Janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në raundin e dytë për kryetar të Ferizajt, të cilat do të mbahen nesër. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin operacional, policia rajonale e Ferizajt ka bërë përgatitjet që të jetë në secilën qendër të votimit, ndërsa monitoruesit e zgjedhjeve janë mobilizuar që ta përcjellin mbarëvajtjen e procesit.
Mbi 95 mijë qytetarë, me të drejtë vote në komunën e Ferizajt, do të kenë mundësi nesër që të votojnë për kryetarin e tyre. Institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve kanë bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin për ditën e zgjedhjeve, ndërkohë ka nisur shpërndarja e materialit josensitiv nëpër vendvotime.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Sekretariatit të KQZ-së, Miradije Mavriqi ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këto zgjedhje.
“Sekretariati e ka përgatitur materialin. Materiali sensitiv sot ka arritur në Ferizaj në depon kryesore të komunës, tek zyrtari ynë komunal në orën 8 e 38 minuta, ndërsa materiale jo sensitiv nëpër qendrat e votimi ka filluar të shpërndahet”, ka thënë Mavriqi për Radio Kosovën.
Sipas saj janë gjithsej 128 vendvotime, duke përfshirë edhe 4 vendvotime mobile dhe gjithsej 95 mijë e 449 qytetarë me të drejtë vote.
Rezultatet preliminare, sipas Mavriqit, do të mund të publikohen rreth orës 23:00.
Më të shpejtë në publikimin e rezultateve të këtyre zgjedhjeve presin të jenë D4D-INPO, organizatë kjo që do ta monitorojë procesin zgjedhor. Avni Bytyçi në emër të kësaj organizate tha se kanë vëzhgues në çdo vendvotim.
“Në çdo qendër dhe në çdo vendvotim do të kemi nga një vëzhgues, ku përafërsisht do të jenë 124 vëzhgues. Do të kemi mbi pesë grupe mobile që do të qarkullojnë gjatë ditës në komunën e Ferizajt dhe po shpresojmë që do të jemi të parët që do të dalim me rezultate konkrete se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i Ferizajt”, tha Bytyçi.
Për koalicionin e OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, e cila do të ketë 50 monitorues, sipas Besnik Ramadanajt, rezultati është në plan të dytë.
“Sikur në raundin e parë demokracia në veprim nuk do të dalë më rezultatin e zgjedhjeve, pasi ne konsiderojmë se më me rëndësi për neve do të jetë procesi i mbarëvajtjes”, u shpreh Ramadanaj.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi tha se njësitet policore do të jenë të vendosura në çdo qendër të votimit për t’u përkujdesur për mbarëvajtjen e procesit.
“Policia rajonale e Ferizajt në bashkëpunim me stacionin policor në Ferizaj ka përpiluar planin operativ dhe secila qendër votimi është e mbuluar nga njësitë policore. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe do të jemi mjaft efektiv dhe besoj se zgjedhjet do të kalojnë pa kurrfarë problemi”, tha ai.
Monitoruesit e zgjedhjeve në Ferizaj thonë se në raundin e parë kanë vërejtur kryesisht probleme teknike, por edhe votim familjar dhe tollovi para qendrave të votimit, gjë të cilën thonë se do të bëjnë përpjekje që ta evitojnë në këtë raund. Në garë për kryetar të Ferizajt janë kandidati i PDK-së, Agim Aliu dhe kandidati i LDK-së, Adem Salihaj.
Gjithçka gati për balotazhin në Ferizaj
20:16
Liridon