Qendra rajonale e KMDLNJ-së në Prizren ka bërë të ditur se janë liruar të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar sot në Prizren.
Mësohet se lideri i kësaj lëvizjeje në Prizren, Arbër Rexhaj, është arrestuar në selinë e Vetëvendosjes, pasi paraprakisht policia kishte arrestuar disa aktivistë të tjerë, derisa po hiqnin flamujt e Kosovës nga shtyllat.
Në njoftimin e lëshuar nga KMDLNJ, thuhet se Arbër Rexhaj i ka thënë Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së, se me rastin e arrestimit ndaj tij dhe aktivistëve tjerë është përdorur dhunë.
Sipas Rexhajt, janë liruar të gjithë të arrestuarit e pasdites, pas intervistimit nga ana e policisë, në mesin e tyre edhe tri femra.
Ai, ka thënë se “’VV-ja ka hequr vetëm flamurin e Kosovës dhe jo flamuj tjerë të vendosur nëpër shtylla’.
Ndërsa, 12 të arrestuarit e tjerë të mëngjesit të hershëm dhe dy tjerë në orët e paradites, janë liruar. Asnjërin nga këta të arrestuar nuk ka mundur t’i vizitoj KMDLNJ, pasi që autoritet policore në Prizren nuk kanë lejuar KMDLNJ-në edhe pse ajo sipas marrëveshjes me institucionet përkatëse qeveritare ka qasje të pa penguar kudo në qendrat e ndalimit, mbajtjes, paraburgimit dhe burgjet e Kosovës, thuhet në kumtesë.
Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren, u bën thirrje zyrtarëve përkatës që të jenë më bashkëpunues dhe të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara nga drejtuesit (eprorët e tyre) e lartë institucionalë dhe ata të KMDLNJ-së.