreth punimeve që kanë filluar në këtë Klinikë.
“Në kliniken infektive do të bëhet renovimi i saj dhe njëkohësisht do të rinovohet kati i katërt i repartit të kirurgjisë ku bënë pjesë kirurgjia vaskulare dhe neurokirurgjia. Është një projekt i cili nënkupton një kontiunitet 4 vjeçar ku për çdo vit segmenti i sigurisë gjegjësisht segmenti i ushtrisë amerikane investon në QKUK nga 2 milionë euro për katër vite radhazi”, tha Dreshaj, raporton RTK.
Ndërsa, drejtori i repartit të neurokirurgjisë, Arsim Morina është skeptik në kualitetin e punimeve të cilat do të kryen në këtë repart:
“Jemi dëshmitar që nga lufta janë bërë shumë rindërtime si të nyejve sanitare si të dyerve,dritareve, por nuk është bërë diçka me themel edhe mos të jetë ajo sa për kozmetikë dhe mendimi ime është që atëherë do të përfiton shumë edhe neurokirurgjia”, thotë Morina.
Mirëpo, Dreshaj, i cili është më meritori për këtë donacion, ka përgjigje për neurokirurgun Morina.
“Nëse ka diku siguri, ka në ushtrinë amerikane edhe unë mendoj se ky projekt do të ishte dashtë të rezultojë ndoshta njëri prej projekteve më të suksesshme që kemi pasur në QKUK”, theksoi Dreshaj.
Punimet që kanë filluar këto ditë në renovimin e tërësishëm të katit të parë të Klinikës infektive është e paraparë të përfundojnë në dhjetor

Zeman: Te unë s’ka tiki-taka

Trajneri i ri i Romës, Zdenek Zeman, ka thënë se futbolli tiki-taka nuk do të aplikohet nën drejtimin e tij te klubi romak, për shkak se është futboll i pa dobishëm.
Sikurse shumë të tjerë edhe Zeman është i mendimit që futbolli me posedim të topit është shumë i keq.

“Në futbollin tim unë tentoj të eliminoj gjëra të pa dobishme, kështu që për mua një pasim horizontal është i vdekur, vetëm dhënie e topit te kundërshtari. Ne duhet të bëjmë diçka që ka domethënie”.
“Është normale që të vish nga shkolla e Barcelonës dhe të jesh adhurues i posedimit. Unë jam më i shpejt, në sensin që nuk i jap kohë kundërshtarit për t’u përgatitur në mbrojtje. Është më vështirë të thyesh një mbrojtje kur mbyllet se sa kur është e pa përgatitur. Për mua edhe goditjet nga distanca janë të vdekura. Në futbollin tim, sulmuesi i merr topat”, ka thënë Zeman. 

Mourinho krenar me lojtarët në Euro

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, shpreson se të gjithë lojtarët e tij në Euro 2012 do të kenë kampionat të suksesshëm.
“Unë besoj se është detyrë për mua që të qëndroj pranë lojtarëve të mi në moment aq të rëndësishëm për ta. Unë i dëshiroj secilit fat dhe suksese në Euro 2012”.
“Unë jam portugez, prandaj shpresoj që të fitoj ekipi im kombëtar, por gjithmonë do të përkrahi edhe lojtarët e mi”, është shprehur Mourinho. 

Lewandowski lojtar i United?

Manchester United besohet se ka arritur marrëveshje me Dortmundin për sulmuesin Robert Lewandowski.
Daily Star shkruan se United është pajtuar që të paguajë 20 milionë euro për polakun, i cili do të zyrtarizohet si transfer i ri pas Euro 2012.
Lewandowski besohet se do të përfitojë 70 mijë funte në javë te gjiganti nga Old Trafford. 

Villa: Alba, lojtar spektakolar

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, është duke e përkrahur klubin e tij në tentimet për të transferuar anësorin e Valencias, Jordi Alba.
Villa luajti me Alban te Valencia para se t’i bashkohet Barcelonës dhe tani si duket ata do të luajnë përsëri së bashku nga sezoni i ardhshëm.
“Ai është lojtar spektakolar dhe nuk është vetëm Barca pas tij. Unë e njoh atë shumë mirë, por ai është lojtar i Valencias dhe duhet të respektojmë këtë. Do të ishte mirë për të që të vijë këtu, sepse ai do të ishte spektakolar për secilin ekip. Shpresoj që ai të marrë vendimin më të mirë”, ka theksuar Villa.

