Liverpooli dëshiron 25 milionë euro për Skrtel

Klubet e interesuara për transferimin Martin Skrtel duhet të paguajnë 25 milionë euro për shërbimet e tij.
Sllovaku nuk është i kënaqur te Redsat dhe dëshiron të largohet te ndonjë klub për të fituar trofe.

Manchester City, Juventusi dhe Milani janë skuadrat që kërkojnë shërbimet e 27-vjeçarit, mirëpo Liverpooli dëshiron ta mbajë atë në Merseyside, duke qenë se është lojtari i preferuar i tifozëve.

Skrtel pritet të diskutojë me trajnerin e ri të ‘Të Kuqve’ rreth planeve të klubit, megjithatë nëse ai nuk është i kënaqur mund të largohet, por me kusht që dikush të paguajë 25 milionë euro.

Palacio është lojtar i Interit

Drejtori i Interit, Marco Branca, ka konfirmuar se Rodrigo Palacio nga sezoni i ardhshëm do ta veshë fanellën zikaltër.
Forma e mirë e 30-vjeçarit me Genoan ka joshur interesimin e Nerazzurrëve, ndërsa Branca tashmë ka konfirmuar se është arritur marrëveshja rreth transferimit të tij.

“Palacio është një lojtar i Interit dhe do të prezantohet këtë verë”.

“Ka mbetur vetëm që ai t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore”, citon La Gazzetta dello Sport fjalët e zyrtarit të Interit.

Lunacek: KON-i theu idenë e Lojërave Olimpike

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka shprehur zhgënjimin e saj me vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që i pamundëson xhudistes nga Kosova, Majlinda Kelmendi, të përfaqësoj Kosovën ose të marrë pjesë si sportiste e pavarur në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
Në një intervistë për portalin Dukagjini.com, duke e vlerësuar një vendim të tillë si të papranueshëm, Lunacek tha se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me një vendim të tillë nuk i ka shërbyer mirë as idesë që përmes Lojërave Olimpike njerëzit e vendeve të ndryshme të bashkohen.

Vendimi i KON-it për Majlinda Kelmendin, që renditet e pesta në botë me 820 pikë, për Lunacek ka një shpjegim më të gjerë, sesa i zakonshmi.

“Rastin e Majlinda Kelmendit e shoh si thyerje të idesë së atyre që i krijuan Lojërat Olimpike”, shprehet Lunacek.

“Lojërat Olimpike u krijuan me principin që pjesëmarrja është më e rëndësishme se fitorja. Unë mendoj se Majlinda Kelmendi edhe do të fitonte në Lojërat Olimpike, por ideja që asaj t’i ndalohet pjesëmarrja në emër të Kosovës, madje as nën flamurin olimpik, nuk ka të bëjë asgjë me standardet ndërkombëtare të sportit. Kjo është tërësisht e papranueshme”, tha ajo.

Lunacek ka përmendur emra shtetesh të cilat nuk janë të njohura ndërkombëtarisht, që nuk kanë ulëse në OKB, por që sportistët e tyre përfaqësohen me flamurin e vet.

“Palestina nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, as nuk ka ulëse në OKB, por përfaqësohet me flamurin vet. Serbia në vitin 1992, kur Milosevici kishte dërguar trupat për luftë në Bosnjë, atëherë atletët serbë morën pjesë nën flamurin e Lojërave Olimpike”, thotë Lunacek.

“Nuk mund ta kuptoj faktin se si në vitin 2012 një sportiste shumë e mirë e Kosovës, nuk lejohet të marrë pjesë madje as nën flamurin olimpik. Mendoj se Komiteti Olimpik nuk i ka bërë një shërbim të mirë vetë idesë së Lojërave Olimpike që me pjesëmarrje të bashkohen njerëz nga vende të ndryshme”, tha Lunacek.

Eurodeputetje Lunacek ka bërë thirrje prej shumë kohësh që Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Londër gjatë kësaj vere.

Në raportin e fundit të Parlamentit Evropian ajo kishte bërë një thirrje të tillë, por që hasi në vesh të shurdhër nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Schalke nuk interesohet për Dani Alves

Menaxheri gjeneral i Schalkes, Horst Heldt, ka përgënjeshtruar thashethemet rreth interesimit të klubit të tij për mbrojtësin e Barcelonës, Dani Alves.
Mediat kanë raportuar se skuadra nga Gelsenkirchen është e interesuar për shërbimet e brazilianit, mirëpo duket se këto janë vetëm spekulime.

“Dani Alves është një futbollist i klasit botëror, nuk ka aspak dyshim. Mirëpo, këto njoftime janë pa kuptim”.

“Asnjëherë nuk kemi bërë ofertë, nuk kemi kontaktuar me lojtarin e as këshilluesit e tij, dhe as ai nuk na është ofruar neve”, ka thënë Heldt.

Fejohet Keira Knightley

Aktorja britanike, Keira Knightley, është fejuar me të dashurin e saj James Righton.
Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” është qe një vit në lidhje me anëtarin e bendit “Klaxons”, ndërsa veçmë ka vendosur që ta çojë lidhjen e saj përpara.

“Mund të konfirmoj se Keira është fejuar me James Righton dhe se do të martohen”, citon Reuters fjalët e publicistes, Sara Keene.

Data e martesës dhe detajet e fejesës nuk janë bërë publike.

Michelle: Do të dëshiroja të isha Beyonce

Zonja e Parë e SHBA-ve, Michelle Obama, si me shaka ka thënë se nganjëherë do t’i pëlqente që të ishte Beyonce Knowles.
Gjatë një interviste për revistën People, Michelle është pyetur se me cilin person në botë do ta ndërronte jetën.

“Nëse do të mundja të bëj diçka të tillë, atëherë me siguri se do ta zgjidhja Beyoncen. Do të isha një këngëtare e shkëlqyer...”.

“Më duket se muzikantët kënaqen më së shumti”, ka thënë ajo.

Tableti Google Nexus me Android Jelly Bean?

Një “burim i besueshëm” i informacionit i ka dhënë mjaft detaje interesante faqes TechnoBuffalo, lidhur me tabletin e ri Nexus, për të cilin ende nuk dihet nëse është tableti i Google me 7 inç, i cili do të quhet Nexus.
I njëjti burim i ka thënë faqes se tableti më i ri Android do të prodhohet nga ASUS, ndërsa data e mundshme e lansimit të tij në treg pritet të jetë 27 qershori i këtij viti.

Disa raporte tjera thonë se tableti do të vijë me versionin më të ri të sistemit operativ Android, Jelly Bean, si dhe me procesor me katër bërthama, quad-core Tegra3.

Nvidia është duke planifikuar të sjell në treg një tablet me një çmim jo më të lartë se 200 dollarë, ndërsa nëse ky del të jetë modeli i kombinuar i këtyre karakteristikave interesante, atëherë i njëjti me siguri se do të jetë një hit i madh.

Zgjedh macet, jo burrin!

