Nikolic: Serbia nuk do ta njohë Kosovën

Presidenti i porsazgjedhur i Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë takimit të tij në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
 “Ne nuk mund ta njohim Kosovën, edhe me kushtin e ndërprerjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, unë nuk kam dëgjuar se duhet njohur Kosovën, para se t’i bashkohemi BE-së”, ka thënë Nikolic, transmeton DPA.

Ai i ka bërë këto komente në Moskë, gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ky i fundit ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. Putin po ashtu është zotuar se do të lëshojë 800 milionë dollarë kredi për Serbinë.

“Ne e shohim Serbinë jo vetëm si partner tonin tradicional dhe shumë të rëndësishëm në Ballkan, por serbët janë edhe vëllezërit tanë shpirtërorë”, ka thënë Putin.

Nikolici, i cili do të inaugurohet më 1 qershor, ka bërë vizitën e parë në Moskë, pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit më 20 maj.