Beatrix lanson klipin e ri

Këngëtarja shqiptare, Beatrix Ramosaj, ka lansuar klipin e këngës “Ëndrrat bëhen realitet” një version shqip i këngës origjinale hit “Dreams Come True”.
Kënga e cila ishte tashmë hit pa e publikuar klipin, është realizuar nga produksioni kosovar Pulla, kurse tekstin e versionit shqip e ka shkruar Big Basta.
Për dukjen e Beatrix janë përkujdesur Nora Latifi, Lia Stublla dhe Beauty Center.
Beatrix është motra e vogël e Argjentina Ramosajt dhe përkundër faktit se ato nuk mund të quhen rivale të drejtpërdrejta, e ardhmja për Beatrix duket shumë më e ndritur, qoftë në arenën vendore, ashtu dhe në atë ndërkombëtare dhe kjo falë talentit të saj që thënë realisht vështirë është për t’u gjetur te artistet shqiptare në dekadën e fundit.
 

Krasniqi do të vizitojë Estoninë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nga 11 deri më 13 qershor, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Estoni, me ftesë të kryetares së Kuvendit (Riigikogu) të Estonisë, Ene Ergma.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se gjatë kësaj vizitë zyrtare delegacioni parlamentar i Kosovës do të zhvillojë takime me personalitetet më të larta të këtij vendi.
Gjatë kësaj vizite, kryetari i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime me homologen estoneze, Ene Ergma, kryeministrin, Andrus Ansip dhe personalitete të tjera të larta të këtij vendi.
Kreun e legjislativit të vendit gjatë kësaj vizite e shoqërojnë edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti dhe deputetet: Salihe Mustafa dhe Jasmina Zhivkovic.

Mustafa: Sejdiu vizitoi shokët e vet, jo Degën e Gjakovës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas vizitës së Fatmir Sejdiut, që i ka bërë Degës së Vjetër të Partisë në Gjakovë.
Udhëheqësi i partisë së dytë në Kosovë ka thënë se ish-presidenti Sejdiu nuk e ka vizituar Degën e LDK-së, por një grup të shokëve të tij në qytetin e Gjakovës.
“Ajo nuk është Degë, është një grup i shokëve të z. Sejdiu. Ai mund t’i vizitoi shokët e vet, por jo Degën e LDK-së”, ka thënë Mustafa, raporton “Express”.
Një ditë më parë, ish-presidenti Sejdiu ka qëndruar në Gjakovë në Degën Paralele të LDK-së atje dhe ka bërë thirrje udhëheqjes së partisë të mos i përjashtojnë njerëzit që kanë punuar për më shumë se dy dekada.
Sejdiu ka thënë se njerëzit dhe Dega e vjetër janë legjitime sepse kanë dal nga një proces zgjedhor i verifikuar.
Por, kjo është mohuar të dielën nga Isa Mustafa.
Ish-këshilltari për Ekonomi i Fatmir Sejdiut ka thënë se askush nuk mund ta legjitimoj një Degë e cila nuk njihet nga organet drejtuese të LDK-së.
“Kurrkush s`mundet me legjitimu individualisht asgjë, as me mohu individualisht asgjë. Dega e Gjakovës është legjitimuar nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së dhe ajo nuk është degë, në të cilën ka qenë sepse ajo nuk është Degë, është një grup i shokëve të z. Sejdiu”, ka raguar Mustafa.
Ndryshe, zyrtarët e Degës Paralele të Gjakovës kanë thënë se në tubimin që ka marrë pjesë Fatmir Sejdiu ka qenë i ftuar edhe udhëheqësi i partisë.
Por edhe kjo është mohuar nga Mustafa. “Jo nuk kemi qenë të njoftuar, por nuk është ndonjë problem i veçantë”, ka shtuar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjakovë vazhdon të funksionojë me dy degë – njëra që e përkrah Fatmir Sejdiun, e tjetra e themeluar më vonë që e përkrah Isa Mustafën.

