BE i jep 100 miliardë euro kredi Spanjës

Spanja do të përfitojë një kredi prej 100 miliardë euro, në formë ndihme për t’i dhënë frymëmarrje sektorit bankar, i cili po përballet aktualisht me vështirësi të theksuara financiare.

Ministrat e financave të 16 vendeve anëtare të Eurozonës i hapën dritën jeshile kredisë që do të ndihmojë Spanjën, në procesin e rikapitalizimit të bankave, pas kërkesës formale për ndihmë të qeverisë së këtij vendi.
Gjatë mbledhjes së organizuar përmes një videokonference, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Eurogrupit shprehën besimin se Spanja do të respektojë detyrimet, veçanërisht përsa i përket reformave strukturore, për korrektimin e çekuilibrave makroekonomikë. Gjithsesi, kushtet e kësaj kredie mbeten për t’u përcaktuar në ditët në vazhdim, transmeton NOA.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi më herët se Spanjës i nevojiteshin të paktën 40 miliardë euro ndihmë, për të rikthyer në normalitet sektorin bankar.
Në rast të përkeqësimit të situatës ekonomike, kjo shifër mund të dyfishohet. Kjo pasi ekspertët vlerësuan se Qeveria e Mariano Rahoit e kishte të pamundur të përballonte e vetme procesin e rikapitalizimit të bankave.