Një izraelit është ndarë nga gruaja, pasi që ajo nuk dëshironte të largojë nga shtëpia 550 macet e saja.
Gjykata në qytetin Beersheb në jug të Izraelit, kishte kërkuar nga çifti që të përpiqeshin më shumë për martesën e tyre, mirëpo gruaja në asnjë mënyrë nuk hiqte dorë nga macet e saj, të cilat me gjasë i do më shumë se burrin.

Burri është ankuar në gjykatë se ka aq shumë mace, saqë ai nuk mund të flejë në krevatin e tij.

Po ashtu, ai nuk ka mundur ta përdorë as banjën nga macet, ndërsa për shkak të tyre ka qenë e pamundur që të përgatitej ushqimi në kuzhinë.

Kuçi mohon ndërrimin e kryenegociatores Tahiri

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, ka thënë sot se në Qeverinë e Kosovës nuk është biseduar dhe as nuk është marrë ndonjë vendim për ndonjë emër të ri, i cili do të udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, duke mohuar kështu ndërrimin e udhëheqëses së deritanishme, Edita Tahiri.
“Nuk është marrë asnjë veprim juridik, as nga kryeministri e as nga dikush tjetër, për ndryshimin e këtij pozicioni. Kosova e ka qëndrimin e qartë që duhet fillimisht të ndryshojë politika përballë dialogut, që nënkupton se duhet të zbatohet të arriturat apo konkluzionet e deritashme dhe të tregohet një vullnet i mirë dhe të ruhet cilësia në dialog, e pastaj të shohim mundësitë të vazhdimit të dialogut. Dhe kjo nuk ka të bëjë me pozicionin aktual të kryenegociatores”, ka thënë Kuçi për RTV21.

“Ne nuk e kemi menduar ndryshimin e pozicionit aktual të zonjës Tahiri në asnjë rast deri më tani. Në të ardhmen varet si do të zhvillohet politika, por ajo që jam i bindur është se kapacitetet politike të Kosovës duhet të përqendrohen në politikën që do ta përfaqësojë Kosovën dhe jo qëndrimet individuale. Nuk varet shumë nga individët që do të jenë aty. Unë nuk kam pasur dhe as nuk kam ndonjë interes të veçantë politik në këtë punë”, ka thënë Kuçi.

Si zëvendësim i kryenegociatores Edita Tahiri janë përmendur disa emra brenda Qeverisë së Kosovës. Është përmendur ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, këshilltari i kryeministrit Thaçi, Bekim Çollaku dhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, gjë që u mohua nga vetë Kuçi.

“Nuk e shtroj çështjen në kuptimin personal. Nëse duam të jemi aty, duhet së pari ta kemi mbështetjen politike dhe aktivitete që do të shtrohen në Qeveri dhe Kuvend edhe në kornizën kushtetuese që ne e kemi. Unë nuk them që i iki përgjegjësisë, nëse kjo kërkohet në vendin tim, por do të them që një punë e tillë nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për mua. Nëse do të ketë ndryshime, atëherë ato do të jenë me siguri cilësore. Nuk ka asnjë vendim momental për ndryshimin e pozicionit të ndokujt”, tha Kuçi.

Nikolic: Serbia nuk do ta njohë Kosovën

Presidenti i porsazgjedhur i Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë takimit të tij në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
 “Ne nuk mund ta njohim Kosovën, edhe me kushtin e ndërprerjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, unë nuk kam dëgjuar se duhet njohur Kosovën, para se t’i bashkohemi BE-së”, ka thënë Nikolic, transmeton DPA.

Ai i ka bërë këto komente në Moskë, gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ky i fundit ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. Putin po ashtu është zotuar se do të lëshojë 800 milionë dollarë kredi për Serbinë.

“Ne e shohim Serbinë jo vetëm si partner tonin tradicional dhe shumë të rëndësishëm në Ballkan, por serbët janë edhe vëllezërit tanë shpirtërorë”, ka thënë Putin.

Nikolici, i cili do të inaugurohet më 1 qershor, ka bërë vizitën e parë në Moskë, pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit më 20 maj.

Petrovic u takua me kryeministrin e Malit të Zi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i cili po merr pjesë në Konferencën për Evropë Juglindore në Mal të Zi, u takua sot me Kryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic.
Gjatë takimit me kryeministrin malazez, zv.kryeministri Petrovic prezantoi progresin e arritur ne Kosovë, me theks të veçantë për procesin e decentralizmit, zhvillimin ekonomik të vendit si dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Petrovic tha se përveç shumë proceseve tjera të rëndësishme, prioritet I institucioneve të Kosovës mbetet zbatimi I procesit të decentralizmit në veri të Mitrovicës.

Në këtë drejtim Zëvendëskryeministri Petrovic, theksoi se në vazhdën e përkushtimit të qeverisë ndaj pjesës veriore të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprimet për themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, nëpërmjet së cilës Qeveria synon të nxisë qytetarët e veriut të marrin pjesë në qeverisjen e tyre, të jetojnë në një mjedis të zhvilluar ekonomik dhe në një shoqëri demokratike, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e zv.kryeministrit Petrovic.

Iniciativat e institucioneve të Kosovës për njohjen dhe përfshirën e komuniteti Malazez në Kushtetutë të Kosovës, u mirëprit dhe u vlerësua lart nga Kryeministri malazez Igor Luksic, si një veprim demokratik i ndërmarr nga politika kosovare, ndërsa u paralajmërua një vizitë e shpejtë e liderëve politikë të Malit të Zi në Kosovë.

Menzies: SHBA, gjithmonë përkrah Kosovës

Ish - ambasadori amerikan në Kosovë, John Menzies, premtoi se SHBA-të edhe më tutje do të jenë përkrah Kosovës, ashtu si kanë qenë edhe në të kaluarën. Ai këto komente i ka bërë sot gjatë vizitës në Prekaz, në cilësinë e rektorit të Universitetit “Seton Hall” në New Jersy të SHBA-ve, ku bashkë me një profesor dhe 15 studentë të tij është pritur nga përfaqësuesi i Familjes Jashari, Murat Jashari.
Pasi ka bërë homazhe para varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ish ambasadori Menzies ka qëndruar në Kullën e Jasharëve, ku ka deklaruar se SHBA-ja do të mbetet mike besnike e shtetit të Kosovës, sikur edhe në të kaluarën.

“Kemi shumëçka të përbashkët, andaj edhe me shumë dëshirë vijmë në Kosovë. Kemi qenë pranë jush në ditët më të vështira dhe do të mbetemi edhe më tutje”, tha ish-ambasadori Menzies, raporton Koha.net.

Ndërsa, Murat Jashari, përmes një kronologjie të ngjarjeve ka pasqyruar historinë e dhembshme të popullit shqiptar të Kosovës, duke potencuar ngjarjet e viteve 1968 e 1974, mandej demonstratat studentore të vitit 1981, burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve në vitin 1987, për ta përmbyllur me betejat e UÇK-së të filluar frontalisht në vitin 1997 në Rezallë të Re,Çirez e Likoshan, e cila kishte kulmuar me betejën e Prekazit.