Kurteshi: Sistemi i drejtësisë nuk qëndron mirë

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, me theks të veçantë gjyqësorin, pasi që sipas tij, ka humbur shumë besimi në të.
Kurteshi në një intervistë për KosovaPress u kërkoi njerëzve të këtij sistemi të drejtësisë që ta respektojnë ligjin pa dallime.
Ai ka thënë se edhe pse zgjedhja e tij është politike, trajtimet e ankesave dhe sugjerimeve të ndryshme janë plotësisht të pavarura.
Duke folur rreth rasteve të paraqitura në këtë institucion, Kurteshi tha se jo të gjitha rastet pranohen nga Avokati i Popullit për shkak të kompetencave.
“Ne kemi një numër të madh të rasteve që lajmërohen në institucionin e Avokatit të Popullit. Jo të gjitha rastet pranohen nga Avokati i Popullit, për shkak të kompetencave. Rastet që pranohen, ato pastaj trajtohen. Në përqindje mund të them se në dy vitet e fundit Avokati i Popullit ka arritur që ta ngrisë përqindjen e rasteve të zgjidhura pozitivisht nga institucioni rreth 25 për qind. Tash kemi mbi 50-60 për qind të rasteve që i zgjidhim pozitivisht”, tha Kurteshi.
Ndërkaq, në lidhje me sistemin e drejtësisë, avokati i popullit tha “Ndoshta këtu do të ishte më e drejtë të bëhet një diferencim. Në qoftë se i përgjigjem pyetjes drejtpërdrejt, ne konstatojmë se ka një humbje të besimit, edhe në sistemin e drejtësisë, por sistemi i drejtësisë është vetëm njëra shtyllë e pushtetit. Ka humbje të besimit në institucionet, ky është problemi dhe shqetësimi kryesor edhe i imi si avokat i popullit, për arsye se vetëm drejtësia është forca kohezive që mban një shoqëri bashkë. Prandaj shqetësimi jonë është shumë i madh, sidomos kur kihet parasysh se tash kemi filluar të ballafaqohemi edhe me rastet e parashkrimit të rasteve të paraqitura në sistemin gjyqësor. Kur flasim për sistemin e drejtësisë ne mendojmë në sistemin gjyqësor rastet e parashkrimit të lëndëve, ato nuk janë të pakta, ajo janë të shumta që mandej flet për sistemin gjyqësor se është në një gjendje të rëndë”.
Mirëpo, se a ka pasur presion gjatë kësaj kohe të ushtrimit të detyrës së avokatit të popullit, Kurteshi tha se presionet janë të natyrës institucionale.
“...Presione të tilla nuk ka, nuk ka ngjarë dhe nuk ka presione të tilla. Presion në të vërtetë janë të natyrës institucionale, mosplotësimi i kushteve dhe i kërkesave të Avokatit të Popullit për mjetet, pavarësia financiare, pavarësia buxhetore, çështja e imunitetit, mandej kërkesat për rritjen e numrit të bashkëpunëtorëve, sepse Avokati i Popullit, shikuar me kushtetutë dhe ligj, e ka një gamë aq të madhe të kompetencave saqë është e pamundur që të gjitha obligimet, detyrimet që dalin nga kushtetuta për Avokatin e Popullit të mbulohen me këtë numër të vogël të bashkëpunëtorëve”, tha ai. 

Davenport: Nuk ka pauzë në dialog

Çelësi për përparime të mëtejme të Serbisë drejt Bashkimit Evropian është në përmirësimin e raporteve me Kosovën, derisa nga Beogradi pritet që të ketë një rol aktiv në këtë.
Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Serbi, Michael Davenport, i cili ka potencuar se nga presidenti i ri i Serbisë pritet që të vazhdojë të angazhohet për pajtimin në rajon dhe që të kontribuojë për bashkëpunimin konstruktiv me fqinjët.
“Duhet që të sqarohet se nuk do të ketë pauzë në dialogun Beograd –Prishtinë. Çdo dyshim dhe paqartësi se a do të vazhdojë Serbia dialogun, i kontribuon pasigurisë. Sa më parë që të kemi shenja të qarta të angazhimit të Beogradit në dialog, do të jetë më mirë. Rritja e tensioneve në Kosovë nuk është në interesin e askujt”, ka thënë ai, njofton “Express”.
“Këshilli Evropian në dhjetorin e vitit të kaluar dhe gjatë marsit këtë vit, shumë qartë ka prezantuar pritjet, e kjo para së gjithash është vazhdimi i dialogut Beograd –Prishtinë”, është shprehur Davenport. 

Edhe Reali kërkon Van Persien

Arsenali është duke u përgatitur për ta mbajtur sulmuesin holandez, Robin Van Persie edhe nëse ai nuk nënshkruan kontratë të re.
Sunday Mirror shkruan se tani në garë është përfshirë edhe Real Madridi, që është i gatshëm të paguajë 25 milionë funte plus shërbimet e Gonzalo Higuain.
Kjo dhe ofertat tjera të mëdha nga klubet e mëdha evropiane kanë shqetësuar tej mase menaxherin Arsene Wenger, i cili po bën ç’mos për të mbajtur asin e tij në Emirates. 

Neymar i zhgënjyer me humbjen

Sulmuesi brazilian, Neymar, ka mbetur i zhgënjyer pas humbjes prej 4-3 nga Argjentina, ku si duket festën 19 vjeçarit ia prishi askush tjetër pos Lionel Messit.
“Unë jam i pikëlluar që kemi humbur”.
“Ne kemi pasur rastet për ta fituar ndeshjen. Ne humbëm ndeshjen, por ekipi jonë luajti shumë mirë. Ne kemi pasur dy herë epërsinë, por fatmirësisht pranuam një gol të vonshëm dhe pësuam humbje”, ka thënë Neymar.