Menzies: SHBA, gjithmonë përkrah Kosovës

Ish - ambasadori amerikan në Kosovë, John Menzies, premtoi se SHBA-të edhe më tutje do të jenë përkrah Kosovës, ashtu si kanë qenë edhe në të kaluarën. Ai këto komente i ka bërë sot gjatë vizitës në Prekaz, në cilësinë e rektorit të Universitetit “Seton Hall” në New Jersy të SHBA-ve, ku bashkë me një profesor dhe 15 studentë të tij është pritur nga përfaqësuesi i Familjes Jashari, Murat Jashari.
Pasi ka bërë homazhe para varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ish ambasadori Menzies ka qëndruar në Kullën e Jasharëve, ku ka deklaruar se SHBA-ja do të mbetet mike besnike e shtetit të Kosovës, sikur edhe në të kaluarën.

“Kemi shumëçka të përbashkët, andaj edhe me shumë dëshirë vijmë në Kosovë. Kemi qenë pranë jush në ditët më të vështira dhe do të mbetemi edhe më tutje”, tha ish-ambasadori Menzies, raporton Koha.net.

Ndërsa, Murat Jashari, përmes një kronologjie të ngjarjeve ka pasqyruar historinë e dhembshme të popullit shqiptar të Kosovës, duke potencuar ngjarjet e viteve 1968 e 1974, mandej demonstratat studentore të vitit 1981, burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve në vitin 1987, për ta përmbyllur me betejat e UÇK-së të filluar frontalisht në vitin 1997 në Rezallë të Re,Çirez e Likoshan, e cila kishte kulmuar me betejën e Prekazit.

“Shqiptarët më nuk mund ta duronin dhunën sistematike të Millosheviqit, sunduesin e egër dhe pushtuesin shekullor, andaj nisen luftën për çlirimin e Kosovës, e cila nga Prekazi u shpërnda në gjithë vendin”, tha Jashari.

Ai është përgjigjur interesimit të studentëve amerikanë duke i shpjeguar detaje të historisë së familjes Jashari dhe Prekazit në tërësi, i cili nga shqiptarët kudo që janë konsiderohet si vend i shenjtë.

“Prekazi fizikisht është në Kosovës, por shpirtërisht i kalon kufijtë e Kosovës, për shqiptarët, Prekazi është vend i shenjtë”, tha Murat Jashari.