“Shqiptarët më nuk mund ta duronin dhunën sistematike të Millosheviqit, sunduesin e egër dhe pushtuesin shekullor, andaj nisen luftën për çlirimin e Kosovës, e cila nga Prekazi u shpërnda në gjithë vendin”, tha Jashari.

Ai është përgjigjur interesimit të studentëve amerikanë duke i shpjeguar detaje të historisë së familjes Jashari dhe Prekazit në tërësi, i cili nga shqiptarët kudo që janë konsiderohet si vend i shenjtë.

“Prekazi fizikisht është në Kosovës, por shpirtërisht i kalon kufijtë e Kosovës, për shqiptarët, Prekazi është vend i shenjtë”, tha Murat Jashari.

Gjithçka gati për balotazhin në Ferizaj

Janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në raundin e dytë për kryetar të Ferizajt, të cilat do të mbahen nesër. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin operacional, policia rajonale e Ferizajt ka bërë përgatitjet që të jetë në secilën qendër të votimit, ndërsa monitoruesit e zgjedhjeve janë mobilizuar që ta përcjellin mbarëvajtjen e procesit.
Mbi 95 mijë qytetarë, me të drejtë vote në komunën e Ferizajt, do të kenë mundësi nesër që të votojnë për kryetarin e tyre. Institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve kanë bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin për ditën e zgjedhjeve, ndërkohë ka nisur shpërndarja e materialit josensitiv nëpër vendvotime.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Sekretariatit të KQZ-së, Miradije Mavriqi ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këto zgjedhje.

“Sekretariati e ka përgatitur materialin. Materiali sensitiv sot ka arritur në Ferizaj në depon kryesore të komunës, tek zyrtari ynë komunal në orën 8 e 38 minuta, ndërsa materiale jo sensitiv nëpër qendrat e votimi ka filluar të shpërndahet”, ka thënë Mavriqi për Radio Kosovën.

Sipas saj janë gjithsej 128 vendvotime, duke përfshirë edhe 4 vendvotime mobile dhe gjithsej 95 mijë e 449 qytetarë me të drejtë vote.

Rezultatet preliminare, sipas Mavriqit, do të mund të publikohen rreth orës 23:00.

Më të shpejtë në publikimin e rezultateve të këtyre zgjedhjeve presin të jenë D4D-INPO, organizatë kjo që do ta monitorojë procesin zgjedhor. Avni Bytyçi në emër të kësaj organizate tha se kanë vëzhgues në çdo vendvotim.

“Në çdo qendër dhe në çdo vendvotim do të kemi nga një vëzhgues, ku përafërsisht do të jenë 124 vëzhgues. Do të kemi mbi pesë grupe mobile që do të qarkullojnë gjatë ditës në komunën e Ferizajt dhe po shpresojmë që do të jemi të parët që do të dalim me rezultate konkrete se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i Ferizajt”, tha Bytyçi.

Për koalicionin e OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, e cila do të ketë 50 monitorues, sipas Besnik Ramadanajt, rezultati është në plan të dytë.

“Sikur në raundin e parë demokracia në veprim nuk do të dalë më rezultatin e zgjedhjeve, pasi ne konsiderojmë se më me rëndësi për neve do të jetë procesi i mbarëvajtjes”, u shpreh Ramadanaj.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi tha se njësitet policore do të jenë të vendosura në çdo qendër të votimit për t’u përkujdesur për mbarëvajtjen e procesit.

“Policia rajonale e Ferizajt në bashkëpunim me stacionin policor në Ferizaj ka përpiluar planin operativ dhe secila qendër votimi është e mbuluar nga njësitë policore. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe do të jemi mjaft efektiv dhe besoj se zgjedhjet do të kalojnë pa kurrfarë problemi”, tha ai.

Monitoruesit e zgjedhjeve në Ferizaj thonë se në raundin e parë kanë vërejtur kryesisht probleme teknike, por edhe votim familjar dhe tollovi para qendrave të votimit, gjë të cilën thonë se do të bëjnë përpjekje që ta evitojnë në këtë raund. Në garë për kryetar të Ferizajt janë kandidati i PDK-së, Agim Aliu dhe kandidati i LDK-së, Adem Salihaj.

Kosova, në pritje të udhërrëfyesit

Kosova pret që gjatë kësaj pranvere të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, duke e konsideruar këtë si afat optimal. Por, asnjë nga krerët institucionalë nuk është në gjendje të thotë qartë nëse do të vijë ky dokument në Kosovë deri në fund të pranverës, pasi kjo po varet nga Bashkimi Evropian. Ekspertët e integrimeve evropiane vlerësojnë se Kosova deri më tash ka pasur një përvojë të keqe kur është fjala për respektimin e afateve kohore.
Nga zyrtarët në Bruksel shpeshherë është thënë se gjatë kësaj pranvere Kosova do ta marrë udhërrëfyesin, ndërsa pranverës po i vjen fundi udhërrëfyesi ende mbetet në Bruksel.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë është vështirë se Kosovës do t’i jepet udhërrëfyesi në këtë kohë.

“Ashtu si po shkojnë gjërat duket se kjo çështje është mjaft e vështirë për disa arsye, se në radhë të parë nuk po shohim që ekziston një vullnet nga Bashkimi Evropian si tërësi shtetesh. Vet zonja Lunacek ka folur për dy blloqe sa i përket udhërrëfyesit. Çështja tjetër është që varet nga puna në Kosovë, disa parametra që janë për të marrë atë, janë shumë të vështira, që po aplikohen vetëm me Kosovën, janë të vështira dhe të paarritshme për t’u plotësuar”, ka thënë Lama për Kosovapress.

Për më tepër, ajo ka shtuar se janë disa kritere shtesë që nuk u janë vënë vendeve të tjera të rajonit, por vetëm Kosovës, dhe janë kritere vetëm për të fituar kohë.

Por, deputetja Lama nuk lë anash pa kritikuar edhe zyrtarët e institucioneve të vendit që vazhdojnë të premtojnë se do të marrin udhërrëfyesin, ndërsa me këtë po gënjehen vetëm qytetarët.

Ndërsa, eksperti i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, njëherësh drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillim, shpreson se gjatë pranverës të vijë udhërrëfyesi, ndërkohë ka përmendur edhe telashe që një grup i vendeve anëtare të BE-së që dëshirojnë me pas një qasje tjetër për Kosovën.

I pyetur nëse mund të shtyhet ky proces edhe më tutje, Muharremi thotë që Kosova në raport me BE ka një përvojë të keqe, duke iu shtyrë shpeshherë afatet kohore.

