Deshi të marrë librezën e veteranit të luftës pa qenë kurrë luftëtar. Iu desh vetëm rrëfimi i një udhëtimi, që ai bëri gjatë luftës nga Kosova për në Shqipëri, që ta bind veten dhe të tjerët se dikur ka qenë pjesë e ushtrisë. Edhe kur aplikoi për diçka të tillë, prezantoi veten si ushtar të UÇK-së vetëm për 18 ditë.
Kaq ditë kishte Lulzim Ramaj, që pretendon se i shërbeu shtetit në radhët e ushtrisë në luftën e fundit në Kosovë. Është kjo arsyeja që ai mblodhi gjitha forcat që kishte e u nis drejt objektit të OVL-UÇK-së në Pejë. Aty Lulzimi hyri me dy kërkesa: të hyjë në listën e veteranëve të këtij qyteti dhe njëkohësisht të pajiset me librezën e një veterani të denjë, shkruan Express.
Në zyrat e OVL- UÇK në Pejë atij i janë dashur vetëm pak minuta për ta plotësuar formularin, i cili dëshmon se ai ka qenë ose jo pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe pse shumë i thjeshtë ky aplikacion, Lulzim Ramaj përveç tre katër rreshtave nuk kishte shkruar asgjë më shumë. Duke anashkaluar pothuajse të gjitha pyetjet që paraqiten në aplikacion, Lulzimi e pa të arsyeshme të përgjigjet vetëm në disa prej tyre.
Dëshmitë që ai ka dhënë nuk bindën askënd, as OVL-në në Pejë e as Gjykatën Kushtetuese e cila hodhi poshtë kërkesën e tij.