Mustafa: Sejdiu vizitoi shokët e vet, jo Degën e Gjakovës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas vizitës së Fatmir Sejdiut, që i ka bërë Degës së Vjetër të Partisë në Gjakovë.

Udhëheqësi i partisë së dytë në Kosovë ka thënë se ish-presidenti Sejdiu nuk e ka vizituar Degën e LDK-së, por një grup të shokëve të tij në qytetin e Gjakovës.
“Ajo nuk është Degë, është një grup i shokëve të z. Sejdiu. Ai mund t’i vizitoi shokët e vet, por jo Degën e LDK-së”, ka thënë Mustafa, raporton “Express”.
Një ditë më parë, ish-presidenti Sejdiu ka qëndruar në Gjakovë në Degën Paralele të LDK-së atje dhe ka bërë thirrje udhëheqjes së partisë të mos i përjashtojnë njerëzit që kanë punuar për më shumë se dy dekada.
Sejdiu ka thënë se njerëzit dhe Dega e vjetër janë legjitime sepse kanë dal nga një proces zgjedhor i verifikuar.
Por, kjo është mohuar të dielën nga Isa Mustafa.
Ish-këshilltari për Ekonomi i Fatmir Sejdiut ka thënë se askush nuk mund ta legjitimoj një Degë e cila nuk njihet nga organet drejtuese të LDK-së.
“Kurrkush s`mundet me legjitimu individualisht asgjë, as me mohu individualisht asgjë. Dega e Gjakovës është legjitimuar nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së dhe ajo nuk është degë, në të cilën ka qenë sepse ajo nuk është Degë, është një grup i shokëve të z. Sejdiu”, ka raguar Mustafa.
Ndryshe, zyrtarët e Degës Paralele të Gjakovës kanë thënë se në tubimin që ka marrë pjesë Fatmir Sejdiu ka qenë i ftuar edhe udhëheqësi i partisë.
Por edhe kjo është mohuar nga Mustafa. “Jo nuk kemi qenë të njoftuar, por nuk është ndonjë problem i veçantë”, ka shtuar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjakovë vazhdon të funksionojë me dy degë – njëra që e përkrah Fatmir Sejdiun, e tjetra e themeluar më vonë që e përkrah Isa Mustafën.