“Na kemi eksperiencë tepër të keqe. Deri tash dihet që Komisioneri, para 20 muajsh ka thënë që shumë shpejt ka me filluar dialogu për liberalizim të vizave, kanë kaluar 18 muaj deri sa kjo ka ndodh. Ne po shpresojmë që kjo gjë mos të ndodh tash, ne po e marrim udhërrëfyesin, por tepër me rëndësi jo vetëm me pranuar këtë udhërrëfyes por edhe përmbajtjen e saj. Ne duhet me insistuar që mos me pas një qasje të cilësisë së mirë për shkak se Kosova ka perspektivë evropiane të anëtarësimit si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Muharremi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova ka avancuar në disa çështje siç është ajo e riatdhesimit, dokumenteve etj, por sipas tij ka edhe disa të tjera kritere që duhet t’i përmbushë.

Eksperti Muharremi thotë se në versionin e fundit të udhërrëfyesit janë mbi 100 kushte, ndërsa nëse krahasohet kjo me vendet e Ballkanit Perëndimor, ata i kanë pasur pak më shumë se 50 kushte, ndërsa vendet e fqinjësisë së mirë në udhërrëfyesin e fundit kanë pasur 75 kushte.

Ndërkohë, zëvendësministri Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, shpreh besimin se Kosova do ta marrë udhërrëfyesin gjatë kësaj pranvere, pasi që konsideron se Kosova i ka plotësuar kushtet.

“Ne besojmë që udhërrëfyesi për liberalizim të vizave do të jetë në Kosovë gjatë kësaj pranvere, duke pas parasysh disa fakte. E para në 2012 ka pas një qartësim të pozicionit të Bashkimit Evropian karshi Kosovës, duke pas parasysh që edhe Kosova i ka plotësuar kushtet në këtë proces”, ka deklaruar Kasapolli për Kosovapress.

Megjithatë, ai ka thënë se pozicionimi i Kosovës nuk është si rezultat i kushteve që janë imponuar Kosovës, por ka qenë një vullnet i mirë i Kosovës dhe institucioneve të saj që të aprovojnë një udhërrëfyes qysh në vitin 2009 dhe të fillojnë zbatimin e tij, duke pasur parasysh parametrat që i kanë përmbushur vendet e rajonit.

Pizarro kthehet te Bayerni

Claudio Pizarro më në fund është larguar nga Werder Bremeni. Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me Bayern Munichun.
Pas spekulimeve të shumta, Bild raporton se kalimi i 33-vjeçarit në Allianz Arena tashmë është kompletuar.

Agjenti i lojtarit, Carlos Delgado dhe drejtori sportiv i bavarezëve, Christian Nerlinger, kanë mbajtur një takim rreth transferimit, ndërsa së shpejti pritet që lojtari t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore dhe më pas të bëhet gjithçka zyrtare.

Pizarro ka luajtur te Bayern Munichu gjatë viteve 2001-2007, ndërsa në 171 paraqitje në Bundesliga ka shënuar 74 gola.

“Interi do të luftojë për titull”

Trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, ka thënë se ai është duke e ndërtuar një ekip që do të luftojë për titull sezonin e ardhshëm në Serie A.
“Interi është duke e përmirësuar ekipin, që do të mundësojë fitimin e trofeve në Serie A dhe Europë. Titulli? Presidenti po punon me entuziazëm për transferimin e lojtarëve të rinj dhe kemi gjithë atë që na duhet për të luftuar për titull”.

“Në nëntë ndeshjet e menaxhimit tim ne kemi arritur kualifikimin në Europa League, gjë të cilën e ka kërkuar Massimo Moratti dhe tani duam që ta kthejmë Interin aty ku e ka vendin”, është shprehur Stramaccioni.

Buffon: Balotelli do i përshtatej Juves

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka pranuar se sulmuesi problematik i Manchester Cityt, Mario Balotelli, do t’i përshtatej Juventusit.
“A do të përshtatej Balotelli me Juven? Unë e shoh atë këtu duke bërë mirë, ashtu sikurse në çdo klub tjetër. Ai ka potencial dhe mund të them më shumë se kjo, pasi e ka dëshmuar disa herë se mund të vendosë ndeshjet”.

“Nëse Mario vjen te Juventusi, ai natyrisht se do të ishte idhulli i tifozëve. Ai është një prej atyre që denigrohet, urrehet nga ekipet kundërshtare, por është i idolizuar nga tifozët e ekipit për të cilin luan”, ka deklaruar Buffon.

Iniesta: Kupa është për Guardolën

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka thënë se triumfi në finalen e Copa del Rey ndaj Athletic Bilbaos nuk i takon askujt tjetër pos trajnerit katalanas, Pep Guardiola.
“Fitimi i kësaj Kupe ishte fundi më i mirë i epokës së Guardiolës në klub. Pjesa e parë shkoi shumë mirë dhe ne e morëm Kupën të cilën e kërkuam. Ne është dashur të luajmë lojën tonë, sepse Bilbao të detyron të bësh më të mirën”.

“Në disa momente ne ishim shumë të mirë dhe golat na kanë dhënë qetësi mentale”, ka thënë Iniesta.

Bielsa: Unë kam faj për dështimin

Bosi i Athletic Bilbaos, Marcelo Bielsa, ka marrë pargjegjësinë e plotë për disfatën e ekipit të tij ndaj Barcelonës të premtën mbrëma, duke thënë se e ardhmja e tij do të vendoset javën e ardhshme.
“Unë pranoj se qasja që kemi marrë ishte e pa suksesshme. Unë e kuptoj këtë. Unë jam vendim-marrës. Unë jam përgjegjës për disfatën e ekipit dhe mos funksionimit të planit”.

“Tani do të vlerësoj nëse stafi iim mund të vazhdojë punën. Unë besoj se javën e ardhshme do të vendoset e ardhmja ime”, ka thënë Bielsa.

Giovinco: Nuk e di ku do të luaj

Sulmuesi italian, Sebastian Giovinco, ka thënë se ai nuk është i sigurtë nëse do të luajë te Juventusi apo Parma sezonin e ardhshëm.
“Unë ndihem lojtar i rëndësishëm te Parma, prsidenti i Parmës më tha se nuk ka sens të shkoj te Juve që të jem rezervist, por nuk e di nëse do të luaj te Parma ose te Juve”.

“Duke parë se do të ketë bisedime mes Juventusit dhe Parmës, unë do të shkoj me atë që më do më shumë. Arsyetimi im është i njëjtë sikurse tri-katër vite më parë: Dua të trajtohem i barabartë me të gjithë lojtarët tjerë”, është shprehur Giovinco.

Freizer: Veriu, temë qendrore në dialog

Drejtoresha për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd duhet të zgjerohen edhe me temë qendrore, veriun e Kosovës.
“Ne rekomandojmë që dialogu (i deritashëm) të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut, do të bisedonin veçanërisht për veriun dhe për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, ka thënë Freizer.

Freizer e ka vlerësuar si një hap të mirë paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e një Zyre Administrative në veri të Mitrovicës – por ndoshta jo në moment të qëlluar.

“Natyrisht, mendoj se është një hap i mirë që Qeveria në Prishtinë po përpiqet të angazhohet më shumë në veri me theks të veçantë te shërbimet komunale që janë shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, shtrohet pyetja se a është ky hapi i duhur në këtë moment”.

“Siç e dini, niveli i besimit ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i ulët. Andaj, është esenciale që fillimisht të nisë një dialog ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës, para se të kërcehet në veprime si themelimi i një zyre komunale. Mendoj se është mirë të ndërmerren veprime, por që ato të bëhen hap pas hapi”, ka thënë ajo

Agani: Diskriminohen femrat me integritet mysliman!

Kryetar i Partisë së Drejtësisë, njëherazi ministër Shëndetësisë, është shprehur i pakënaqur me punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Agani kërkon zgjidhje ligjore adekuate që të eliminohen, siç thotë ai, “të gjitha pengesat të cilat aktualisht sot janë kah rezultojnë me shkelje drastike të lirive dhe të drejtave të njeriut”.

“Vajzat myslimane nuk lejohen madje edhe që të vijojnë procesin mësimor, e lëre më që të punësohen për mësimdhënëse për shkak të mbulesës”, thotë ai në një intervistë për Kosovapress.

“Është një anakronizëm, sepse kjo çështje më nuk ekziston si çështje e tillë askund në Evropë, e nuk ekziston as në shtetin e Shqipërisë. Prandaj, mendoj se këtu e kemi një problem serioz sa i përket çështjes së diskriminimit dhe mendoj se bëhet fjalë për një diskriminim të fuqishëm të femrave me integritet mysliman, për femrat myslimane që vendosin t’i manifestojnë bindjet e tyre fetare publikisht”.

Komunitetet e diskriminuara RAE

Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptian (RAE) në Kosovë janë të diskriminuar në aspektin social dhe ekonomik, thonë përfaqësues të këtyre komuniteteve dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ata tregojnë se këtyre komuniteteve në Kosovë iu shkelen të drejtat thelbësore, se jetojnë në kushte të vështira ekonomike, në pamundësi që të gjejnë punë.
“Pjesëtarët e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptian janë të diskriminuar jo në kuptimin e sigurisë apo të lëvizjes së lirë, por për mos krijimin e kushteve për integrim socio-ekonomik”, thotë për Radio Evropa e Lirë Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Për këtë gjendje jo të mirë të tyre, Shala fajëson institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Një konkludim për këtë diskriminim ka nxjerrë së fundi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Aty thuhet se pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë subjekt i diskriminimit social dhe ekonomik dhe shpesh nuk kanë pasur qasje në higjienën bazike, në kujdesin mjekësor dhe në arsim.

Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, thotë se kjo kategori e shoqërisë është e lënë pas dore. Sipas tij, këto komunitete diskriminohen në mënyrën më të keqe të mundshme.

“Shumica e familjeve rome, ashkali dhe egjiptiane, jetojnë me asistencë sociale, por kjo asistencë çdo ditë e më shumë nuk po i jepet këtyre familjeve për shkak të kritereve, e ato kritere na diskriminojnë”, thekson Syla.

Nexhip Menekshe, nga Qendra për Integrimin e Komuniteteve Etnike thotë se komunitetet RAE nuk janë të diskriminuara. Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale, sipas tij, janë të njëjta si për shumicën e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Ne nuk jemi në tregun e punës ashtu siç nuk janë edhe qytetarët tjerë. Papunësia është e njëjtë si te qytetarët tjerë të Kosovës ashtu edhe te komunitetet RAE”, shprehet Menekshe.

Komunitetet RAE njihen zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë dhe sipas Kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera. Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptianë.

“Epopeja” e Lulit

Deshi të marrë librezën e veteranit të luftës pa qenë kurrë luftëtar. Iu desh vetëm rrëfimi i një udhëtimi, që ai bëri gjatë luftës nga Kosova për në Shqipëri, që ta bind veten dhe të tjerët se dikur ka qenë pjesë e ushtrisë. Edhe kur aplikoi për diçka të tillë, prezantoi veten si ushtar të UÇK-së vetëm për 18 ditë.
Kaq ditë kishte Lulzim Ramaj, që pretendon se i shërbeu shtetit në radhët e ushtrisë në luftën e fundit në Kosovë. Është kjo arsyeja që ai mblodhi gjitha forcat që kishte e u nis drejt objektit të OVL-UÇK-së në Pejë. Aty Lulzimi hyri me dy kërkesa: të hyjë në listën e veteranëve të këtij qyteti dhe njëkohësisht të pajiset me librezën e një veterani të denjë, shkruan Express.

Në zyrat e OVL- UÇK në Pejë atij i janë dashur vetëm pak minuta për ta plotësuar formularin, i cili dëshmon se ai ka qenë ose jo pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse shumë i thjeshtë ky aplikacion, Lulzim Ramaj përveç tre katër rreshtave nuk kishte shkruar asgjë më shumë. Duke anashkaluar pothuajse të gjitha pyetjet që paraqiten në aplikacion, Lulzimi e pa të arsyeshme të përgjigjet vetëm në disa prej tyre.
Dëshmitë që ai ka dhënë nuk bindën askënd, as OVL-në në Pejë e as Gjykatën Kushtetuese e cila hodhi poshtë kërkesën e tij.

Në ethe për Ronën dhe Arbërin

Sonte (e shtunë) do të jetë një natë me plotë emocione për kosovarët dhe gjithë shqiptarët. Është nata e finaleve të mëdha.
Dy finale do të jepen këtë të shtunë. Dy kosovarë do të përballën me një konkurrencë, secili më të fortë se tjetrën. Rona Nishliu dhe Arbër Zeka do të jenë plotë emocione sonte, e bashkë me ta edhe shqiptarët nga Kosova.

Të dy janë të favorizuar për të marrë çmimet e mëdha, njëra në Eurovision Song Contest, e tjetri në Big Brother Albania 5, të dyja këto ngjarje të cilat do të fitoheshin për herë të parë nga një kosovar, nëse vërtet është nata e tyre.

Rona Nishliu, e cila fitoi dritën e gjelbër për të shkuar në finalen e Eurovisionit, sonte do ta përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Suus” e cila është pritur mjaftë mirë nga të gjitha shtet e Evropës, të cilat konkurrojnë në këtë festival.

Ajo me vokalin e saj ka arritur të fitoj mjaftë vota që të jetë në finalen e sotme.

Arbër Zeka një konkurrent shumë i fortë në Big Bother, ka arritur të shkojë në finalen e këtij ‘reality show’. Ai është duke u konsideruar edhe fitues i këtij programi televiziv, pasi të gjitha sondazhet flasin në të mirë të tij.

Rona e Arbëri që të dy nga Kosova, sonte janë në ethe për të fituar çmimin të cilët janë duke 'luftuar' tash e disa muaj. E gjitha çfarë na mbetet ne të bëjmë për ta, është t'i përkrahim me votat të cilat ata i presin nga ne.

Babastars, bashkëpunim me DJ të 50 Cent

Hip-hop ‘labeli’ kosovar, Babastars, si duket synon të thyejë kufinjt e industrisë së muzikës shqiptare, pasi pritet të bashkëpunojë me deejay zyrtar të reperit amerikan 50 Cent, DJ Whookid.
Babastars kanë shkëmbyer kontakte së fundmi me DJ Whookid, i cili në Twitter ka bërë të ditur se është duke punuar në një projekt të ri me reperët kosovar, e që natyrisht përbën lajm të jashtëzakonshëm për skenën e hip-hopit kosovar, pasi bëhet fjalë për deejay të një prej reperëve më të mirë në botë, 50 Cent.

“Projekti Babastars dhe Dj Whookid lansohet së shpejti. #EUROtakeover”, ka shkruar deejay amerikan në Facebook.

Rihanna: Cheryl të zëvëndësojë J-Lo në Ameican Idol

Pop ylli, Rihanna, mendon se ish-juristja e X-Factorit britanik, Cheryl Cole, do të ishte shumë e sukesshme edhe në emisionin e talentëve të këndimit American Idol, ku juriste kryesore është Jennifer Lopez.
Krijuesja e hitit “Where Have You Been”, u është përgjigjur spekulimeve për të ardhmen e Cheryl, duke thënë se ajo i sheh drejtuesit e American Idol duke e kërkuar britaniken, pasi ajo është fantastike.

“Unë i shoh producentët e American Idol duke tentuar që të nënshkruajnë me Cheryl – ajo do të ishte fantastike”, ka theksuar Rihanna.

Pishinë në katin e 38-të që lidh dy ndërtesa (Foto)

Në vitin 2016 (pas përfundimit të projektit) do të ndërtohet një pishinë, e cila do t’i lidhë dy kullat Sky Habitat në Singapor.
Ky kompleks përmban 509 apartamente dhe gjendet në pjesën qendrore të paralagjes Bishan, ndërsa pas përfundimit të projektit të ri, do të ofrojë një pamje mahnitëse nga lartë.

Pronarët e banesave, nga njëra kullë në tjetrën do të mund të kalojnë përmes urave që gjenden në katet 14 dhe 26.
Detaji më mbresëlënës i të gjithë kompleksit do të jetë pishina e hapur, e cila do të ndërtohet në katin e 38-të dhe do t’i lidhë të dyja kullat.

Pique: Guardiola do të kthehet një ditë

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka lëvduar impaktin e trajnerit në largim, Pep Guardiola, teksa ndjen se ai do të rikthehet një ditë në Camp Nou.
Tashmë trajneri legjendar i Barcelonës e zhvilloi ndeshjen e tij të fundit ndaj Athletic Bilbaos, ekip të cilin e mposhti me rezultat 3-0, ndërsa mbrojtësi spanjoll ka pasur vetëm fjalë të mira për bosin e tij.
“Ai e ka ditur se ishte koha për t’u larguar dhe ai tani do të ndjejë nostalgji pasi të largohet, por një ditë do të rikthehet. Këtë sezon unë nuk kam luajtur aq mirë sa do të doja, por jam krenar që kam qenë nën drejtimin e tij për aq shumë vite”.
“Unë e falënderoj atë që më ka pësuar dhe jam i kënaqur që na ka dhuruar edhe një titull para largimit”, ka potencuar Pique.

Pesë klube e kërkojnë Ibrën

Agjenti i sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka zbuluar se janë katër-pesë ekipe që janë në ndjekje të sulmuesit suedez, por ka sqaruar se Milani nuk dëshiron ta shesë atë.
Sulmuesi po vjen nga një prej sezoneve më të mira në karrierën e tij dhe së fundmi ka pasur spekulime për një interesim te Manchester Cityt për të, ashtu sikurse që ka pasur zëra se Allegri dëshiron të lirohet nga ai.
“Janë katër-pesë klube që po mbajnë sytë kah Ibra. Sidoqoftë, Milani ka qenë i qartë me ne: Ibra nuk është në shitje”, ka theksuar Mino Raiola.

Guardiola: Messi më i miri që kam parë ndonjëherë

Trajneri në largim i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se sulmuesi Lionel Messi, është futbollisti më i mirë që ai ka parë ndonjëherë dhe ndoshta më i miri që do të shohë ndonjëherë në jetën e tij.
Argjentinasi shënoi golin e tij të 73-të sezonal ndaj Athletic Bilbaos në finalen e Kupës së Mbretit dhe triumfi i cili iu dedikua Pep Guardiolës, e ka lënë pa fjalë teknikun katalanas.
“Ishte nder që kam qenë trajner i një prej lojtarëve më të mirë që kam parë ndonjëherë dhe ndoshta një prej lojtarëve më të mirë që do të shoh ndonjëherë në jetën time. Messi më mësoi si të jem edhe më konkurrues. Ne do të fitonim trofe edhe pa Messin, por jo 14 nga 19 të mundshëm”, ka thënë Guardiola. 

Maradona lëvdon Chelsean

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, ka lëvduar Roberto Di Matteon dhe Chelsean e tij për suksesin e tyre në Ligën e Kampionëve.
“Pa parashikueshmëria e futbollit e bën atë sportin më të mrekullueshëm në botë. Kush ka mundur të paramendojë se një trajner i përkohshëm si Roberto Di Matteo, i cili hyri në mes të një grupi të ndarë të Cheleat vetëm disa muaj më parë, do të ngriste trofeun e Ligës së Kampionëve, duke mposhtur dhe favoritin e madh Bayernin e Munichut në shtëpi?”.
“Kush do të kishte menduar se 34 vjeçari, Didier Drogba, i cili ishte lënë në pankinë nga Andres Villas Boas, do të ishte hero i finales, duke shënuar golin e barazimit dhe më pas edhe penaltinë vendimtare, duke bërë ëndrrat e Abramovich realitet? Taktikat, qetësia dhe inteligjenca luajtën rol të madh. Së pari Di Matteo është dashur të risjellë harmoninë në ekip. Chelsea nuk ishte ekipi më i mirë ndonjëherë në Ligën e Kampionëve, por ishte ekipi që e kërkoi më së shumti. Çdo nderim për veteranët e Chelseat”, ka deklaruar Maradona.

Majlinda: Refuzimi im, çështje politike

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ditë më parë është refuzuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike nën flamurin dhe himnin e Republikës së Kosovës, ndërsa sportistja më e suksesshme shqiptare e momentit mendon se çështja e saj është çështje politike.
Majlinda në një intervistë për BBC është shprehur se çështja e mos pjesëmarrjes së saj në Lojërat Olimpike ka të bëjë më shumë me çështje politike, teksa e konsideron këtë si lajm të keq.
“Nuk është lajm i mirë. Unë jam lindur në Kosovë dhe jam bërë atlete në Kosovë dhe përkrahjen më të madhe e kam pasur në Kosovë. Kjo nuk është asgjë më shumë se çështje politike. Ka shumë shtete që nuk e përkrahin dhe nuk e duan Kosovën”.
“Fatkeqësisht, Kosova është vend i vogël dhe ndoshta jo i fortë politikisht për momentin dhe kështu nuk është shtet i fuqishëm për të ndikuar në disa gjëra”, ka theksuar Majlinda.
Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, nuk mori fare pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1992 për shkak të luftërave në Jugosllavi dhe për shkak se ai iu bashkua UÇK-së, ndërsa xhudistja e tij, Majlinda, ndihet me fat që mund të marrë së paku pjesë si shtetase e Shqipërisë.
“Tek e fundit, ne të gjithë jemi shqiptarë. Është mirë që unë mund të garoj së paku për Shqipërinë. Jo sikurse trajneri im, i cili ishte i pa fat dhe nuk shkoi fare”, përfundoi Majlinda.

Ronaldo: Duam gjashtë trofe

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, beson se ekipi i tij është në gjendje që të fitojë të gjitha gjashtë trofetë në vitin 2013.
“Mendoj se është e mundur. Ne kemi ekip të mrekullueshëm, struktura e ekipit do të jetë e njëjtë dhe lojtarë të rinj do të vijnë”.
“Ne kemi gjithë atë që na duhet për një sezon të mrekullueshëm. Ne do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha gjashtë trofetë”, është shprehur Ronaldo.

Arsenali fillon bisedimet për Giroud

Arsenali ka filluar bisedimet me kampionin e Francës, Montpellier, për sulmuesin Olivier Giroud.
Daily Mail raporton se pronari i Montpellier, Louis Nicollin, e vlerëson yllin e klubit francez për 50 milionë funte, por besohet se ai ka një klauzolë prej vetëm 12.8 milionë funtesh.
Wenger do të mund të shfrytëzonte sulmuesin Marouane Chamakh për ta bërë marrëveshjen të realizuar.
Giroud ka shënuar 26 gola gjatë sezonit të kaluar në Ligue 1 për kampionin e ri Montpellier, por me shumë siguri do të largohet nga Franca pas Euro 2012. Ai tashmë ka biseduar edhe me Bayernin e Munichut.

Mourinho: Më 2016 shkoj ku është vajza ime

Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka zbuluar se ai do të marrë në dorë klubin nga qyteti në të cilin vajza e tij do të shkojë të studiojë kur t’i mbarojë kontrata me Los Blancos në vitin 2016.
Tekniku portugez sapo ka nënshkruar marrëvehsjen e re e cila e lidh atë me klubin nga Bernabeu edhe për katër vite të tjera, por thotë se e ardhmja e tij e largët është diku tjetër.
“Në futboll, mund të nënshkruani kontratë pesëvjeçare dhe nëse humbisni dy ndeshje, kjo kontratë mund të marrë fund. Kontrata ime mbaron në vitin 2016. Unë shpresoj që mund të bëj punën time mirë dhe të vazhdoj me Realin”.
“Në vitin 2016, vajza ime do të shkojë në universitet. Nëse kjo ndodh, atëherë unë do të zgjedh qytetin në të cilin edhe ajo do të shkojë. Shpresoj që ata të luajnë futboll të mirë në atë vend ku ajo do të shkojë të studiojë”, ka deklaruar Mourinho. 

Kupa e Barcës, jo e mbretit!

Me rezultat të pastër 3:0 për Barcelonën ka përfunduar finalja e Kupës së Mbretit të zhvilluar në Vicente Calderon, ku triumfuan katalanasit ndaj rivalëve të tyre baskë të Athletic Bilbaos.
Bilbao nuk arriti t’i bëjë ballë Barcelonës as në minutat e parë të takimit. Pedro hapi serinë e golave pas tre minutash lojë për 1-0.
Dominimi total i Barcelonës në sfidë vazhdoi dhe ashtu siç premtoi, Lionel Messi dhe mbajti fjalën e tij. Shënoi golin e dytë të Barcelonës (19’), i cili i dedikohet trajnerit në largim Pep Guardiola.
73 gola në të gjitha garat këtë sezon...ky është Messi !
Rezultati përfundimtar u vendos pas 24 mintuash lojë përsëri nga Pedro (24’), i cili shënoi për 3-0, duke vënë kështu në dyshim Vicente Del Bosquen nëse duhet ta ftojë në Euro pasi vendosi të mos e bënte këtë.
Në vazhdim të takimit nuk ndryshoi asgjë dhe Barcelona në fund u shpall fituese e Kupës së Mbretit, trofeut të vetëm për katalanasit në sezonin 2011/2012.

Kaos lansojnë këngën “Jom kon djal i mir”

Hip-hop grupi kosovar, Kaos, ka lansuar këngën më të re të titulluar “Jom kon djal i mir”, që menjëherë ka filluar të shndërrohet në hit.
Kënga e re flet për jetën e të rinjve nga Prishtina, të cilët shumica prej tyre janë të fokusuar drejt botës së repit, por nuk dëgjojnë prindërit dhe nuk bëhen mjekë apo nuk ndjekin prindërit e tyre.
Kënga është punuar nga Vigan Bardhi, ndërsa për tekstin janë përkujdesur që të dy anëtarët e Kaos. 

Çdo femër ka një pozicion të sigurt që e bën të lumtur

Duhet që patjetër të provoni gjëra të reja, bashkojini me të vjetrat, por duhet të jeni të sigurta që pozicioni juaj nuk do t'ju lërë në baltë, pra të dini që mund të keni gjithmonë një orgazëm, kur t'u nevojitet.
Tashmë jeni të etura për një lidhje të thellë me partnerin tuaj (ose ndoshta
mund të jetë edhe e kundërta). Ajo që ju dëshironi fizikisht dhe emocionalisht, mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Kushtojini vëmendje asaj që ju ndieni (ose që nuk ndieni) dhe adoptohuni me këtë normalitet të ri.
Gjatë rritjes së kënaqësisë seksuale, meshkujt përjetojnë një hov miks neurokimik dhe janë tërësisht "të dehur seksualisht". Me fjalë të tjera, ata janë shumë të papërmbajtur nga dëshira dhe gëzimi për të vënë re "defektet e tua". Lërini mënjanë këto dhe shumë shpejt ju do të shijoni po aq shumë kënaqësi sa ai. 

Hidheni cigaren sot!

Nëse planifikimi juaj për ndërprerjen e pirjes së duhanit ka dështuar, provoni që këtë shprehi të keqe ta bëni që në këtë moment!
Studimi i bërë në British Medical Journal ka zbuluar se tentimet e paplanifikuara për ndërprerje kanë më shumë gjasa për të pasur sukses sesa ato të planifikuarat. Mbi 1900 duhanxhinj dhe ish-duhanxhinj në Angli i kanë plotësuar anketat lidhur me përpjekjen për të ndërprerë këtë shprehi të dëmshme në gjashtë muajt e fundit.
Gati gjysma nuk kanë bërë kurrfarë planifikimi dhe për habi - kanë pasur sukses.
Shkencëtarët thonë se kjo nuk do të thotë se ndërprerja e planifikuar nuk është gjë e mirë. Qoftë fjala për ndërprerje të planifikuar qoftë të paplanifikuar, kjo flet për “gjendjen e mendjes” së duhanxhiut dhe të vetëdijes së tij se duhani e dëmton shëndetin. E, kjo është e rëndësishme për shëndetin. Nuk është e rëndësishme si, por është e rëndësishme vetëm të ndërpritet duhani!

Facebook blen shfletuesin Opera?

Pas hyrjes në berzë gjatë këtij muaji, Facebook nuk ka humbur aspak kohë për të zgjeruar perandorinë e saj, pasi që menjëherë ka blerë shërbimin e dhuratave mobile – Karma, si dhe ka lansuar aplikacionin e ri mobil për fotografi, Facebook Camera.
Tani, fjalët e fundit lidhur me rrjetin social thonë se Facebook është duke synuar të blejë shfletuesin e famshëm Opera, për të konkurruar me Google, Mozilla dhe rivalët e tjerë të cilët kanë ndonjë pjesë të tregut.
Sipas një burimi të informacionit, Opera Software ka folur me Pocket Lint, dhe bazuar në deklaratat e tyre shfletuesi është duke kërkuar një blerës për biznesin e saj, dhe madje thuhet se për këtë qëllim ka ngrirë punësimet e reja në kompani.
Në anën tjetër, Facebook nuk është duke kursyer për tu zgjeruar në treg, duke u shndërruar në një adresë e rëndomtë e blerjes së bizneseve të reja, të cilat sjellin shërbime të reja për përdoruesit. 

EULEX-i reduktohet

BE njoftoi të premten se do të reduktojë me 25 për qind numrin e stafit të tij ligjor në Kosovë (EULEX) muajt e ardhshëm, përkundër kritikave të NATO-s se misioni nuk ka burime të mjaftueshme.
Zyrtarë të BE-së thanë se stafi ndërkombëtar i misionit do të reduktohet në rreth 1,200 dhe ai lokal në rreth 1000 vetë. Shkurtimet do të prekin kryesisht stafin policor të EULEX-it dhe patrullat në pjesën veriore me shumicë serbe.
"Ne do të reduktojmë stafin tonë këtë verë. Një në katër pjesëtarë të stafit, lokal dhe ndërkombëtar, do të largohen", deklaroi për gazetarët në Bruksel Hansjoerg Haber, shef i planifikimit civil në BE, transmeton DW.
Muajin e kaluar NATO dërgoi ushtarë shtesë në Kosovë: 550 ushtarë gjermanë dhe 150 austriakë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u ankua në Parlamentin Evropian se EULEX-i nuk po bën sa duhet në veri të Kosovës.
Të premten një zyrtar i NATO-s që kërkoi të mbetet anonim i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA se aleanca është në dijeni të vendimeve të BE-së, por i takon 27 vendeve anëtare të Unionit të "përcaktojnë mandatin e tij dhe burimet e nevojshme".
Një zyrtar i BE-së tha se Unioni i kupton shqetësimet e NATO-s, por argumentoi se për zgjidhjen e konfliktit etnik në veri të Kosovës nevojiten më shumë përpjekje politike dhe diplomatike se sa forca policore.
Në Samitin e saj këtë javë NATO tha se "po lëviz drejt një pranie më të vogël dhe fleksibile" të misionit paqeruajtës të KFOR-it, por "vetëm kur situata e sigurisë ta lejojë këtë".
Haber tha se EULEX do të fokusohet më shumë në krimet e luftës dhe krimin e organizuar.
“Të gjitha vendet anëtare kanë rënë dakord për reduktimin e EULEX-it”, tha Haber dhe shtoi: "Ka ardhur koha që kosovarët të marrin në duar përgjegjësitë për vendin e tyre".

SHBA nuk i jep vizë Sylejman Selimit

Sylejman Selimi, ambasadori i parë i dekretuar në raundin e fundit të përzgjedhjes së stafit diplomatik kosovar, s’ka mundur t’u bashkëngjitej këtë muaj kolegëve të tij për vizitë përtej Atlantikut, për të marrë mësime nga njerëz që shërbejnë në institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Problem për të ka bërë viza: Ambasada amerikane nuk i ka lëshuar vizë për të udhëtuar.
Selimi ka thënë për Koha Ditore se procedura për dhënie të vizës do të zgjaste për të, për shkak të së kaluarës së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, nuk u është bashkëngjitur ambasadorëve të tjerë.

Drejtori i burgut “fantom”

Buxhetit të Republikës Kosovës do t’i “avullohen” mbi gjashtëmbëdhjetë mijë euro, për t’ia dhënë pagën për një mandat drejtorit të porsazgjedhur të Burgut të Sigurisë së Lartë, Naim Maloku, pavarësisht se ky institucion nuk do të funksionalizohet së paku edhe dy vjet. Kjo e “mirë” taksapaguesve kosovarë iu vjen nga Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga ministri Hajredin Kuçi, zyrtarët e së cilës kanë vendosur që t’ia sigurojnë një vend pune ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
 Maloku, që është i njohur si ish-përkrahës i koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë tre vjetëve të ardhshme do të marrë pagë bazë prej katërqind e gjashtëdhjetë e pesë eurosh, pa i llogaritur mëditjet tjera, shkruan Zëri.
Por, të qenit drejtor i një burgu “fantom”, për Malokun nuk është vepër e kundërligjshme, meqenëse, sipas tij, drejtori duhet të jetë që nga dita e parë kur nis ndërtimi i burgut dhe në këtë formë ta përcjellë ndërtimin dhe kompletimin e tij.
“Ky burg është projektuar dhe ndërtohet me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ka qenë kërkesë e investitorëve që në këtë proces të jenë i zgjedhur dhe i kyçur edhe drejtori, nuk është se vetëm i ka rënë dikujt ndërmend që të hapet një vend pune”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit.
Maloku ka bërë të ditur se derisa të ndërtohet burgu dhe të bëhet zyra e tij, ai do të qëndrojë në godinën e Ministrisë së Drejtësisë ku, siç ka thënë ai, e ka një zyrë, një tavolinë dhe një kompjuter për punë.

Ec Cooperi?

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është duke shqyrtuar seriozisht largimin e të dërguarit të saj Robert Cooper nga procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi.
 Burime të ditores Express në Bruksel kanë bërë të ditur se janë duke shikuar mundësitë e zëvendësimit të Robert Cooperin me një diplomat tjetër.
“Dialogu nuk pritet të rifillojë shpejt mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyra e Ashtonit është duke kërkuar një zyrtar të ri që e zëvendëson Cooperin”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Por, diplomati britanik Robert Cooper, i kontaktuar nga Express, nuk ka dashur të flasë për këtë temë me arsyetimin se ende është në pozitën e lehtësuesit. Në fakt ai as nuk e ka pohuar e as nuk ka mohuar mundësinë e zëvendësimit nga pozita e mediatorit.
“Mund t’ ju them se ende jam këtu (në këtë pozitë). Momentalisht nuk jam në zyrë, nuk është momenti për të diskutuar. Faleminderit shumë”, ka thënë Cooper.